Një diplomat karriere, që, krahas profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj detyrës, është dalluar gjithmonë për kulturën, urtësinë dhe fisnikërinë njerëzore
I lindur në Tiranë, në familjen e Bukuries dhe Njazi Çepanit, ai u rrit në një mjedis me tradita të spikatura atdhetare, intelektuale dhe familjare. Babai i tij, Njazi Çepani, ishte komandant i Brigadës së 10-të Sulmuese Partizane dhe ushtarak me formim të lartë, i shkolluar në Itali dhe në Akademinë e Lartë Ushtarake të Shën Petërburgut. Gjyshi nga nëna, Tefik Dingo Rogu, jurist dhe veprimtar patriotik, ishte bashkëkohës e bashkëpunëtor i figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare, ndërsa gjyshi nga babai, Myftar Çepani, ra dëshmor në vitin 1914, duke luftuar kundër andartëve grekë. Kjo trashëgimi familjare la gjurmë në formimin e karakterit dhe të ndjenjës së përgjegjësisë së tij ndaj atdheut.
Pas përfundimit të gjimnazit prestigjioz “Sami Frashëri”, ku ishte pjesë e brezit të maturantëve të parë, Çepani studioi në Universitetin e Tiranës, në fushën e shkencave politike, juridike dhe diplomacisë. Formimin e plotësoi me një program dyvjeçar specializimi pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në vitin 1972 nisi karrierën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku shërbeu fillimisht në sektorin e organizatave ndërkombëtare dhe më pas në strukturat që mbulonin marrëdhëniet me Evropën Perëndimore.
Në vitin 1975 u emërua i ngarkuar me punë në Ambasadën Shqiptare në Meksikë, ku qëndroi deri në vitin 1981. Gjatë këtij misioni zhvilloi veprimtari diplomatike edhe në vende të tjera të Amerikës Latine, si Panamaja, Kosta Rika dhe Nikaragua, duke marrë pjesë gjithashtu në Kongresin Botëror të Postave në Rio de Zhaneiro, si anëtar i delegacionit shqiptar.
Pas kthimit në Tiranë, vijoi detyrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa në vitin 1988 u emërua ambasador i Shqipërisë në Kubë. Ky mision u shoqërua me përvoja dhe takime të veçanta, ndër të cilat spikasin takimi me Fidel Castron, si dhe ai me shkrimtarin e madh kolumbian, fituesin e Çmimit Nobel, Gabriel García Márquez, më 14 korrik 1990. Gjatë kësaj periudhe pati gjithashtu rastin të takonte Nelson Mandelën, një prej figurave më emblematike të luftës për liri dhe dinjitet njerëzor.
Në vitin 1998 nisi një tjetër kapitull të rëndësishëm të karrierës, si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari të Italisë, detyrë që e ushtroi deri në vitin 2004. Përveç funksioneve konsullore, ai u angazhua në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-italiane dhe në promovimin e historisë e kulturës shqiptare.
Kontributet e tij përfshinë nisma për nderimin e figurave kombëtare, si Nënë Tereza dhe Luigj Gurakuqi, bashkëpunimin ndëruniversitar dhe afrimin me komunitetet arbëreshe. Veçanërisht i rëndësishëm ishte angazhimi humanitar për të mundësuar trajtimin në Itali të rreth 30 fëmijëve shqiptarë të prekur nga leuçemia. Për një periudhë shërbeu edhe si Konsull i Përgjithshëm në Janinë.
Përvoja e tij institucionale u pasurua më tej me detyrat e këshilltarit diplomatik të Presidentëve të Republikës, Bamir Topi dhe Bujar Nishani, si dhe të Kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi. Në këtë funksion mori pjesë në takime të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të cilat veçohet takimi i Presidentit Bamir Topi me ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, në Jerusalem.
Përtej posteve dhe përgjegjësive shtetërore, Çlirim Çepani ka ruajtur gjithmonë një profil të veçantë njerëzor. I matur në komunikim, i kulturuar, i thjeshtë dhe i afërt me njerëzit, ai është një shembull i diplomatit që nuk e ka ngatërruar kurrë autoritetin e funksionit me madhështinë personale.
Një vend të veçantë në jetën e tij zë familja. Bashkëshortja, Flutra Mandro Çepani, ka qenë bashkudhëtarja e jetës dhe e sfidave të karrierës diplomatike. Së bashku kanë rritur tre fëmijët e tyre, Arbrin, Lindën dhe Edlirën, të cilët janë diplomuar në universitete jashtë Shqipërisë dhe kanë ndërtuar rrugët e tyre profesionale.
Rrugëtimi i Çlirim Çepanit, nga Tirana në Meksikë, Kubë, Itali e në qendrat e rëndësishme të diplomacisë ndërkombëtare, është historia e një njeriu që i shërbeu vendit me përgjegjësi dhe dinjitet. Ai mbetet një personalitet i respektuar jo vetëm për përvojën dhe kontributet në shërbimin diplomatik shqiptar, por edhe për cilësitë njerëzore që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Sepse diplomati përfaqëson shtetin me detyrën e tij, por njeriu fiton respektin dhe dashurinë e të tjerëve me karakterin dhe mirësinë e tij.
———
Me rastin e ditës së tij lindjes, “Orakujt e Tomorrit” i urojnë Ambasadorit: Jetë të gjatë, të shëndetshme dhe plot gëzime familjare
Përgatiti:
Zylyftar Hoxha
