Jovan Jano/Muhaxhirët e Myzeqesë
Jovan Jano
Si rezultat i kryengritjeve shqiptare në Kosovë kundër serbëve janë ndërmarrë ekspedita ndëshkimore nga ana e serbëve kundër shqiptareve deri në spastrim etnik, madje deri në atrocitete monstruoze ndaj popullsisë civile. Këto kanë ngjarë në fillimet e viteve të Luftës së Parë Botërore, kur luftonte Bajram Curri dhe Isa Boletini dhe në vitet 1922 – 1923 kur në Drenicë luftonte për t’u kthyer në mit Azem Galica me Shotën.
Një grupim tjetër erdhën bashkë me Ahmet Zogun si mercenarë për të përmbysur qeverinë demokratike të Fan Nolit. Muhaxhirët e gjorë lanë pas gjithçka që patën, tokat ua rrëmbyen dhe shtëpitë ua dogjën, kafshët ua grabitën dhe burrat ua therën… Ata ua dogjën librat, ua shkatërruan kulturën, ua ndaluan shkollat në gjuhën amtare. Ata bën gjithçka për të zhdukur edhe kujtesën kombëtare, por lulja mbiu edhe nëpër shkëmbinj. “Gjeografia na ka bërë fqinjë, historia na ka bërë armiq”, ka thënë Presidenti amerikan, Xhon Kenedi, thënie që vlen edhe për ne, shqiptarët.
Që nga viti 1918 deri më 1941 u dëbuan me forcë 25 mijë kosovarë myslimanë nga vatrat e tyre. Shumica e tyre emigroi në Turqi kurse një pjesë u vendos në Shqipëri, veçanërisht në tokat e 24 fshatrave të Myzeqesë Perëndimore: Ura e Gurit (NB Çlirimi), Lejlek, Portëz, Ndërmenas, Murtaja, Baltëza, Lalaj, Zhavar, Pojan, Havalejas, Mujalli, Hamil, Plyk, Bakërzë, Sheqi i Madh, Bufas – Sulaj, Çipllakë, Kisha e Libofshës, Rreth Libofshë, Babunjë, Divjakë, Xhebba. Pra u vendosën 439 familje me 884 frymë. Ne Xhebba u instaluan 21 familje me 134 frymë.
Muhaxhirët, siç i quante komuniteti vendas, kryesisht u vendosën në Myzeqenë e Madhe dhe në Myzeqenë e Vogël (Fusha e Kavajës). Ata u vendosën në fshatrat Qerret dhe Karpen. Po t’i hedhësh një sy të vëmendshëm këtyre fiseve, pothuajse janë të njëjtë, por të shpërndarë në fshatra të ndryshme. Psh, në Qerret u ngulën familjet Shala, Krasniqi, Gashi, Berisha, Hoti Shquti. Me kalimin e viteve këto familje u integruan me vendasit duke u arsimuar dhe duke dhënë kontribute të vyera në përparimin e vendit.
Do të veçoj nga këto familje veçanërisht atë të Halim Mehmetit (Shquti) me origjinë nga Mitrovica, i cili për shumë vite ka ushtruar në qytetin e Kavajës misionin e Hoxhës , i mbiquajtur hoxhë Kripa. Ky hoxhë ka pas gëzuar një respekt të veçantë në këtë qytet. Përveç kësaj ai kishte një familje të madhe, të arsimuar dhe me detyra të rëndësishme ne Kavajë. Por më e rëndësishmja në këtë familje klerikale dhe shumë e vyer për atë kohë ishte martesa e djalit të Hoxhës me mbesën e Papa Jorgji Dakës po nga Kavaja.
Ky gjest theu tabú. Nuk duhet harruar ndihma materiale dhe morale ndaj këtyre muhaxhirëve nga ana vendasve nga Kryqi i Kuq, nga qeveria e asaj kohe, nga Austro-hungaria, por edhe nga një lorde angleze, e cila vuri në dispozicion të muhaxhirëve një pjesë të pasurisë së saj. Ajo ngriti një shkollë në Qerret dhe i vuri emrin e djalit të saj të vetëm, Herbert, i cili kish kontribuuar si misionar dhe mik i Shqipërisë dhe që kishte vdekur nga një sëmundje e pashërueshme.
Të njëjtin veprim bëri edhe misionarja tjetër, Xhebba, në Vanaj të Libofshës, ku për nder të saj hapësira e një toke ku u instaluan muhaxhirët mori emrin e saj. Vetëm në zonën e Lushnjës dhe Libofshës u instaluan 91 familje me 359 frymë. Në Rreth-Libofshë dhe në fshatin Çipllakë u instaluan 18 familje me 57 frymë, kryesisht nga krahina serbo – boshnjake e Sanxhakut, të dëbuar nga sllavët vetëm e vetëm se ishin myslimanë, si familjet Dulla, Shkreli, Kerleci, Bosnja (Të dhëna të tilla gjenden në Vjetarin Statistikor të Teki Selenicës) Po ashtu një studim interesant ka bërë Pandeli Komini me librin “Myzeqeja Perëndimore”.
Edhe në Babunjë të Lushnjes u vendosën familjet Krasniqi, Gashi, Presheva, Konja dhe më vonë Sakajeva. Në Gogolas, familjet Shala, Perlezi etj. Po ashtu familje me këtë mbiemër gjenden në Sejmenas dhe Çukas të Lushnjes. Në Vanaj, pothuajse shumë afër, u krijua një fshat me emrin e misionares angleze Xhebba (Xhepaj), ku u vendosën familjet Tërnova, Sinani, Gërguri, Lushaku, Kelmendi, Mersala, Borovci etj. Xhebba ishte një sozi bamirësie si Elizabet Karnovon.
Është për t’u vënë në dukje familja e Tërnovëve në Vanaj të Libofshës. Edhe këtu kemi të bëjmë me një hoxhë, siç ishte Sefë Tërnova, burrë i zgjuar dhe autoritar. Të tillë kishte edhe vëllezërit; të tillë u bënë edhe fëmijët e tyre, të arsimuar e të sjellshëm. Për mua mbetet i paharruar në kujtesën time nga fëmijëria plaku kosovar Bajram Sinani, një mik i mrekullueshëm i familjes tonë. Ai ishte punëtor i palodhur, i urtë dhe vishte gjithmonë kostumin popullor të vendit të origjinës. Po kështu të respektuara kanë qenë edhe familjet e Ahmet Kelmendit, Myslym Borovcit etj.
Në vitet e para të ardhjes së muhaxhirëve kishte vështirësi të mëdha. Ata nuk aklimatizoheshin dot. Uji dhe temperaturat ishin të papërshtatshme për ta. Ata lanë gjithçka prapa dhe mbetën nën jorganin e qiellit dhe për dyshekë kishin tokën, pothuajse të veshur me zhele dhe këmbëzbathur. Atëhere ishin kohë kur Myzeqeja vuante nga sëmundjet e malaries dhe tuberkulozit. Në vitin 1931 në Stanin e Bobos, në Thanë të Fiersheganit, kanë vdekur nëntë persona brenda një jave nga malarja dhe tuberkulozi.
Përveç kosovarëve, në Myzeqenë e Madhe erdhën muhaxhirë edhe nga trevat shqiptare të Maqedonisë dhe Greqisë e sidomos nga zona e Strugës, Dibrës, Kosturit dhe rrethinave të tyre, pranë kufirit me Shqipërinë. Edhe në këtë rast shumë prej tyre morën shtetësinë turke ndërsa një pjesë erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në toka të mira bujqësore, si në Qerret të Lushnjes, Savër, pranë qytetit. Madje krijuan edhe një fshat me emrin e tyre të origjinës, Kosturli, që ndodhet nën juridiksionin e Komunës Gorre. Familje të tilla si Koçillari, Pollozhani, Agolli, Beqiri,Manoku, Hajredini, Topalli, Gafka, Liçi, Zhuri, Pajolli, Maledhi, Lala, Hasani, Terelli, Merrolli, Barolli etj. Edhe këto familje janë shquar për edukatë pune, për aftësi organizative dhe dëshirën për t’u arsimuar.
Veçoj me respekt njerez të tillë të nderuar si Samit Koçillarin. kolonel Sulo Manokun e Zabit Pollozhani (Kurti), Demir Liçin, Enver Liçin dhe gjithë familjet e tyre të të madha e të mrekullueshme. Në gazetën “Bashkimi” të vitit 1946 shkruhet se në Myzeqe dallohet si bujk modern i palodhuri Rakip Pajolli ose Beqir Zhuri me djemtë; në Qerret të Lushnjes, po ashtu familjet Xhima, Mullaj, Merelli, Bekuli etj.
Të gjithë këto familje kanë gëzuar të drejta të barabarta si të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Ata u integruan menjëherë me shoqërinë shqiptare dhe kudo përçojnë aftësitë e tyre në të gjitha skajet e vendit.
Shtypi i kohës mbi valën e refugjatëve shqiptarë
Revista “Diturija” e Lumo Skëndos (Mitat Frashërit), në dhjetor të vitit 1927, duke iu referuar shënimeve të anglezit Hubert D. Watson, ndër të tjera shkruan: “Këndonjësit e “Diturisë” e dinë se në Shqipëri kemi çështjen e refugjatëve, një problem aq të rëndë sa edhe të zjarrtë, të të mjerëve të ardhur nga Kosova, nga Çamëria, pastaj edhe nga Turqia, prej atyre që kishin ikur më 1914, përpara shkretimeve dhe djegieve të grekëve. Një shumicë prej këtyre të ardhurve janë vendosur në tokat disponible rreth Krujës, Durrësit dhe në Myzeqe …
Vendosja e këtyre të gjorëve-vëllezërve tanë të eksponuarë në rrezik të vdekjes, – përpiqen në vështirësi ekonomike; për tokë, për shtëpi, si edhe për një kapital, gjer sa të vijnë të korrurit e parë, problem i rëndë, që komplikohet dhe më tepër akoma kur instalimi bëhet në një vend malarik. Ethja i korr refugjatët e mësuarë në një klimë të shëndoshë me një rreptësi të tmershme. Duke parë nevojat e një popullsie që vuan, lëngon dhe lufton me vdekjen, shoqërija mirëbërëse engleze “Save the Children Fund”, që kujdesetë për të shpëtuar foshnjat, djemtë e mbetur jetimë, mori përsipër të goditnjë (ndërtojë) dy katunde, një në Libofshë (Xhebaj), dhe i dyti në Radan (Leskovik), që të dy nga 20 shtëpi”.
Revista “Diturija vijon më tej rrëfimin e saj për anglezët e shquar, zotin William Sams dhe Watson me zonjën të shoqërisë mirëbërëse engleze “Save the Children Fund”, të cilët janë përpjekur për të instaluar në Shqipëri 1060 fëmijë, të përndarë në 30 katunde, me shtëpi të goditura vetë prej të ardhurve dhe të bëra enkas për ta. Rreth këtyre katundeve janë çelur ara (toka bujqësore) dhe kopshte, kështu që tokës i është dhënë një vleftë e re.
Një prej këtyre katundeve mban emrin Herbert (në Kavajë) për kujtim të të ndjerit, mikut tënë Aubrey Herbert, dhe si shenjë mirënjohjeje për ndihmat që bëri Kontesha Carnarvon, mëma e të ndjerit. Me këtë rast do të shtojmë se, për këtë çështje me kaq importencë të madhe për neve, për instalimin e refugjatëve – vëllezërve tanë që vijnë të forcojnë Shqipërinë tënë me numrin dhe punimin e tyre, – është mirë që të interesohet dhe vetë populli, duke qenë i bindur se çdo ndihmë dhe lehtësi që u bëhet të ardhurve së jashtmi, është dhe për forcimin e vëndit tënë”.
Gjithçka që mësuam ishte tronditëse, thotë revista në fjalë, ishte koha kur shqiptarët po i përzinin nga trojet e tyre dhe ata po gjendeshin mes katër udhëve: burra, gra, fëmijë e foshnja, pleq e të sëmurë.
Një fotografi e rrallë
I jam mirënjohës vëllait tim të kujdesshëm dhe pasionant pas historisë, Mihal Jano, i cili jeton në Amerikë, që, kur mori vesh se po shkruaja diçka për muhaxhirët e Myzeqesë, më dërgoi këtë foto të rrallë të bërë ndoshta nga humanistët anglezë gati 100 vjet më parë. Siç shihet në foto janë disa fëmijë kosovarë.
Nuk ka nevojë për koment, pasi fotoja flet vet, flasin fytyrat e tyre të vrara nga vuajtjet dhe uria, flasin rrobat e tyre zhele dhe këmbët e zbathura, flasin sytë e tyre të përhumbur dhe pa shpresë.
Por ajo që më emocionon më shumë në këtë rast, është fakti që shumë nga ata që janë në fotografi brezi im që ka jetuar në Myzeqe i ka njohur dhe i ka parë se si ata u përshtatën pak nga pak dhe u integruan në jetën shoqërore.
Ata sot nuk rrojnë më (U ndritët shpirti atje ku janë!), rrojnë fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre, të cilët tani nuk e quajnë veten muhaxhirë, por myzeqarë.