Arkiv/Bibliotekat e vjetra të Beratit

Arkiv/Bibliotekat e vjetra të Beratit

Myftinia e Beratit ka patur një arkiv të moçëm në gjuhën turke ku gjendeshin gjithë aktet e Gjykatores së Shenjtë (sherie), regjistrat kadastralë të moçmë dhe shumë sende të tjera interesante për historine e qytetit, dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh”. (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290).

 

 

Teqeja e të mirit Sheh Hasanit ka patur shumë libra e dorëshkrime në gjuhët orientale (arabisht, persisht dhe turqisht), dhe dokumente të tjera që nga librat dhe dorëshkrimet, dhe kishte shumë dokumente prej atyre që ishin të vlefshme për historinë e qytetit dhe të kombit tonë – fatkeqësisht kjo bibliotekë u dogj e gjitha në kohë të kryengritjes së rebelëve në vitin 1914. Thuhet se aty gjendej edhe dorëshkrimi i shkruar shqip me gërma arabe i Nesim bej Përmetit që bën fjalë historia e literaturës shqipe. (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290)

 

 

Jo larg qytetit të Beratit gjendet fshati ose lagjja e Velabishtit, ku edhe sot shihen gërmadha palletesh, xhamie dhe teqeje si edhe varre (tyrbe). Këtu banonte Ismail Pasha, biri i Mahmud Pashës, njeri studioz që kishte krijuar në pallatin e tij një bibliotekë fort të pasur, veçanërisht në vepra arabe, perse dhe turke, po, me vrasjen e Ismail Pashës në vitin 1771 u grabit dhe u dogj edhe biblioteka e tij, për arsye se ky ishte deklaruar i dënuar prej sulltanit të atëhershëm dy herë fermanli. (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290)

 

 

Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri) rrëfen për bibliotekat familjare që gjendeshin ngado nëpër Shqipëri: “Në Berat, më 1913, – shkruan Mitat Frashëri, – kisha parë te z. Sulo Resuli një dorëshkrim shqip (me shkronja turke), të vjershave të Sylejman Ramazanit, vjershëtor i dëgjuar në ato anë, beratas, jetuar një qind – një qind e pesë vjet më parë.

 

 

…Në Berat prapë mbahen dhe ruhen dorëshkrime të tjera të vjershëtorëve Hasan i Zyko Kamberit dhe të Nesim-it; dhe unë vetë kam mes librave të mi dy dorëshkrime të vjershave të Hasanit Zyko Kamberit, tërë në shkronja turqisht, njëri prej të cilëve të paktën një qindvjeç i vjetër. Dy libra fetarë në vjersha, të shkruara në Frashër prej Dalip dhe Shahin beut, këndohen dhe sot në teqetë e bektashinjve… (“Diturija” 1909, nr. 2, f. 22)

 

 

Sipas “Rrëfime nga Korça”