Dokument i vitit 1937: Nga se vuan krahina e Skraparit?

 Dokument i vitit 1937: Nga se vuan krahina e Skraparit?

Më poshtë po botojmë një shkrim të shtypit të viteve 1937-38, ku paraqitet një panoramë e gjendjes ekonomike të Skraparit në ato vite. 

 

Autori i njërit prej këtyre shkrimeve me inicialet E.S.Q. përshkruan në gazetën “Shtypi” me vërtetësi mjerimin që kishte pllakosur këtë krahinë dhe i bën thirrje qeverisë të marrë masa dhe të gjejë rrugëzgjidhje për përmirësimin sadopak të gjendjes.

 

Për më shumë, lexoni:

 

Munt të themi haptazi se nënprefektura e Skraparit asht ai vend i Shqipnis s’onë që vuan ma tepër dhe që ka mbetur ma prapa nga çdo pikëpamje të përparimit, si në bujqësi, tregëti, arsim, ashtu edhe në gjana të tjera që do t’i përmendim, me pakë fjalë, këtu më poshtë:

 

KRIZA

 

Kriza në këtë krahinë, ekziston përsëtepri, kaq sa çdo vizitori munt t’i bënte përshtypje më të mëdha, në qoftëse do të kalonte gjat disa katundeve e të shikojë jetën e popullit, banesat e jetën e tyne.

Kryesisht, këtu, populli i varfër s’asht gja tjetër veçse vegël e fajdexhiut. Tek fajdexhiu ai i shkretë ashtë krimbosur kaq tepër sa nuk munt të lahet dot kurrë, sikurse edhe t’i shesë të gjitha pasunit e tij, me qe e bagëti…

 

BUJQËSIA

 

Këtu, bujqësia asht natyrisht në një gjendje shumë të keqe, dhe kjo gja varet ma tepër- jo nga përtesa e bujkut- por nga ato të paka toka që zotnon, nuk janë gja tjetër, veçse toka grillore e gurore.

Bujku ndo një herë nuk arrin të nxjerrë as farën që hedh në tokë t’ atillë (jo pjellore); megjith që ay ia bën të gjitha shërbimet e duhura bimës, dhe bile ca ma tepër se ‘i duhen.

Veçanërisht ay, misrin e tij e ruan edhe deri sa e korr, nga goja e egërsirave të shumta. Dergjet në ‘të tërë natën tue thirrë pa pushuar” Ha deri, ha lepuri, ha baldosa!…

Dhe kur vjen fundi, ara e tij s’prodhon ma tepër se për tre katër muaj bukë, fundja edhe për pesë muaj.

Ç’të bëjë bujku i shkretë tani që t’ia shtonjë pjellorinë asaj toke që të prodhonjë ma tepër? Ku ta gjejë plehun që t’ia hedhë? Ay bagëtinë që ka pasur më parë, e shiti me kohë në treg nga e keqja. E tash ç’të bëjë?…

 

KOMUNIKACIONI

 

Asht plaga m’e madhe që ndihet në popullin e Skraparit përsa i përket gjendjes së komunikacionit.

Një bujk që të vejë e të shesë e të blerë ndonji send i duhet të ecinj gati pesëmbëdhjetë orë udhëtim më këmbë, pa memzi të arrijë në tregun e Beratit. Që të blerë një qase misër, niset ditën e Enjte nga shtëpia me një kafshë, kalë, a gomar, apo ç’të ketë dhe munt të kthehet ditën e Dielë, kështu që humbet katër ditë plot angari posht’ e lart, por nga ana tjetër, ai misër për të asht helm, sepse ay vet e di se sa vuan për t’a sjellë gjer në shtëpi atë qase misër.

 

Nga kjo gjë, domethënë nga komunikacioni i keq vjen që një qase misër që blihet në Berat me njëzet lekë; këtu (në tregun e Skraparit) arrin të shitet për dyzetë lekë. E pastaj, ç’të bëjë bujku i varfër, e sidomos, ay që s’ka as një gomar në shtëpi për të ngarkuar drithin që nga Berati?

 

Dhe arsyen ne e dimë se një nga viset më të mirë të Shqipërisë për prodhimin e rrushit e të drujvet të frytshëm e të pafrytshëm asht dhe kjo krahinë.

 

Dhe në këtë mënyrë do të përparohej mjaft frutikultura e gjithë prodhimet e nxjerruna do të transporoheshin nëpër tregjet e ndryshme të Shqipnis, e jo siç ngjan sot që ato prodhime që dalin, një pjesë e tyre shkon dam nga depozitimet e këqia.

 

ARSIMI

 

Përsa i përket arsimit, populli i Skaraparit nuk ka aqë ankime sikurse në pikat përshkruam më nalt. Por na duhet të dimë që shkollat në një numur të duhur do të sillnin një dobi mjaft të madhe.

 

Këtu, populli nga mungesa e shkollave bëhen shkaktarë që djemtë e tyne t’i nisin barinj me lopë, dhi ose dhen. Kjo gjë munt të mvaret edhe nga varfëria e ciltdo bujk se ay nuk ia ka takanë t’i blerë djalit  sendet që i nevojiten për shkollë.

 

Sa për kët pikë –them unë sipas mejtimit t’im- që do sillte dobi mjaft të madhe Ministrija e Arsimit sikur të qe e mundur të çelte në qendër të krahinës në fjalë një shkollë plotore internate, pak’ a shumë në mënyrë siç ka qenë 5-6 vjet më parë në katundin Vërzhezhë.

 

Tash pra nuk është nevoja të zgjatemi më, veçse duhet të kemi shpresë të plotë se në këtë vit do të përfshihet edhe Skrapari në programin e tij përparimtar t’Atdheut t’onë t’adhuruar.

 

E.S.Q.

(Gazeta “SHTYPI”, 17 qershor 1937)