Robert Jashari – një ndër legjendat e futbollit shqiptar, me origjinë nga Gjerbësi i Skraparit!…
Nesim Alushani
Gjatë punës për librin Gjerbësi i Skraparit, pata mundësinë të mësoj më shumë për njerëzit, ngjarjet dhe historinë e vendlindjes sime. Me Gjerbësin lidhet edhe Robert Jashari, Legjenda e Futbollit Shqiptar, futbollisti i njohur i Partizanit dhe i Ekipit Kombëtar në vitet 1956–1969.

Interesi im për të nuk lidhet vetëm me arritjet e tij sportive, por edhe me rrënjët familjare që e bashkojnë me fshatin tonë. Nëpërmjet dokumenteve, dëshmive dhe kujtimeve të banorëve, arrita të mbledh të dhëna për këtë lidhje, veçanërisht për prejardhjen e tij nga fisi Stërkola i Gjerbësit.
Nga libri Gjerbësi i Skraparit po shkëput disa pasazhe për të sjellë para lexuesve historinë e kësaj prejardhjeje.
Robert Jashari, pinjoll i fisit Stërkola nga Gjerbësi
Robert Jashari është pinjoll i fisit Stërkola nga Gjerbësi. Vatra familjare e këtij fisi ndodhej në një bregore në perëndim të fshatit, mbi lagjen Carkanji.
Mashkulli i fundit i fisit që jetoi në atë vendbanim ishte Fejzi Arif Stërkola, i lindur më 1882, sipas të dhënave të Arkivit të Shtetit. Ai kishte dy vëllezër, Hakiun, të lindur më 1883, dhe Jasharin. Fejziu ishte i martuar me Meleken, nga një familje e fshatit Dushar të Oparit, por nuk lanë pasardhës.
Përpara shtëpisë së tij ndodhej një shesh i gjelbëruar, ku ngrihej një lis madhështor, i njohur si Lisi i Fejziut. Edhe sot, vendi dhe lisi mbeten pjesë e kujtesës së fshatit.
As Hakiu nuk la pasardhës në Gjerbës. Sipas dëshmisë së Isa Lajthisë, ai emigroi në Turqi dhe nuk u kthye më në Shqipëri.
Vëllai tjetër, Jashari, u largua nga Gjerbësi para vitit 1930.
Sipas të dhënave të mbledhura, kishte kryer një shkollë në Romë dhe më pas ishte kthyer në Shqipëri. U martua me një vajzë me origjinë nga Shkodra dhe nga kjo martesë lindën dy djem, Maksimi dhe Roberti. Jashari vdiq herët, duke i lënë fëmijët jetimë në moshë të vogël.
Një dëshmi me rëndësi për jetën e tij është ajo e Nasip Carkanjit, e datës 30 mars 1994. Sipas saj, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Jashari banonte në Vlorë dhe mbante emrin Maksut Arif Jashari.
Në dokument thuhet:
«I quajturi Maksut Arif Jashari ka lindur në Gjerbës të Skraparit dhe banonte në katundin Qishbardhë të Vlorës nga viti 1940–1943, kur ka humbur jetën».
Kjo dëshmi është një dokument me vlerë për rindërtimin e historisë së familjes Jashari dhe lidhjen e saj me Gjerbësin.
Kujtimet e Caush Carkanjit për Robert Jasharin
Në kujtimet e tij, Caush Carkanji shkruan se nga fisi Stërkola doli futbollisti i njohur i Partizanit, Robert Jashari. Ai përcjell edhe atë që i tregonte i ati, Hazbiu: Roberti ishte djali i Jasharit, vëllait të Fejziut, i cili fillimisht quhej Bejdo, por më vonë ndryshoi emrin në Robert. Jashari ishte larguar herët nga Gjerbësi, fillimisht drejt Vlorës e më pas drejt Shkodrës.
Caushi kujton edhe vizitën e Robertit në Gjerbës, në shtëpinë e të parëve, ku jetonte vetëm Melekja, bashkëshortja e xhaxhait të tij, Fejziut. Ishin pushimet verore të viteve 1950 dhe Roberti qëndroi disa ditë. Ai shkonte te sheshi i shkollës dhe demonstronte aftësitë e tij të jashtëzakonshme me topin. Pikërisht atëherë shumë bashkëmoshatarë patën rastin ta njihnin.
Një takim tjetër Caushi e pati në Berat, kur ndiqte shkollën pedagogjike. Në ndeshjen Tomori–Partizani, të fituar 1–0 nga Partizani, golin e shënoi Roberti. Në këtë takim ishin edhe Hysen Flamuraj e Idari Carkanji.
«Ne patëm një kënaqësi të veçantë kur takuam këtë futbollist të madh dhe krenoheshim që prejardhja atërore e tij ishte nga fshati ynë», përfundon dëshminë e tij Caushi.
Këto kujtime kanë vlerë të veçantë, sepse dëshmojnë jo vetëm talentin e Robertit që në moshë të re, por edhe lidhjen e tij me vendlindjen e të parëve.
Këtë prejardhje e konfirmon edhe Gert Jashari, djali i Robertit. Në një intervistë të vitit 2022, me titull Historia mund të harrohet, por veprat flasin, ai deklaron:
«Origjina jonë është nga një zonë e Malit të Tomorit, fshati Gjerbës në Skrapar, origjinë për të cilën jemi krenarë dhe e kemi përzemër».
Ai përmend gjithashtu shtëpinë e hershme të familjes në Gjerbës dhe një lis të moçëm, të cilin, sipas tij, nuk e rrethonin dot tre burra krahëhapur.
Gert Jashari tregon edhe se në teqenë e Baba Aliut, në Kulmak, kishte shkëmbyer unazat e martesës me bashkëshorten e tij.
Pak nga jeta dhe karriera sportive e Robert Jasharit
Për jetën dhe veprimtarinë sportive të Robert Jasharit po u referohem të dhënave të gazetarit sportiv Uvil Zajmi dhe atyre që më përcolli miku im, Tritan Kokona, specialist në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Sipas Uvil Zajmit, Robert Jashari lindi më 2 shkurt 1938 në Tiranë. Në moshën pesëvjeçare mbeti jetim. Kushtet e vështira ekonomike bënë që, pas luftës, të jetonte në shtëpinë e fëmijës dhe në konvikte.
Karrierën e nisi te të rinjtë e Partizanit, për të vazhduar më pas me Spartakun, në Kategorinë e Dytë. Në vitin 1956, gjatë mobilizimit ushtarak, u bashkua me ekipin e Partizanit, klub me të cilin lidhi pjesën më të rëndësishme të jetës së tij sportive.
Shumë shpejt u bë një nga futbollistët më të shquar të brezit të tij, titullar i Partizanit dhe pjesëtar i Ekipit Kombëtar.
Kampion kombëtar dhe golashënues i shquar
Sipas të dhënave të Tritan Kokonës, Robert Jashari ishte pjesë e një brezi të jashtëzakonshëm futbollistësh, që shkëlqyen me Partizanin dhe Ekipin Kombëtar.
Me Partizanin u shpall gjashtë herë kampion kombëtar, në vitet 1957, 1958, 1959, 1961, 1963 dhe 1964. Fitoi gjithashtu pesë herë Kupën e Republikës.
Një nga arritjet e tij më të spikatura ishte fitimi i titullit «Këpuca e Artë» për tri sezone radhazi, si golashënuesi më i mirë i kampionatit në periudhën 1962–1965.
Me Ekipin Kombëtar zhvilloi katër ndeshje zyrtare, në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Evropian dhe Botëror:
- Holandë–Shqipëri, 24 maj 1964;
- Shqipëri–Holandë, 25 tetor 1964;
- Zvicër–Shqipëri, 2 maj 1965;
- Irlandë e Veriut–Shqipëri, 7 maj 1965.
Në ndeshjen e zhvilluar në Belfast kundër Irlandës së Veriut, më 7 maj 1965, Robert Jashari shënoi golin e parë të Shqipërisë në eliminatoret e një Kampionati Botëror. Një moment historik për futbollin shqiptar dhe një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Kontributi pas përfundimit të karrierës si futbollist
Robert Jashari e përfundoi karrierën si futbollist në moshën 31-vjeçare, ndonëse kishte mundësi të luante edhe më gjatë. Sipas të dhënave të përcjella, shkak u bë mosgrumbullimi i tij për ndeshjen e kthimit në Torino, për shkak të një hijeje në biografi, pasi në Itali jetonin njerëz të afërt të tij.
I zhgënjyer nga kjo padrejtësi, ai vendosi të largohej nga futbolli i luajtur dhe t’i përkushtohej familjes.
Megjithatë, nuk u shkëput nga sporti. Vazhdoi si trajner, duke drejtuar me sukses të rinjtë e Partizanit, 31 Korrikun, Dajtin dhe Kastriotin.
Në vitin 2016, Federata Shqiptare e Futbollit e vlerësoi me titullin «Legjendë e Futbollit Shqiptar», në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar.
Një sportist i madh dhe një familjar shembullor
Përtej arritjeve sportive, Robert Jashari ishte edhe një familjar i përkushtuar. Së bashku me bashkëshorten, të cilën e respektonte shumë, rriti dhe edukoi një vajzë dhe një djalë.
Ai u nda nga jeta më 22 janar 2022, duke lënë pas kujtimin e një futbollisti të madh dhe të një emri të nderuar të sportit shqiptar.
Për Gjerbësin, Robert Jashari përfaqëson një arsye të veçantë krenarie. Edhe pse lindi dhe u rrit në Tiranë, rrënjët e tij atërore lidhen me fisin Stërkola dhe historinë e këtij fshati të Skraparit.
Dokumentet arkivore, dëshmitë e banorëve dhe kujtimet familjare ndihmojnë në rindërtimin e kësaj historie. Ato na kujtojnë se rrënjët familjare nuk humbasin me largimin nga vendlindja e të parëve; mbeten pjesë e kujtesës dhe identitetit të brezave.
Për Gjerbësin dhe Skraparin, njohja e kësaj lidhjeje do të thotë të njohësh një pjesë të historisë së vet. Ndërsa për sportin shqiptar, Robert Jashari mbetet një nga emrat që me talentin dhe arritjet e tij nderoi futbollin kombëtar.
Një histori që Skrapari nuk diti ta bëjë të vetën
Futbolli e bëri Robert Jasharin një nga figurat më të njohura të sportit shqiptar. Si yll i Partizanit dhe i Ekipit Kombëtar, ai fitoi admirimin e publikut dhe respektin e botës sportive. Ndërkohë, një pjesë e gjerbësllinjve që banonin në Tiranë e njihnin prejardhjen e tij atërore dhe krenoheshin me këtë lidhje.
Ndër ta ishte edhe Nasip Carkanji. Unë vetë e mësova për herë të parë këtë prejardhje nga Tajar Çinari, në Tiranë, në vitin 1969.
Po në Skrapar, sa njihej kjo lidhje?
Në Gjerbës e njihnin sidomos të rinjtë që studionin në Tiranë. Edhe në Çorovodë, një rreth i kufizuar njerëzish duhet ta ketë ditur. Megjithatë, Robert Jashari nuk u bë kurrë një figurë publike e lidhur me historinë dhe krenarinë e Skraparit.
Përgjegjësia për këtë mosvlerësim nuk mund t’i atribuohet vetëm mungesës së informacionit. Drejtuesit e sportit në Skrapar nuk arritën të kuptonin potencialin që përfaqësonte një futbollist i përmasave të Robert Jasharit. Emri, përvoja dhe autoriteti i tij mund të kishin shërbyer për zhvillimin e futbollit në trevën tonë dhe edukimin e brezave të rinj.
Edhe pas vitit 1990, kur mundësitë për të vlerësuar figurat e sportit ishin më të mëdha, gazetarët dhe dashamirësit e futbollit në Skrapar nuk i kushtuan vëmendjen e merituar, as si sportist, as si njeri dhe as për lidhjen e tij me Gjerbësin.
Ndërsa bota e futbollit në Tiranë e vlerësonte si një nga emrat e mëdhenj të saj, ne në Skrapar nuk arritëm ta bënim pjesë të kujtesës sonë publike. Kjo është humbja jonë. Jo humbja e Robertit, i cili e fitoi me meritë vendin e vet në historinë e futbollit shqiptar, por e një treve që nuk diti ta njihte dhe ta nderonte në kohën e duhur një bir të saj.
Sot mund të jetë vonë për të ndrequr atë që nuk u bë dje, por nuk është vonë për të vënë në vend të vërtetën historike. Prejardhja atërore e Robert Jasharit është pjesë e historisë së Gjerbësit dhe, përmes saj, edhe e kujtesës së Skraparit. Kjo lidhje nuk e zvogëlon aspak përmasën kombëtare të figurës së tij; përkundrazi, e pasuron historinë e vendlindjes së të parëve me një emër që i përket gjithë futbollit shqiptar.
Njerëzit e mëdhenj nuk kanë nevojë që të tjerët t’ua shkruajnë historinë. Ata e kanë shkruar vetë me jetën, talentin dhe veprën e tyre. Por është detyrë e brezave që vijnë ta njohin, dokumentojnë dhe përcjellin këtë histori. Sepse një trevë nuk nderohet vetëm nga njerëzit që nxjerr në dritë, por edhe nga aftësia për t’i njohur e vlerësuar ata që koha i ka bërë të pavdekshëm.
