In Memoriam / Duro Kopo, dëshnicari fisnik, model i ndershmërisë, urtësisë dhe korrektesës

In Memoriam / Duro Kopo, dëshnicari fisnik, model i ndershmërisë, urtësisë dhe korrektesës

Një homazh përkujtimor për të, i larguar nga kjo jetë barabarisht, si sot 25 vite më pare

 

Gëzim Voda

Mes shumë burrave dëshnicarë që kanë lënë gjurmë në jëtën politike, shoqërore, administrative dhe njerëzore në trevën e Përmetit në vitet e mbas Çlirimit, pa më të voglën mëdyshje, ai që shquan për cilësitë më të natyrshme njerëzore, është Duro Kopua nga fshati Podgoran i krahinës së Dëshnicës.

 

Një njeri i bërë për mirësi, për të folur shtruar e që e tereziste fjalën që thoshte pa pompozitet, pa imponim, pa lajka, pa i rënë rrotull thelbit të çështjes. Dashuria dhe rrespekt për tjetrin, atë e bënte mëse popullor e të pranueshëm nga cilido, edhe kur ai u bë dikushi në rreth. Njeri që nuk e lakmonte karierën, nuk “zvarritej’ për të kapur një ofiq, por i mëshonte punës sido që t’i vinte pa hedhur “shkelma”.

 

I lindur më 29 shtator të vitit 1929, në mesin e viteve ’50-të kreu një shkollim një vjeçar për drejtim të ekonomive bujqësore dhe në vitet 1961-1965, Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës për agronomi. Mbas kësaj kohe, shumicën e 7-8 viteve më pas do të ishte Kryetar i Kooperativës Bujqësore të Sukës dhe më pas (1975-1979), kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Përmetit. E mbylli “nënpunësinë” plot respekt e dinjitet në vitin 1990, duke qënë mbi 10 vjet kryetër i Organizatës së Frontit Demokratik të atij rrethi.

 

Veçse, mund të jetë rast i rrallë, që, kur disa muaj e zgjodhën sekretar të Komitetit të Partisë të Përmetit, i dërguan telegram të linte detyrën e kryetarit të kooperativës e të paraqitej në detyrëne re. Shkaku qe se, nuk e shihte se të përshtatshëm për tipin e tij atë funksion.

 

Nëse ndër ne dëshnicarët përdoret shpesh e folura përkëddhelës “o lako” (o vëllaçko), nuk njihet tjetër njeri ta ketë përdorur apo ta ketë bërë pjesë të qënies së tij sikurse ai njeri, që edhe po të mos jetë  “shpikësi” i asaj fjale, ajo lezetosej me mënyrën si e përdorte Durua.

 

Është dëshnicari i parë që u bë deputet dhe i vetmi dëshnicar që e ka mbajtur këtë detyrë në 4 mandate të plota, nga viti 1974 deri në mars të vitit 1991.

 

Për vlerat si njeri, ai plotësonte në kuptimin më të mirë të fjalës qënien “Përfaqësues i Popullit” dhe sot e kësaj dite ai merret si modeli i të qënit Deputet. Pati fatin e madh që në kohën kur qe kryetar Komiteti, u bë pjesë e Delegacionit Shtetëror për prurjen nga Stambolli në Atdhe, të eshtarve të rilindasit të madh Abdyl Frashëri.

 

Ndërroi jetë si sot më 30 qershor të vitit 1997, i masakruar nga persona të papërgjegjshëm të atij viti të mbrapsht ku dhuna dhe krimi u bënë dominues, ashtu sikurse ishte qeverisja e asaj kohe.

 

Duro Kopua, iku nga kjo jetë në mënyrën më të pamerituar, por mbetet ndër burrat dhe kuadrot drejtuese të Përmetit nga më të nderuarit në opinion.

 

Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë më 1912, Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës, me propozim te Shoqatës “Dëëhnica” i dha titullin “Qytetar Nderi i Qarkut”. Më parë është shpallur edhe “Nderi i Komunës së Sukës”.

 

Duro Kopua, edhe pse sot mbush një çerek shekulli i larguar nga familjarët dhe bashkëfshatarët e vet, si dhe nga miqtë e shokët e tij, kujtohet për mirësinë dhe butësinë si njeri, për ndershmërinë dhe korrektesën si kuadër drejtues, për modestinë e tij të skajshme. Puna, virtytet dhe sjelljet e tij i kanë bërë dhe i bëjnë nder krahinës sonë dhe mbarë trevës së Përmetit.