Piktorja Lika Janko Grabova, nostalgji dhe mall për vëndlindjen e të parëve të saj
Prof. dr. Avni Xhelili
Në nderim të piktores së famshme bullgare me origjinë shqiptare, Lika Janko, shëtitorja e Liqenit të Belshit prej disa muajsh mban emrin e saj. Me ndriçim modern të realizuar nga pala bullgare, shëtitorja u pagëzua nga Ministri i Kulturës së Bullgarisë V. Minekov. Ky emërtim është një lloj monumenti, një kartëvizitë që mbart një informacion të caktuar për një figurë të shquar të artit pamor, siç është Lika Janko.
Edhe pse një hap për t’u përshëndetur, objekti i emërtuar mund të mos ishte në Belsh. Më e udhës do të ishte që emrin e saj ta mbante një objekt në Gramsh, në vendin e origjinës së piktores. Këtu kjo kartëvizitë do të fliste më shumë.
Emri i Lika Jankos i bën nder kulturës sonë. Me talentin dhe krijimtarinë e saj ajo bëri emër jo vetëm në Bullgari, por edhe në Evropë, SHBA, Azi e gjetkë. Në mesin e viteve ’70 të shek. XX dhe më pas pikturat e Likës filluan të blihen nga përfaqësitë diplomatike në Sofje duke tërhequr vëmendjen e koleksionistëve të huaj. Rreth 500 vepra të saj janë pronë e koleksioneve private nëpër botë. Galeristët europianë e kanë vlerësuar Likën si përfaqësuesen më të shkëlqyer të pikturës bashkëkohore bullgare, ndërsa kritiku francez Pier Restani (Pierre Restany) e ka krahasuar krijimtarinë e saj me atë Pablo Pikasos, kurse vetë autoren e ka quajtur “Pikasoja me fustan”.
Në Shqipëri, përjashtur aty-këtu ndonjë shkrim, figura dhe arti i Lika Jankos kanë mbetur pak të njohura. Institucionet tona të kulturës janë mjaftuar me dy-tri veprimtari të vogla, edhe ato me nxitjen e palës bullgare. Hapja në Tiranë e një ekspozite serioze me punimet më përfaqësuese të Lika Jankos, të përgatitur në bashkëpunim galeritë bullgare, do t’i jepte ngjyrë jo vetëm jetës sonë kulturore, por do të ndihmonte në njohjen e artdashësve tanë me krijimtarinë e kësaj artisteje të madhe.
E lindur nga prindër shqiptarë, Lika u rrit, u shkollua, jetoi dhe krijoi në Bullgari, prandaj njihet si piktore bullgare, por pakkush e di se ajo tërë jetën kishte ruajtur shtetësinë shqiptare dhe vdiq me pasaportën e shtetit shqiptar në xhep. Në Bullgari ka banuar një kontingjent jo i vogël shqiptarësh, të cilët deri në fund të viteve ’80 pajiseshin rregullisht me pasaporta shqiptare nga shteti shqiptar. Më pas ky shërbim ishte ndërprerë, çka u kishte krijuar atyre mjaft shqetësime.
Mungesa e pasaportës i pengonte të regjistronin bizneset, të kryenin veprime bankare, të lëviznin jashtë shtetit etj. Ripajisa e tyre me pasaporta shqiptare u bë në vitin 1999. Pasaportat ua dorëzoi ish presidenti R. Mejdani në një takim me ta gjatë një vizite zyrtare në Bullgari. Me një pasaportë të tillë u pajis edhe Lika, edhe e motra, Danka. I ndodhur me punë në përfaqësinë tonë diplomatike në Sofje, mbaj mend se kur Danka ndërroi jetë, autoritetet bullgare dorëzuan pasaportën e saj në ambasadën tonë. Shtetësinë shqiptare Lika e ka pohuar edhe vetë në letrën që i ka drejtuar bordit të Lidhjes së Artistëve Bullagarë më 10.01.1978, ku, ndër të tjera, shkruan: “Kam lindur në Sofje më 19 mars 1928 – origjina shqiptare, shtetësia shqiptare”.
Datëlindja 19 mars 1928, e shkruar me dorën e saj, i bën të paqena disa vite të tjera të lindjes së saj që qarkullojnë për të. Lika ishte më e vogël nga vëllai, Petri dhe motra, Danka. Emri i vërtetë i saj ishte Evangjelina, por tablotë ajo i nënshkruante si Lika Janko. Babai i saj, Llazar Janko, ishte nga Grabova e Sipërme, një fshat piktoresk me arumunë që ndodhet në skajin më lindor të Gramshit, ndërsa nëna, Frosina, kishte lindur në fshatin Llëngë të Pogradecit, po me popullsi arumune.
Nga malli për vendlindjen dhe dëshira për të ruajtur rrënjët e saj, familja Janko i shtoi mbiemrit toponimin Grabova. Në jetën e përditshme Lika njihej si Lika Janko Grabova ose Lika Grabova. Familja e saj ishte vendosur në Sofje në vitin 1920. Llazari merrej kryesisht me tregtinë e lëndës së drurit, por edhe me veprimtari të tjera. Shumë shpejt ra në kontakt me personalitete e aktivistë të Shoqërisë “Dëshira” dhe u përfshi në veprimtarinë e saj atdhetare, ndërsa në vitin 1928 zgjidhet kryetar i saj.
Llazar Grabova përcillte me interes të madh zhvillimet shoqërore, politike dhe kulturore në Shqipëri. Edhe pse prej vitesh qe shkëputur nga vendlinja, ai jetonte me problemet dhe hallet e saj. I tillë ishte rasti i mobilizimit të aktivistëve të “Dëshirës” në Sofje dhe qytete të tjera bullgare për grumbullimin e ndihmave për familjet korçare të dëmtuara nga tërmeti i vitit 1931.
E kam pasur për nder të takohem me Likën, me këtë grua të brishtë, por me bukuri të rrallë shpirtërore e me zemër të madhe. Sapo i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Fliste pak e shtruar. Nuk kishte dëshirë të fliste për vete, madje as të fotografohej e filmohej. Nga biseda me të kuptova se rruga e saj artistike gjatë regjimit komunist në Bullgari kishte qenë tejet e vështirë. Më tepër u interesua të dinte për kolegët e saj piktorë në Shqipëri pas ndryshimeve demokratike, nëse u ishte dhënë mundësia të komunikonin me botën, nëse kishte filluar blerja e veprave të artit si pronë intelektuale, nëse kishte ndryshuar sadopak shija artistike e njerëzve etj. Malli për vendlindjen e prindërve të saj nuk i ishte shuar.
E kishte peng që nuk kishte mundur të vizitonte qoftë edhe një herë të vetme Shqipërinë e Grabovën. Ngado që rrotullohej biseda, do të gjente rastin të pyeste sa shtëpi kishte Grabova, me se merreshin banorët e saj, a kishte shumë familje të shpërngulura e pyetje të tjera si këto. I bëri përshtypje informacioni i bollshëm që kisha për Grabovën dhe nuk nguroi të më pyeste. I shpjegova se edhe fshati im ku kisha lindur quhej Grabovë dhe ishte fare afër me Grabovën e saj, por besimin fetar e kishim të ndryshëm. Iu bë qejfi kur i thashë se gjyshi dhe babai im miqtë më të mirë i kishin në Grabovën e krishterë; ata merrnin pjesë rregullisht në festat dhe gëzimet e njëri-tjetrit, madje kishin bërë krushqi. Qe një bisedë mjaft e ngrohtë me këtë bashkëbiseduese jo të zakontë. U ndava me të duke i premtuar se do të shiheshim në ekspozitën që do të hapte në Sofje.
Lika fillimisht u shkollua në Kolegjin francez “Saint Joseph” në Sofje, ku pati mundësinë të frekuentojë bibliotekën e Aleancës Franceze dhe të kalojë nëpër duar albume me vepra të përfaqësuesve më të mëdhenj postimpresionistë, si Pol Sezan (Paul Cezanne), Van Gog (Vincent van Gogh), Pol Gogen (Paul Gauguin), të cilët patën ndikim të madh në krijimtarinë e piktores. Veçanërisht atë e tërhiqnin veprat e Van Gogut, për të cilin shprehej se ishte i vetmi “mësues shpirtror” i saj.
Në vitin 1946 filloi studimet për pikturë në Akademinë e Arteve të Sofjes. Mjeshtërinë e pikturimit e mësoi nga profesorët Deçko Uzunov dhe Ilia Petrov. I përfundoi studimet në vitin 1952. Punimet e diplomës komisioni i vlerësoi si të nivelit mesatar. Shkaku ishte prirja e studentes për të qenë origjinale, larg akdemizmit të asaj periudhe. Akademia e atyre viteve nuk ishte një mjedis tolerant ku nxitej iniciativa vetjake dhe origjinaliteti, ku gjente përkrahje formimi i individualiteteve të reja artistike; përkundrazi, ajo bëhej pengesë me kërkesat strikte të realizmit socialist, me konceptimin e artit dhe kulturës si instrument në shërbim të ideologjisë.
Pas përfundimit të Akademisë Lika Janko e filloi karrierën artistike me gjininë e peizazhit. Në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar ajo do të gjendej shpesh në fshatrat e rajonit të Rodopeve dhe në qytetin e vjetër bregdetar të Sozopolit. Por në peizazhet e frymëzuara nga këto vende të bukura të Bullgarisë nuk gjejmë thjesht disa skela e peshkatarë në det, apo disa shtëpi e banorë me veshje popullore, disa portrete grash fshatare me shami të qëndisura e fustane me lule. Që në këto vite ajo ishte në kërkim të një stili të ri të pasqyrimit të realitetit, donte të sillte në art një vizion më subjektiv dhe më emotiv.
Në peizazhet e saj gjenden të pasqyruara edhe emomocionet e autores, edhe mbresat, edhe këndvështrimi vetiak ndaj botës që e rrethonte. Studiuesit e krijimtarisë së Likës kanë vënë në dukje se peizazhet e saj janë një shembull i habitshëm i realizmit mistik, ku objekte fare të zakonshme marrin kuptim simbolik. Peshkatarët në këto piktura duken si personazhe biblike, ndërsa deti simbolizon djepin e jetës. Simbole të tilla në veprat e Likës si dielli, peshqit, zogjtë etj. janë elemente të një gjuhe specifike. Ato janë të pranishme brenda një kornize të caktuar fetare mitologjike. Krijimtaria e saj përshkohet nga vlera tradicionale të krishtera.
Me rreth 50 punime të kësaj periudhe të përzgjedhura nga komisioni i pranimit, Lika hapi në Sofje ekspozitën e parë personale më 16 janar 1967. N. Mitkovska, një ndër kuratoret e ekspozitave me veprat e Likës, tregon se “krijimet dhe tematika e tablove në këtë eksopzitë nuk ishin parë herë tjetër deri në atë kohë”. Autorja kishte sjellë elemente të artit modern të shekullit XX përmes një qëndrimi krejt vetjak e me mjete të reja artistike. Pa u mbushur java autoritetet e kohës urdhëruan mbylljen e ekspozitës. Artistja u akuzua për avangardizëm, formalizëm dhe indisiplinim.
Sipas autorit të monografisë për Likën, prof. Dimitër Avramovit, “dy ishin ‘ekzekutorët’ e flakjes në rrugë të veprave të Likës: zyrtari dhe kolegu i penelit” (Dimitër Avramov. Lika Janko. Sofje, 2002). Përgjigjja e letrës që i drejtoi Lidhjes së Artistëve për të mbrojtur krijimarinë e saj ishte e drunjtë: “Krijimtaria juaj nuk i përgjigjet frymës dhe kërkesave të artit bashkëkohor realist”. Dyert e sallave të ekspozitave për Likën u mbyllën. Për vite të tëra emri i saj ishte tabu. Vetëm në vitin1981 Lika mundi të çelë ekspozitën e saj të dytë. Ishte vetë ministrja e kulturës Ludmilla Zhivkova, vajza e kryetarit të shtetit bullgar të asaj kohe, e cila e ftoi të ekspozojë punimet e saj. Ekspozita u hap në vjeshtën e atij viti në Sofje dhe pati shumë sukses.
E braktisur për 14 vjet nga kolegët e saj të penelit dhe e lënë në varfëri e pa mjete jetese, Lika Janko Grabova nuk u dorëzua, vendosi t’i qëndrojë besnike “aventurës” së saj deri në fund. Ja çfarë i rrëfen ajo D. Avramovit: “Thashë me vete: meqë nuk nuk më pëlqejnë, unë do të bëj vetëm atë që më pëlqen mua. Derisa s’do të merrem me ekspozime të punimeve të mia në publik, atëherë mund t’i lejoj vetes çdo liri për të eksperimentuar, dhe kështu do të shprehem edhe më fuqishëm, edhe pa asnjë kufizim” (Po aty, f.27). E mbyllur në një dhomë të apartamentit të saj, të sajuar si studio, ajo vazhdoi me këmbëngulje e fanatizëm të kërkojë rrugën e saj në art.
Grabova- Gramsh