Xhevahir Spahiu dhe Përmeti
Poetin tonë e lidhin shumë fije shpirtërore me Përmetin; Së pari, vendlindja, Malindi që është fare pranë vendit ku lindi inspiruesi i madh i të gjithë shqiptarëve, por, veçanërisht, i shpirtrave të ndjeshëm poetikë, poeti kombëtar Naim Frashëri; ka patur nënën nga Kreshova e Frashërit, por ka edhe një lidhje tjetër, një histori të hidhur nga ato që e kanë ndjekur vazhdimisht pas në periudhën moniste, që desh i “ka marrë kokën”.
Janë këto arsyet pse përmetarët para një muaji e nderuan me titullin Qytetar Nderi i Përmetit.
Janë po këto arsye pse vet Poeti nuk e ndan Përmetin nga dy “dobësitë” e tij, Skraparin, si vendin ku lindi, Vlorën ku urrit dhe Përmetin që e frymëzoi.
Sot në Përmet kanë filluar veprimtaritë për kremtimin e 25 Majit, Ditës tradicionale të Naimit. Me këtë rast, në vend të një përshëndetje të Poetit për këtë veprimtari, po japim më poshtë një poezi të tij për Përmetin si dhe pjesë nga reportazhi i shkruar më 18 qershor të vitit 1974 për ringritjen e shtëpisë muze së Vëllezërve Frashëri, në Frashër, që sot, për fat të keq, është braktisur dhe katandisur në mënyrën më të keqe të saj.
Xhevahir Spahiu
…dal
jashtë
verbtaz
kërkoj
takoj
Naimin
Foto: Përmet, 24 Prill 2022
Rilind shtëpia e Rilindasve
– Fragment reportazhi –
Xhevahir SPAHIU
Ka nëna heronjsh, ka edhe shtëpi – heroina. E tillë është kjo shtëpi e vëllezërve Frashëri, ngritur në vendlindjen e tyre.
Cila si kjo i dha historisë shqiptare tre personalitete të fuqishme, tri mendje kaq të ndritura, tri zemra të mëdha?…
Shtëpia e rilindasve të mëdhenj rilindi përsëri mbi themelet e saj të dikurshme, në prehër të maleve të Kokojkës e Qelqezës, qarkuar nga shkëmbinj si fortesa.
Frashëri dhe kjo shtëpi e tij, janë larg e thellë maleve, por janë afër e thellë zemrave. Këtu ata lindën. Këtu kishin rrënjët. Dhe kjo shtëpi e tyre ha bukë veç. Sepse ha bukë veç vepra e tyre e pavdekshme. Ajo i shpërthen caqet e kohës kur ata lindën…
Në sheshin para shtëpisë, tre bustet e tyre të punuara mjeshtërisht nga dora e Skulptorit të Popullit, lindur në këto vise, Odhise Paskalit.
Na duket sikur ata kanë dalë të presin miq. Ashtu siç prisnin dikur luftëtarët e lirisë, fëmijët me abetare në dorë, atdhetarët e djegur nga malli…
Zbresim të gjithë në dhomën e pritjes, në ambientin e ngrohtë familjar. Në vatër “digjet” zjarri. Rrimë mbi shilte dhe shikojmë fotografitë e familjeve të Të Treve. Pastaj një grua me emrin Naime, mbesa e poetit, sipas zakonit vendës, u afron të gjithëve nga një gotë raki.
“Gëzuar”! “Një këngë”!…
Për një çast heshtje. Pastaj një zë dhe isoja që e mbush: “Ngrehu, o Abdyl, nga varri, Se t’u mbarua qëllimi”!…
Një tjetër këngë popullore: “Që të tre burra të ndjerë, Na nderuan mëmëdhenë”!…
…
U lumçin duart atyre që punuan për ngritjen dhe pajisjen e kësaj shtëpie-muze! Nderi dhe respekti ndaj bijve më të mirë të popullit është nder dhe respekt për vetë popullin.
*Fragment nga reportazhi i botuar me rastin e përurimit të shtëpisë muze të Vëllezërve Frashëri më 18 qershor 1974