Xhevahir Spahiu dhe Zylyftar Hoxha, si dy orakuj Tomorri

Xhevahir Spahiu dhe Zylyftar Hoxha, si dy orakuj Tomorri

Portrete të pa autorizuara

 

Mihal Gjergji

 

E kam theksuar në një nga analizat e mia publike; gjuhën e Zotit e flasin vetëm të zgjedhurit prej tij. Dhe këtë e kam bindje.

 

Shtrohet pyetja, jo vetëm nga unë; a mund të arrijë krijuesi të bëjë muzikë me fjalën? Sigurisht, por kjo ndodh rrallë. Mes tyre, shumicën e përbëjnë të vdekurit e gjallë, ndërsa shëmbëlltyra e tyre mes nesh, numurohen me gishtrinjtë e dorës.

 

Ja pra, jo kushdo mund të afrojë magjinë e violinës, atë muzikë që pikturon në shpirtin e dëgjuesit.

 

Jemi te klasa e inteligjencës krijuese, detyrat e së cilës rriten paralelisht me rritjen e dijes. Më konkretisht, të ndalemi te emrat e përveçëm; te krijimtaria e poetit të shquar Xhevahir Spahiu dhe publicistit elitar Zylyftar Hoxha.

Të dy nga e njëjta trevë, megjithëse më pëlqen ta quaj krahinë (krah i Tomorrit, apo jo?), nga Skrapari.  Poeti s’ka të ngjajshëm brenda vendlindjes, madje as brenda klasës së poetëve tanë të mirënjohur. Publicisti ka.

 

Do përmëndja më të spikaturit; Iljaz Kapxhiu, Sefedin Çela, Naim Zoto. Këta të tre pretendoj se i njoh, e kam fjalën për krijimtarinë e tyre.

 

Më besoni, unë jam përzgjedhës i atyre çfarë lexoj, ndikuar kjo nga eksperienca e gjatë pa harruar edhe gjëndjen e vështirë ekonomike. S’dua të vdes me borxhe, qoftë edhe me borxhe fjale.

 

Ka edhe publicistë të cilët i njoh pak; Përparim Xhixha (nipi i Riza Kodhelit nga Backa), Bashkim Koçi, vëllezërit Caka (Lumani dhe Enveri) si dhe i palodhuri Hajri Nuhu.

 

Arti i të shkruarit, gdhendja e fjalës dhe idetë, këto janë shtysat që ndalova pikërisht te këta dy krijues.

 

 

Xhevahir Spahiu

 

 

Qysh në krye do ta quaj Xhevahir Spahiun poet të lartësive, autor i poezive-manifest, një përçues i fuqishëm i ideve të mëdha. Janë pikërisht idetë që ushqejnë shpresën dhe “një shpresë e fuqishme – shkruan Niçja – është një stimulues shumë më i madh për jetën se çdo lloj lumturie e veçantë që vjen me të vërtetë papritur.”

 

Xhevahir  Spahiu është  elegant dhe sqimatar, mbi tehun e fjalës së zgjedhur ecën si mbi tehun e shpatës. Dy fjalë të kursyera të tij në vend të autoportretit; “Ditën bir i diellit/ natën bir i hënës”.

 

Ndjesia interesante se këto fjalë të perëndishme zbresin tek ne nga mali hyjnor i vendlindjes, të shoqëron gjatë leximit të poezive të Xhevahirit. Farkëtari i fjalës troket në dyert e baladave, te eposet e kreshnikëve, ringjall farkëtarët e shpatave. Sa shumë ndikon vendlindja te psikika e njeriut, te karakteri i tij, te  brendia shpirtërore. “Një mal kam në sy/ mali im s’bëhet dy”.

 

Është Tomorri hyjnor, streha e Dodonës pellazge. Pushteti i këtij mali ka ndikim të padiskutueshëm te Xhevahiri, thuajse në gjithë krijimtarinë e tij. Edhe shtatlartësia e poetit thua se s’është rastësore, si për të qënë më afër majëmalit, pse jo, edhe më afër Zotit. Mali është simbol lartësie, njëkohësisht edhe mburojë…

 

Por, mbi gjithëçka është strehë malli. Në mënyrë imagjinare poeti shkon rregullisht atje, por jo vetëm. Ai e shpalos këtë brendi tunduese në njërën prej poezive të tij, e cila thotë aq shumë (“Nesër jam aty; gurrës me kupën e gurtë  i thoni /ta ruajë, po mundi, një grusht ujë për mua /Kam një etje të moçme /Vij i lodhur nga rruga”).

 

Sa bukur! Çdo lexues, i prekur nga këto vargje, nxiton të rendë drejt vendlindjes së tij, të zbulojë gjurmët e fëmijërisë apo të qetojë plagët e mallit. Është e kuptueshme, njeriu i ditur (poeti) nuk kërkon kënaqësitë, por mungesën e dhimbjes. Këtë thekson edhe Aristoteli te vepra e tij “Etika Nikomakea”. Poeti shkruan, gjëmon me zërin e tij të fuqishëm, e përreth është heshtja e paspjegueshme e botës, është absurdi rreth të cilit ngrejmë pikëpyetje.

 

Prandaj ngjirret poeti: Çfarë ke, o njeri/ Ç’peshë t’i harkoi supet/ Fjalët e tua ku i ke humbur?/ Po s’fole, do pyes gurin ku je ulur”. S’ka altruizëm si tundim dëshire apo kënaqësie në vargjet e krijuesit, ka peshë fjale dhe fuqi mendimi. Të shkruash mes kësaj gjindjeje, mes kësaj lufte herë të fshehtë e herë të shpallur, në kushtet e mohimit të vlerave dhe hierarkisë, doemos do bësh pyetjen që Xhevahiri e bën në momente të vështira: Çudi, si jemi gjallë!”

 

Andaj poeti e sjell poezinë si stoli për jetën, si barin magjik për të mjekuar plagën që dhëmb. Fjalë të rralla zbritur nga lart enkas për krijuesin e çuditshëm, herë thënë shkopërisht, të sapodala nga mademi e herë me veshje aristokrate.

 

Poeti jeton në një botë të krisur që s’bën gjumë, ndaj është përherë i shqetësuar për lotin e fëmijës, për urtësinë e burrit, për dramën e një nëne. Është atdhetar Xhevahiri, madje e ka ngarkuar atë brenda shpirtit. E këtë gjë e kërkon edhe te bashkëbiseduesi.

 

Ja një skenë nga qyteti i Prizrenit;

“Unë ju afrova dhe pyeta: –Pa thuaj xhaxhit, ç’emër ke? I vogli tha: -Atdhe!”

Sa bukur! Edhe te poezia-manifest për plakun e Vlorës që bredh kancelarive të Europës, poeti përjeton dhimbjen e diplomatit të shquar sikurse fatin e Atdheut prerë me gërshërët e traktateve nga fuqitë e mëdha.

“Hynte dhe dilte kancelarive,/ plaku orakull/ Europa/ akull”. 

 

Ja, pra ky është Xhevahir Spahiu, poeti rrebel.

 

Në këtë rrugëtim të shkurtër më bëhet sikur kam zbritur nga lartësitë, atje ku shtrihet vendlindja e tij. “Mjegulla u var,/ mali s’duket më./ Fusha ka mbetur pa Zot e pa Zë”

 

Hapni sytë, o vdekatarë, dhe lexoni të pavdekshmit, poetët.

 

 

 

Zylyftar Hoxha

 

 

Është interesant ky autor, në përzgjedhjen e tematikave, mënyrën e të shkruarit, ngrohtësinë e fjalës, në gjykimin e fenomeneve pa harruar të këshillohet me mençurinë e popullit, filozofinë e tij.

 

E, gjithmonë gjen kohën e falenderimit për ata, “që më kanë dhënë kënaqësi me bisedat dhe bukën e tyre të ëmbël, por edhe m’i kanë lehtësuar punët”.

 

Sa njerëzor! Si një presëtar i stërvitur secilit i pret kostumin pas trupit, pastaj i qëndis me dritën e fjalëve, aq sa e meritojnë. Zylyftari ka rendur pa zhurmë e bujë, si burimi që gjen rrugën për të zbritur në det.

 

Para pak vitesh është botuar një libër me shënime kritike për publicistikën e Zylyftar Hoxhës; “Drithërimat e fjalës”. Shkëputa disa rreshta prej tij dhe i vendosa në hyrje të këtij shkrimi, vetëm kaq, për të mos përsëritur vetëveten.

 

Është autor i disa librave e së fundmi edhe i veprës (më pëlqen ta quaj kështu) dinjitoze “Udhëtime nëpër Shqipëri”, fryt i një pune vetmohuese më shumë se dyzetvjeçare.

 

 

Le të flasim më konkretisht për brendinë e këtij botimi. Jemi në trojet e Ilirisë, në atë pjesë të mbetur, që tashmë quhet Shqipëri. Mrekulli natyrore, histori të panjohura, religjion dhe turizëm kulturor. Një dorë prej magjistari u ysht për ta ndjekur pas.

 

Butësia e Krishtit dhe fuqia e mendimit ushqejnë kureshtjen tuaj fjalë pas fjale, u shpien atje ku mbërrin vetëm imagjinata. Ëndrra, zhgënjimi dhe realiteti i lënë vendin njeri-tjetrit, kohë pas kohe. Urrejtja, kjo epidemi vrastare, gjithmonë ka ardhur nga larg, përtej sinoreve tona. Dhe ka lënë gjurmë.

 

Kujtesën e të vdekurve e trashëgojnë të gjallët, bashkëbiseduesit e autorit. Dijen dhe urtësinë e tyre e ka qëmtuar me kujdes, për ta sjellë tek ne, lexuesit kureshtarë.Ka trokitur në thellësi të shekujve, për të zgjuar zërat e baladave, atje ku flenë të vdekurit e gjallë.

 

Dhe këto i përcjell me fjalët e kadifenjta, si qëndisma me fije të ndritshme ibërshimi, me shumë dashuri. “Dashuria shpalos dhe zbulon. Për dashuri ne jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuria”. Janë fjalët e Ajnshtajnit të madh, të cilat, autori i këtij libri i ka mishëruar brenda qenies së tij, si parime të larta morale.

Shqipëria, mrekullia ballkanike e lënë në harresë, gdhendur e vendosur nga dora e natyrës buzë deteve ngarkuar shtrëngata, me male që puthin kaltërsinë e qiellit, me fusha të begata, lugina përrallore, pyje të pafundme, një nëntokë të florinjtë dhe njerëz krenarë, që e ndajnë shtëpinë me mikun. Edhe bukën e kursyer.

 

Provojeni bujarinë shqiptare! Vizitojeni Sazanin, ishullin e thesareve, Llogaranë dhe bregdetin jonian, çlodhni gjymtyrët dhe mbushni shpirtin me aromën e kësaj parajse tokësore, prekeni Semanin dhe Darëzezën, Shirokën, bukurinë e çdo stine, Dardhën e Korçës, Poliçanin e Skraparit, tashmë nën ndryshk, Mirditën-virgjëreshën malore, Kelmendin, Thethin dhe Valbonën, Sarandën, Ksamilin dhe Syrin e Kaltër-“bukuria nën qerpikët e pyllit”, Linin buzë liqenit të Pogradecit, ndaloni në Frashër të Përmetit, në “Mekën e kulturës shqiptare”, ngjituni në lartësitë e Kurveleshit kryengritës, në vendin e jataganëve dhe besëlidhjeve të mëdha, zbrisni pastaj në luginën e Lumit të Vlorës, rrëmoni në kujtesën e qytetit hijerëndë të Durrësit dhe shijoni bukurinë e këtyre brigjeve, aq shumë të lakmuara historikisht…

Shqipërinë e kanë kafshuar pa mëshirë, e kanë veshur me rroba të zeza, të arnuara, e kanë përgjakur e gjymtuar, e kanë plakur, por s’është e tillë.

 

Këtë dëshmon edhe autori i këtij libri. Shqipëria është nuse e re. Dhe shumë e bukur. Me gjakun e saj vital ka ushqyer mbretëri të tëra, princër dhe perandorë. Andaj s’mund të zhbëhet, të tretet e të humbas. Universin e ka krijuar një dorë e vetme arkitekti.

 

E, që të bindeni për këtë, vizitojeni, qoftë edhe një herë të vetme në jetën tuaj, Tomorrin hyjnor, djepin e perëndive!…