Në dy vjet parlament, 1923-1924, ka diskutuar 86 herë dhe ka replikuar me qindra herë
Zylyftar HOXHA
Thirrej Ali Efendiu.
Ishte nga dera e njohur e bejlerëve të Koprënckës të Skraparit, djalë xhaxhai me Xhelal Koprënckën, firmëtarin e shpalljes së aktit të Pavarësisë më 1912, Dulen dhe Hasanin, gjithashtu aktivistë të hapjes së shkollave shqipe në Skrapar në vitet 1908-1909.

Studioi jashtë shtetit në Akademinë e Stambollit. Në vitin 1909 shkon në Selanik dhe bëhet një nga organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të klubit “Liria” të çelur më 22 shkurt 1909.
Si këshilltar i pleqësisë së klubit, ai kishte si detyrë arsimin dhe gjuhën shqipe. Reflekset e punës së tij në Selanik janë edhe hapja e shkollave shqipe në Skrapar në ato vite dhe mitingu i Koprënckës më 1909.
Në vitin 1911 vjen në Skrapar ku merret me lidhjen dhe koordinimin e veprimtarisë së çetave patriotike. Ishte viti 1912 kur Ali Koprëncka u doli trimërisht ushtrive osmane që donin të pushtonin disa krahina të Shqipërisë së Mesme.
Në korrik të vitit 1913 Ali Koprëncka mori pjesë me legjendarët skraparallinj, panaritas dhe kolonjarë kundër andartëve grekë në Qafën e Martës, pika më dominuese, tok me Sali Butkën, ku mbetën të vrarë të pavdekshmit Lace Backa, Jake Dajlan Panariti e Nasi Spiro Qafëzezi. Në vitet 1914- 1915 Ali Koprëncka ishte vënë në dispozicion të Qeverisë së Vlorës me detyra të ndryshme sidomos në fushën ushtarake.
Kur kryente detyrën e komandantit të xhandarmërisë dhe nënprefektit në Elbasan, shtypi i kohës shkruante: “Ali Koprëncka e kuptoi drejt detyrën e tij për të cilën është derdhur gjak dhe i ndaloi jeniçerët e Pashës të hynin të armatosur në qytet”.
Në janar të 1920 mori pjesë si delegat në Kongresin e Lushnjës, por edhe u vu me forca vullnetarësh në mbrojtje të tij. Merr pjesë në Luftën e Vlorës të vitit 1920.
Pas kësaj aftësia dhe besnikëria e Ali Koprënckës u bë e njohur nga të gjitha strukturat shtetërore, ndaj qeveritë e kohëve të tij e emërojnë në detyra të rëndësishme në Skrapar, Korçë, Durrës, Elbasan dhe Kolonjë.
Në mars të vitit 1919, në Zaloshnjë të Skraparit, u krijua Komiteti për Shpëtimin Kombëtar, me në krye patriotin Hysen Zaloshnja, anëtar i të cilit ishte edhe Ali Koprëncka. Në vitin 1921 bëhen përpjekje për ngritjen e parlamentit të parë shqiptar.
Në fushatën zgjedhore populli i Skraparit propozoi dy kandidatura të tij, Ali Koprënckën dhe Maliq Vlushën, por në anën tjetër u vunë edhe kandidaturat e Vrionasve. Fushata u zhvillua e ashpër, përfaqësuesit e parisë së Skraparit kundërshtuan me forcë kandidaturën e Vrionasve dhe ngulën këmbë në propozimet e tyre.
Në zgjedhjet e dyta ata iu përgjigjën me votë dhe me shkrim:
“Kandidatura e Maliq Vlushës dhe Ali Koprënckës është deklaruar prej nesh duke çmuar veprat patriotike të tyre, kurse zotin Sami, Qemal, Iljaz dhe Seit Vrionasi, që ju i lavdëroni, i njeh fort popullit i Skraparit. Veprat e tyre antikombëtare janë këto që shkruajmë më poshtë”.
Në letër përmenden disa veprime antikombëtare të tyre që në kohën e Turqisë, por edhe më vonë, në kohën që kishin prefekturën në dorë dërguan esadistë e dogjën edhe ato shtëpi që kishte lënë pa djegur greku, nuk deshën të mblidhej Kongresi i Leshnjës etj.
Dhe Aliu e justifikoi besimin e popullit. Ai ishte deputeti më aktiv i parlamentit, që në atë kohë quhej Këshilli Kombëtar. Sa qe deputet në gati dy vjet, deri në 23 dhjetor 1923, kur u bënë zgjedhjet tjera dhe në vend të tij u zgjodh bashkëfshatari i tij, Sami Koprëncka, Aliu ka diskutuar dhe debatuar 86 herë, të cilat janë të pasqyra në botimin“Bisedime të Këshillit Kombëtar”.

Është kërkesa energjike e Ali Koprëncës që u vendos të ngrihej internati në Vërzhezhë. Po kështu është këmbëngulja e tij, që si tradhtar i kombit t’i sekuestrohej pasuria Esat pashë Toptanit. “Duke sekuestruar pasurinë e Esat Pashë Toptanit, marrim hakun e një milion njerëzve, prandaj të votojmë”, është shprehur ai.
Po të shikosh procesverbalet e parlamentit, sekretari nuk ka harruar të vendosë reagimin e sallës pas çdo fjale të Aliut: “Bravo Ali”! “Të lumtë Ali”! “Duartrokitje”.
Edhe pas lënies së poltronit të deputetit ai ngeli një politikan aktiv, kundërshtar i qeverisë së Zogut, që edhe pse kishte pasuri, nuk ua ktheu asnjëherë shpinën banorëve të varfër të Skraparit.
Ndryshe nga Xhelali që njihej për karakterin e tij të fortë, si përfaqësues besnik i shtresës së tij, ndonjë herë edhe i ashpër dhe mospërfillës ndaj të vegjëlve, Aliu e ka vërtetuar me mijëra herë, duke vënë në rrezik jetën e tij, se ishte engjëlli mbrojtës i vegjëlisë, përfaqësuesi më i denjë i kësaj shtrese.
Firmën e tij e gjen në shumë dokumente të kohës. Korrespondencat e vazhdueshme me strukturat e shtetit ishin një komunikim dhe lidhje mes tij dhe halleve të popullit. Si një nga miqtë më të mirë të Nolit, domosdo që e ndihmoi fuqishëm këtë të fundit në ndërmarrjen e tij të guximshme, Revolucionin e Qershorit të 1924-ës, duke nisur drejt Tiranës mbi 400 burra skraparllinj të armatosur.
Noli e emëroi në një vend delikat, siç ishte Korça në atë kohë, komandant të xhandarmërisë dhe zëvendësprefekt.
Pas dështimit të Revolucionit të Nolit, Aliu u vu në shënjestrën e mbretit Zog, me anë të ligjit famëkeq mbi “jatakët”, që dënonte jo vetëm pjesëmarrësit në kryengritje, por edhe familjet, fëmijët, miqtë e shokët që i strehonin dhe i ndihmonin ata. Ndaj dhe detyrohet që bashkë me Riza Cerovën, Muço Kapinovën, Nuri Vlushën e shumë të tjerë, në fund të dhjetorit të vitit 1924, të arratisen në Greqi dhe të vendosën si emigrantë politikë në Selanik.
Pasi u rikthye Zogu në fuqi dhe pasi forcoi pozitat pas Revolucionit të Qershorit, në vitin 1928 bën një amnisti të përgjithëshme për gjithë të dënuarit. Në këtë kohë Ali Koprëncka kthehet në atdhe, pasi i vdes edhe djali.
Sa e mori vesh Zogu që Aliu erdhi, e thërret dhe i ofron detyrën e qarkkomandantit në Shkodër, prefektit në Vlorë ose kryetarit të bashkisë në Berat. Aliu i shqetësuar nga humbja e djalit, por më shumë nga politika terroriste që ndiqte Zogu, nuk pranoi dhe i tha në sy Zogut:
“Bashkëpunimi im me ty nuk ka nder. Ti je i lidhur me bejlerët e Vrionit dhe gjakpirës të tjerë të vendit. Luftova me pushkë në dorë për ardhjen e Fan Nolit në pushtet dhe ika i përzënë me pushkë prej teje. U ktheva në atdhe për arsyet e mia familjare. Postet e mia në qeverinë tënde nuk kanë lezet, prandaj më lër të qetë në punën time”.
Aliu qëndroi pranë familjes së tij në Korçë, por gjithmonë i survejuar nga agjentët e Zogut që nuk ia harronte si të parën që u bë me Nolin, por edhe të dytën, refuzimin e detyrave që i ofroi. Zogu organizoi një vrasje të beftëdhe mafioze të këtij patrioti të rrallë. Të sajuar dhe nën pretekstin e pronave, ndaj koprënckallinjve, futën kushëririn e tij, Kajmak Koprëncka, i cili në dredhi e pabesi bëri krimin më makabër.
Ishte 12 korrik i vitit 1930, kur vrasësi katil, kur doli ditën e pazarit tek Hani i Zalos e Sheshi i Peshkut në Korçë, la të vdekur Ali Koprënckën dhe Muharrem Backën.
Gazeta “Shqipëria e Re” e atyre viteve shkroi: “Ngjarja ka bërë një përshtypje të thellë në Korçë, sa dhe në Tiranë tue qenë viktima e parë Ali Kopërncka, i cili ka qenë gjithmonë midis nacionalistëve të vjetër e patriotëve të dorës së parë”.
Në të vërtetë vrasja e Aliut nuk ishte vepër kriminale e Kajmakut, por e Ahmet Zogut. Në këtë mënyrë ai likuidoi patriotët me famë; Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Muço Kapinovën e dhjetëra të tjerë. Vrasësin e Aliut nuk e nxorën në gjyq, pasi dilte e vërteta në shesh, prandaj e helmuan dhe vdiq në burg.
Pas vdekjes ai është vlerësuar me urdhra e dekorata, por jo të një niveli që i takonin. Dhe kjo për shkak të paragjykimeve politike të periudhës komuniste dhe alergjisë ndaj titullit bej. Mjerisht edhe më vonë, në kohën e demokracisë, vihet re i njëjti vlerësim dhe heshtje për këtë kryepatriot, këmbëngulës deri në flijim.
