Një libër i bujshëm i Eralda Bazes, vajzës nga Poliçani
“Dielli më perëndon në lindje”
Ka ditë që në median e shkruar dhe atë vizive qarkullon lajmi se një vajzë nga Skrapari (Poliçani), Eralda Baze, inxhiniere e re, ka botuar librin e parë të saj, që, çuditërisht ,edhe pse të parin, shumë të suksesshëm, me një stil dhe përqasje krejt autentike.
“Ajo ka ardhur në letërsinë shqipe si një autore që me romanin e saj të parë, do të mbahet mend njëherësh si përfaqësuese tipike e një trendi të ri, për ta lubrifikuar, trazuar dhe modernizuar prozën bashkëkohore. Romani që kjo autore, disi me një shperfillje ironike e ka hedhur në qarkullim, duhet të jetë patjetër edhe një test për libra të tjerë që ajo ose i ka shkruar, ose i ka gati për botim, ose ashtu në ekstazën e krijimit, i ka harruar në një cep studioje apo kujtese!
Romani është një vepër thellesisht shpirtërore dhe humane. Një histori dehëse dhe piedestalike, një histori dashurie gjithë plagë, brenga, kumte, zhgënjime dhe rrënime… Të gjitha këto bëjnë që ti shkosh romanit deri në fund me një shpejtësi leximi, ku e ku disa fish më të lartë së makinat e vjetra të Kajros apo benzat e shtrenjtë të Tiranës.
Autorja, si njohëse e mirë e letërsisë, sidomos asaj të huaj, ia arrin me një thjeshtësi mjeshtërore, të vendosë në vendin e vet me një kujdes të veçantë gjithcka i duhet për ta ngritur romanin e saj në nivelin sipëror të shijeve të lexuesit të kualifikuar dhe të mençur” – shkruan ndër të tjera, një ndër kritikët e librit, Marash Mirashi