Ndikimi i pandemisë COVID 19, në siguri dhe në policim
Dr. Hasan SHKËMBI
Ish – drejtues policie, ka punuar për 40 vjet në strukturat e Sigurisë dhe Policisë së Shtetit. Gjatë kësaj kohe ka kryer detyra të rëndësishme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ndër të tjera, edhe pedagog për disa vite në Akademinë e Policisë. Ka një përvojë të gjatë dhe të spikatur në fushën e kërkimeve shkencore. Ka qenë lektor në tre programe Master në Universitetin “Albanian University” dhe aktualisht është lektor në programin Master për “Sigurinë dhe Rendin Publik” në Universitetin “Luarasi”.
Ka realizuar dy monografi shkencore: “Vështrim historiko-analitik mbi Policinë Shqiptare (2014) dhe “Zhvillimi historik dhe analizë krahasuese e Legjislacionit të Policisë Shqiptare (2004)
Ka botuar disa libra profesionale: “Policimi dhe Çështjet e Sigurisë (Bashkautorësi) (2018); “Tipologjitë e Policimit të vendeve të Bashkimit Evopian – Studim Krahasues” (2006); “Marrëdhëniet e Policisë me Publikun” – Studim socio – policor (1996); Tekst mësimor Përmbledhje leksionesh për Historinë e Policisë për studentët e Akademisë së Policisë (1996).
Është autor i disa artikujve shkencorë në revistat tona dhe ato ndërkombëtare si dhe referues në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Ka përgatitur manuale për policinë, si dhe ka realizuar shumë projekte për zhvillimin e Akademisë së Policisë dhe Policisë së Shtetit si dhe ka dhënë një kontribut të veçantë për ngritjen e Muzeut të Policisë.
Ndikimi i pandemisë COVID 19, në siguri dhe në policim
Këto ditë doli nga shtypi libri im i ri. Libri synon të japë një qasje të përafruar të ndikimit të Pandemisë COVID-19 në sigurinë kombëtare dhe në policim në perspektivën e të drejtave të njeriut, si dhe të analizojë dhe krahasojë reagimin e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit ndaj efekteve te krizës shëndetësore.
Punimi është strukturuar në tri pjesë dhe 10 krerë, ku pjesa e parë trajton implikimet e pandemisë koronavirus në sigurinë kombëtare, gjeopolitikë dhe në diplomaci. Vështrimi në perspektivën e rreziqeve dhe kërcënimeve të shumta pandemisë në këtë punim është bërë duke trajtuar ndikimet krizës shëndetësore lidhur me dimensionet e sigurisë për të lehtësuar adresimin e kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare. Punimi argumenton se diversifikimi i kërcënimeve të sigurisë dhe goditja pandemike po gjeneron sfida të reja në peizazhin marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikën e vendeve dhe sidomos të fuqive të mëdha ekonomike globale dhe rajonale.
Pjesa e dytë dhe e tretë e librit synon të argumentojë ndikimin e pandemisë koronavirus në demokraci, policim, sigurinë publike, situatën kriminale dhe sfidat e qasjeve të reja menaxhuese të policimit në situatën e pandemisë. Ndikimi i krizës së pandemisë ishte pika e kthesës që ndryshoi rrënjësisht policimin dhe qasjet e tij në ofrimin e shërbimeve për komunitetin, menaxhimin e situatave të rendit dhe sigurisë publike, zbatimin e ligjit, respektimin e masave kufizuese shëndetësore anti-covid në komunitet në perspektivën e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Hipoteza bazë e punimit është se policimi i pandemisë paraqet një paradigmë të re në zbatimin e ligjit, i cili kërkon një qasje krejt të re dhe operim specifik në një terren të panjohur dhe me rreziqe shumë herë të mëdha sesa ato që kemi njohur deri më tani. Qasja e re paradigmatike synon të eksplorojë gjithë aspektet e ndryshimeve të policisë në mjedisin e ri, dhe t’iu japë përgjigje pyetjeve: Çfarë llojesh ndryshimesh po bëhen në polici dhe sa radikale janë ato në të vërtetë? A do të kërkojë postpandemia një ripërcaktim të rolit të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe policimit në garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së komunitetit në shoqërinë tonë? Nëse po, nga cilat ndryshime do të duhet të bëhet rikonfigurimi i policisë tani, dhe kush do t’i bëjë ato të ndodhin? Cilat do të jenë strategjitë e së ardhmes për situata fatkeqësie të ngjashme?
Në shtjellim të çështjeve dhe pyetjeve hipotetike është bërë analiza e elementëve kompleks të ndryshimit thelbësor në fushën e qasjeve të reja paradigmatike të policimit të pandemisë bazuar në konceptet themelore strategjike, operacionale dhe praktikave të reja të policimit modern për menaxhimin e sfidave kritike të rendit dhe sigurisë publike gjatë pandemisë. Ndryshimi i ri paradigmë ka të bëjë me zhvendosjen drajverit (por pa neglizhuar) nga detyrat dhe strategjitë e taktikat tradicionale të policisë për rendin dhe sigurinë-drejt një qasje re atë të policimit të situatës së krizës shëndetësore pandemike, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut.
Punimi trajton qasjet inovative të policimit për zhvillimin e reagimit dydimensional policor (ndaj emergjencës shëndetësore dhe sigurisë publike); rolin e policisë në mjedisin e ri në kontekstin kompleks të krijuar nga kriza e pandemisë COVID-19 dhe; nevojën për të zbatuar strategji e qasje të policimit perëndimor në menaxhimin e tubimeve masive, duke garantuar liritë dhe të drejtat kushtetuese të njeriut.
Risia e punimit konsiston në analizën dhe trajtimin e qasjes se re të policimit shqiptar në “teatrin” operacional për menaxhimin si të masave kufizuese dhe njëkohësisht të situatës së rendit dhe sigurisë publike në vend përmes rasteve studimore, krahasuar edhe me disa praktika perëndimore. Përdorimi i teknikave inovative nëpërmjet teknologjive digjitale në Shqipëri ose policimi virtual ka qenë një risi e policimit të pandemisë, duke u siguruar aksesin në kohë reale qytetarëve, drejtuesve të mjeteve dhe subjekteve të ndryshme përmes aplikacioneve për zhvillimin e aktiviteteve jetike pa kontakt fizik mes tyre dhe policisë.
Libri trajton implikimet serioze të pandemisë në “gjeneratorin” kryesor të sigurisë publike-në organizatën e policisë-duke shkaktuar një efekt kaskadë si në presionin në rritje ndaj burimeve njerëzore dhe buxhetore, dobësimin e kapaciteteve të policisë, pamundësinë e rekrutimit, trajnimit dhe zhvillimit të burimeve, rritjen e shqetësimeve shëndetësore, fizike e psikologjike dhe humbjet e jetëve në efektivat e policisë, me ndikime në performancën e policisë.
Relevanca e punimit qëndron në trajtimin e efekteve të pandemisë COVID-19 në demokraci dhe në policim, në perspektiven e të drejtave të njeriut, përmes analizës së disa praktikave të policimit të masave emergjente në disa vende, si dhe rasteve studimore të policimit të situatave të rendit në mjedisin shqiptar. Pandemia koronavirus paraqet një sërë sfidash të reja për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, pasi disa vende duke shfrytëzuar hapësirën ligjore për kufizimin e disa të drejtave për interesat kombëtare, të drejtat e njeriut kanë rënë në “kurthin” e gjendjes së jashtëzakonshme në disa vende me demokraci të pakonsoliduar apo hibride. Referuar rasteve studimore dhe praktikave menaxhuese, në perspektiven e të drejtave të njeriut, evidentohet rënia në “kurth” e policisë sonë për arsye ekstrapolicore në qasjen reaktive për menaxhimin e masave anti-covid dhe orës policore.
Risi e librit është edhe trajtimi i respektimit të së drejtës kushtetuese të tubimeve nga subjektet dhe qasjet menaxhuese të policimit të protestave gjatë situatës së pandemisë koronavirus, në kontekstin e policimit perëndimor dhe atë shqiptar. Referuar përvojës perëndimore elaborohen për herë të parë konceptet mbi protestën, trazirat, strategjitë ose modelet e reja të policimit të protestave, teknika e depërshkallëzimit të forcës, qasja e “paaftësisë strategjike” ose neutralizimit selektiv, menaxhimi i negociuar përmes dialogut, teknika e rrethimit të personave të dhunshëm dhe ajo e “korridorit” të sigurt për evakuimin e medies etj.
Ndikimi i pandemisë koronavirus për shkak të kufizimeve të distancës fizike ka sfiduar edhe policimin në komunitet dhe marrëdhëniet me publikun. Promovimi i partneriteteve digjitale polici-komunitet, që metaforikisht do të thoshim “platonike” në distancë, gjithsesi ishte një përgjigje inteligjente e policisë ndaj sfidës së pandemisë koronavirus për zbatimin e filozofisë së policimit në komunitet.
Së fundi, shpresoj që ky botim do të ketë kontribuar sadopak në trajtimin e koncepteve dhe qasjeve të praktikave më të mira të policimit perëndimor për ofrimin e shërbimeve jetike ndaj komunitetit, menaxhimin e situatave sigurisë dhe masave kufizuese, maturinë në zbatimin e ligjit, respektimin e lirisë së organizimit të protestave dhe vështrimin kritik ndaj rasteve të qasjeve të policimit reaktiv, në perspektivën e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Besoj që botimi do të shërbejë dhe si literaturë me interes për stafin dhe studentët e Akademisë së Sigurisë.
Autori