Trëndafila Përmeti në oborret e Suharekës
Më parë do të tregoj për ato ditë tmerri të vitit 1999, kur, si gjithë të tjerët, edhe familja jonë, të përzënë me dhunë nga regjimi serb, mori rrugën për në Shqipëri. Ne ishim të fundit që dilnim nga Kosova. Qytetet dhe fshatrat e gjithë Shqipërisë, sidomos ato të Shqipërisë veriore dhe të mesme ishin mbushur me kosovarë, të cilëve populli shqiptar u kish hapur dyert dhe zemrën.
Është e papërshkrueshme ajo kohë kur vëllai ngushëllonte vëllain për t’i zbutur dhimbjen e atij dëbimi mitik. Dhe ne, siç e thashë, me që ishim të fundit, autoritetet shqiptare që merreshin me këtë punë kishin menduar të na çonin në jug të vendit, ku kishte më tepër lirshmëri dhe mundësi strehimi. Na thanë për në Përmet. Me thënë të drejtën, nuk na erdhi mirë dhe një pjesë nga ne po hezitonte, pasi na kishin mbetur edhe një pjesë e njerëzve tanë në Kosovë, pastaj na dukej shumë larg dhe mendonim edhe për një kthim të mundshëm të shpejtë. Megjithatë, atje ku donim ne, situata ishte me të vërtetë e rëndë dhe e tejmbushur.
Në atë mëngjes të freskët, ku rigonte një rigë e hollë shiu, ne ishim në qendër të Kukësit, ende të pavendosur, kur na u afrua një njeri, i cili iu drejtua babës tim, Zeqirit: “O bac, për ku udhëtoni”? Baba i tha për në Tiranë. “Ejani në autobus se do t’u çoj unë”, tha shoferi që quhej Safet Vaka. Ishte hera e parë që udhëtonim drejt Tiranës. Pas 20 minutash thuaj se të gjithë flinin, pasi ishin shumë të lodhur.
Kur mbërritëm në Tiranë, bëmë një përpjekje mos ndalonim aty, për arsyet që kishim, por nuk na lejoi policia të hyjmë në Tiranë, sepse Tirana ishte plot dhe s’kishte më vend. Atëhere Safeti mu drejtua mua: “Si thua ti, mësues, do të shkojmë në Përmet? Atje na pret populli, do të rregulloheni mirë, dëgjomëni mua”.
Dhe Xha Safeti na shikonte në dritë të syrit. I kërkova hartën e Shqipërisë të shihja ku gjendej Përmeti. Larg mu duk, megjithatë baba vendosi. Vazhduam rrugën, në Durrës xha Safeti ndaloi, hyri në një shitore dhe bleu 10 bukë dhe dy kg gjalpë me lekët e veta. Hëngrëm bukë të gjithë dhe vazhduam rrugën, që na u duk tepër e gjatë dhe e vështirë.
Diku, nuk e di se ku, pasi s’e njihja vendin, dikush e porositi Safetin të na kishte kujdes sa të na çonte në vend, se populli po na priste. Mësuam se ky ishte Genc Pollo, një nga liderët e atëhershëm të Partisë Demokratike, me origjinë përmetar.
Në Përmet kemi mbërritur aty nga ora 2 pas mesit të natës. U çuditëm kur gjithë atë qytet, me burra, gra dhe fëmijë, me mjekë, pushtetarë, policë i gjetëm aty në qendër të qytetit duke na pritur. Na sistemuan fillimisht në konvikt. Pas dy ditësh Safeti erdhi e na pyeti si ndiheshim. Ne tani, me gjithë stresin dhe merakun që kishim për njerëzit tanë, për vatrat që kishim lënë, e kishim marrë disi veten dhe po shijonim bukuritë e qytetit të luleve e të trëndafilave, vendlindjen e Frashërllinjve të mëdhenj e të shumë figurave të ndritura të kulturës shqiptare. Njerëzit e kulturuar e të dashur na i hoqën si me dorë dhimbjen. Nuk harrohet ajo mikpritje, që do ta quaja proverbiale dhe që hodhi rrënjë të thella më pas.
Prindërit e mi, Zeqiri me Zylfien shkojnë atje për vit. Shkojnë te Safeti, shoferi që na mori që nga Kukësi, që ka një grua të mrekullueshme, Ganimeten, mësuese, por edhe te familjet e tjera të Shaqir Hoxhës, Xhemil Maksutit, Pandeli Dukës, Kastriot Bezatit, dr. Petrit Rexhepit, Edi Theodhorit etj. etj. Këto familje na e kanë kthyer vizitën dhe kanë ardhur në Suharekë. Na kanë mrekulluar kur kanë ardhur, ky është një nder për ne nga njerëz që e dinë ç’është nderi e respekti.
Do të jepja një detaj këtu, në vitin 2000, një vit pas luftës, kur ende binte erë barot dhe shtëpitë tona ishin të shkatërruara, na vinë nga Përmeti 50 nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri”, me ta edhe deputeti Flamur Hoxha dhe ish-kryetari qarkut të Gjirokastrës, Resul Llogo. I pritëm si mundëm, 25 nxënës e mësues fjetën në shtëpinë tonë dhe 25 të tjerë te xhaxhai ynë. Tani ne me nxënësit shkojmë çdo vit në Frashër në aktivitetet që zhvillohen aty.
Në shenjë miqësie ne në oborr të shtëpisë, këtu, në Suharekë, kemi mbjellë trëndafila lloj-lloj ngjyrash që i kemi marrë në Përmet. Çmallemi sa dalim te pragu me ta, se na kujton atë vend e ata njerëz tepër të veçantë.
Sadik Shala, Suharekë