Përmeti mbetet Përmet: i veçantë, i kulturuar, i pastër, i bukur, i shëndetshëm, i dinjitetshëm!

Përmeti mbetet Përmet: i veçantë, i kulturuar, i pastër, i bukur, i shëndetshëm, i dinjitetshëm!

Reportazh

Zylyftar Hoxha

Përmeti*), një nga qytet më miqësorë, më të dashur dhe  simpatikë të Shqipërisë, djep i kulturës shqiptare sa të lashtë aq edhe të re, por edhe një qytet tradicionalisht civil në kuptimin më të plotë semantik dhe etimologjik të kësaj fjale, duke anashkaluar arkitekturën uniforme të stilit socialist, që është pak a shumë e njëjtë si në tërë qytetet e zonave rurale, në të tjerat “ha bukë veç”, është qyteti më galant dhe më përfaqësues i kulturës dhe i psikologjisë së Shqipërisë së Shqipërisë së Jugut.

 

Dhe jo vetëm sot, por kështu ka qenë në kohë të kohëve, edhe atëhete kur Miss Durham shkruante:

“Përmeti me qiparisat e lartë, dushqet e purpurt dhe gjelbërimin e pranverës, mu duk si një nga vendet më të bukura të botës” … dhe më tej shton  se amvisat përmetare për nga pastëria ua kalonin shumë herë skocezeve të saj;

 

kur Noli në proverbialet e tij tipike që qarkullonin në popull, thoshte “Do të hash e të bësh qejf/ sofrën shtruar si për mbret/ pastërtore e për hyqmet/ të tillë gjen veç në Përmet”.

 

Apo dëshmia e një të huaji, përfaqësues i UNRA-s në vitin 1945, kur në Përmetin e bërë shkrumb nga lufta, pasi hëngri drekë në një restorant gjysmë të rrënuar dhe me mure të nxirë nga zjarri, nga mënyra se si i shërbeu i zoti i lokalit, nga dreka e gatuar mjeshtërisht, me erëza, ëmbëlsira dhe fruta, që ai si kish parë as në ëndërr, doli i habitur dhe s’gjente fjalë të përshëndeste. “E, po, i tha i zoti i lokalit, mua mu dogj lokali, jo tradita”, shprehje që i huaji e shkroi në bllok dhe e vuri si titull të një libri me shënime udhëtimi që botoi më vonë.

 

Simbiozë e harmonishme sociale

 

Nga pikëpamja etnokulturore, Përmeti ndahet në gjashtë krahina: Rrëza, me qendër Përmetin; Dangëllia, me qendër Frashrin; Shqeria, me qendër Kovaçishtin; Dëshnica, me qendër Këlcyrën; Cerja, me qendër Hotovën dhe Malëshova.

 

Një pjesë e këtyre krahinave është me popullsi krishtere, një pjesë me popullsi myslimane dhe pjesa tjetër me popullsi të përzier, myslimane dhe të krishtere, por që kjo përkatësi fetare nuk ka përbërë kurrë një problem, përkundrazi, ka qenë një simbiozë e admirueshme sociale, ekonomike dhe etnokulturore.

 

Kënga, një nga format e elegancës përmetare

 

Një nga vlerat e paçmuara që ka Përmeti është edhe kënga, me një elegancë të shkëlqyer, të paarritshme dhe të dashur për të gjitha trevat shqiptare. Tani në Përmet bëhet një jetë e vakët artistike, kënga përmetare më shumë dëgjohet në radio, televizione dhe në dasma se sa në skena.  Se si të duket kur e shikon Përmetin ashtu, pa gërnetën e Laverit, pa zërin e Vitorisë, të Vaskë Currit e dhjetëra zemrave këngëtare përmetare. Mungojnë virtuozët në Përmet, po burimi është atje. Dhe njeriun burimi e mbledh, atje do të venë përsëri një ditë kur t’i marrë etja. Dhe e vërteta është se kanë ardhur virtuozët e rinj, që, në mungesë të veprimtarive, ndezin dasmat.

 

Rakia dhe vera, të famshme si dhe kënga

 

Përmeti njihet për verën dhe rakinë, një fakt i prekshëm e i dukshëm janë vreshtat rreth tij, por edhe avllitë me lloj-lloj rrushësh aromë mirë. Çdo shtëpi në fshat, por edhe në qytet, ka kazanët e vetë të rakisë dhe butet e verës.  Në tregun e kryeqytetit pijet dhe likotë e Përmetit tërhiqen shumë, ndërsa në hotelet dhe restorantet bregdetare, e para që të ofrojnë nga pijet e vendit, është vera dhe rakia e Përmetit, që, edhe pse po s’qenë të  tilla, t’i ofrojnë si të Përmetit.

 

24 Maji në ujërat e turbullta të politikës

 

Si gjithmonë partizani simbol në mes të qytetit, vepër e skulptorit të shquar Odise Paskalit, rrethuar sot nga kurora lulesh, por edhe nga indiferenca, për përmetarët sido të bindjeve dhe ngjyrave të ndryshme, ngjall nostalgji. Ata në një farë mënyre i janë mirënjohëse asaj historie që gati për 70 vjet me radhë i dha emër qytetit të tyre të vogël, madje në një rast e bëri një ditë të vetme simbolikisht edhe kryeqytet të Shqipërisë.

 

Të gjithë e mbajnë mend që në kordonin që lidhte kallinjtë e grurit në stemën e Republikës, vulat zyrtare, në kartëmonedhat dhe monedhat metalike ishte dhe një datë, 24 Maj 1944, që ishte lidhur me Kongresin e Përmetit, datë që është fshirë  pak dhunshëm nga historia, por që përsëri tingëllon disi si muzikë në veshët e përmetarëve.  Festimi i përvitshëm, edhe pse  ashtu ashtu i vakët i Kongresit të Përmetit, ngjall jo pak polemika në politikën shqiptare.

 

Por, se ç’ishte Kongresi Përmetit  dhe ç‘farë i solli ai popullit shqiptar, i dinë të gjithë, ashtu siç dinë edhe gabimet historike që janë bërë edhe në këtë rast. Politikanë le të shikojnë mirë punët e tyre dhe t’ua lënë specialistëve që kanë për detyrë të kullojnë ujërat e historisë.

 

Në ballë të kulturës shqiptare

 

Përmetarët shquhen si arsimdashës dhe kanë nxjerrë mjaft intelektualë të njohur në vend në të gjitha fushat, Frashërllinjtë një herë, që dihet; të mëdhenjtë, finë dhe elegantë të kulturës dhe e artit shqiptar, Odise Paskalin, Tefta Tashko Koçon, Sejfulla Malëshovën, Nonda Bulkën, Mentor Xhemalin, Laver Bariun,  Androkli Kostallarin, Janaq Paçon, Kristo Frashërin,  Alfred Frashërin, Stefanaq Pollon, Serafin Fankon e shumë e shumë të tjerë.

 

E, si përfunnim: Përmeti mbetet Përmet!…

 

Përmeti nuk turbullon ujëra kurrë, Përmetit ia turbullojnë ujërat të tjerët. Gjithmonë kështu ka ndodhur, që në ’97-ën, kur në Përmet pa asnjë arsye dhe pa asnjë motiv u vranë njerëz të pafajshëm nga forcat të errëta qeveritare të kohës;

 

kështu ka ndodhur me varrezat greke duke bërë pazare kockash në Kosinë;

 

kështu ka ndodhur me shtëpinë e kulturës “Naim Frashëri” në qendër të qytetit që u kthye dhunshëm në kishë;

 

kështu ka ndodhur edhe tani me me braktisjen e Frashërit, për ta shuajtur atë dhe historinë e tij

 

Megjithatë, megjithatë…Përmeti mbetet Përmet: i veçantë, i kulturuar, i pastër, i bukur, i shëndetshëm, i dinjitetshëm!

 

 

*)Ky reportazh është shkëputur nga libri “Udhëtimet e mia nëpër Shqipëri”