Hilmi Hysi / Disa herë mik me Enver Hoxhën, por kjo nuk e shpëtoi nga plumbi!…

Hilmi Hysi / Disa herë mik me Enver Hoxhën, por kjo nuk e shpëtoi nga plumbi!…

Njeriu që nuk e kuptoi kurrë se kujt ia pati borxh jetën e tij të re dhe të pafajshme

 

Gjergji Qafoku

 

Ndër shumë e shumë figura të lëna në harresë, të mbuluara nga pluhuri dhe mjegullnaja e viteve, madje edhe pa një varr, është edhe ajo e intelektualit të shquar, juristit të diplomuar në Francë, njeriut të urtë, të kujdesshëm dhe të kulturuar, Hilmi Hysit, me origjinë nga Vërzhezha e Skraparit, por larguar prej andej që nga viti 1926 në Mbrostar-Ura në Fier.

 

Historia e Hilmiut, ashtu edhe  si dhe shumë shokëve të tij të asaj kohe, është e dhimbshme dhe tragjike sa të dridhet lapsi në dorë kur e shkruan. Nuk e shijoi dot jetën deri në fund. Megjithëse kishte studiuar për drejtësi në një nga qytetet më të kulturuar të botës, Parisin e filozofëve, shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj, nuk e kuptoi kurrë se kujt ia pati borxh jetën e tij të re dhe të pafajshme dhe të përfundonte në atë mënyrë aq makabre dhe të shëmtuar.

 

***

 

Hilmiu, i biri i Qazimit dhe Begzos lindi në vitin 1913, në Vërzhezhë të Skraparit, në një familje me tradita patriotike të njohur në Skrapar dhe në zonat rreth tij. Hilmiu kishte edhe tre vëllezër të tjerë: Hazizin, Abdullanë, Avniun dhe tri motra: Ferruzen, Këzen dhe Dekon. Në vitin 1926, për kushte më të mira ekonomike, migrojnë familjarisht nga Vërzhezha në Mbrostar-Ura, nënprefektura Fier, ku blejnë truallin, një sasi toke dhe ndërtuan shtëpitë.

 

Mësimet e para Hilmiu i kreu në shkollën e Vërzhezhës dhe më pas, shkollën plotore në Fier. Kreu me rezultate të shkëlqyera, medalje të artë, Liceun e Korçës. Në Liceun e Korçës, krahas gjuhës franceze, mësoi dhe anglisht dhe më pas filozofi. Në vitin 1932, në kuadrin e 20-vjetorit të formimit të Shtetit të Parë Shqiptar, fiton Konkursin Kombëtar në Letërsi me novelën “Shqiptarja përpara rrezikut”.

 

Duke parë rezultatet e larta, fiton një bursë nga qeveria e Zogut për Drejtësi në Francë, ku përfundoi studimet e larta shkëlqyeshëm si në Bachelior dhe Master (diplomat e tij ndodhen në katin e II të Muzeut Kombëtar, Pavijoni i të Përndjekurve Politikë). Kërkesën e kishte bërë për letërsi. Kishte talent. Ministri i Arsimit i asaj kohe, Marash Ivanaj e thërret në zyrë, ku i komunikon bursën për Drejtësi, gjithashtu i thotë  se për letërsi do shkonte një nxënës i tij, që e kishte pasur në Gjimnazin e Shkodrës, Abaz Ermenji. Ndofta ky ndërrim solli atë fat tragjik të mëvonshëm për të.

 

Studimet në Francë i kishte nisur më 1 qershor 1935. Aty i qëlloi të ishte në një dhomë me Abazin si dhe në të njëjtin qytet me Enver Hoxhën, të cilin, siç thoshte më pas, ai e qortonte shpesh herë për mungesë korrektësie gjatë studimeve.

 

Sipas Protokollit Nr. 21, dt. 6 prill 1939, Hilmi Hysi përfundon studimet për Drejtësi i jepet: “Diplomë de Baçelier en Droit, Hilmi Hysi Skrapar-Albania”. Firmosur nga Ministër de Edukation Francë.

 

Pasi mbaron shkollën dhe kthehet në atdhe, fillon punë si atashe pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me pushtimin nga Italia, shkurtohet vendi i punës dhe del i pa punë. Në vitin 1941 deri në vitin 1943 punon si gjyqtar pajtues.

 

Në këtë kohë martohet me Myneveren, vajzën e Maliq Vlushës, patriotit skraparlli, zëvendësministër i Bujqësisë dhe sekretar  i Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare në qeveritë e viteve 1930 – 1939. Fryt i martesës së tyre ishin dy vajza: Lidja (Lili), që mbaroi studimet  për gjinekologji dhe Lauraminerva (Beçi), e cila  mbaroi për matematikë.

 

Hilmi Hysi ishte njohur me Enver Hoxhën qysh në Francë, më pas në Liceun e Korçës dhe më së fundi në Tiranë në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kur Enver Hoxha ishte në ilegalitet. Një koincidencë tjetër e forcoi më tej lidhjen: Myneverja, e shoqja e Imiut pas njihej me Nexhmijen qysh kur studionin të dyja te Instituti “Nëna Mbretëreshë.

 

Por çuditë dhe rastësitë midis dy miqve nuk mbarojnë: Hilmiu ngjasonte si dy pika uji me Enverin, veç se Hilmiu mbante mustaqe, Enveri jo. Këtë fakt e vërteton vetë Enveri, i cili në librin “Kur lindi Paria” në ribotimin e dytë (në të parin nuk e ka pasur këtë episod) shkruan:

“Kur fashistët më kërkonin jashtë Tiranës, unë me Delikaten kapardiseshim në mes Tiranës, pa na i bërë syri tërr! Dhe do thoni ju, si është e mundur? E keni parë një fotografi timen me syze e mustaqe që ma ka bërë Qemal Stafa? E, pra ajo është “sozi” e atij që mua dhe Delikates na dha letërnjoftimet: të tijën dhe të shoqes. Në saje këtyre letërnjoftimeve nuk patëm probleme. Po ja që emri nuk më kujtohet, kurse mbiemri më kujtohet qe Hysi”.

 

Enveri mbajti për shumë kohë letërnjoftimin e Hilmiut, madje edhe është strehuar te vila e tij, afër Selvisë.

 

 

Me dekretin Nr. 69, dt. 19 maj 1945 emërohet kryetar i  Gjykatës Gjirokastër. Nuk e lanë të punonte më shumë se dy vjet, pasi e kishin arrestuar qysh më parë, dhe letrat do bëheshin më vonë, për të qenë në rregull. Kështu me “Dekretin Nr. 261 dt. 4 janar 1947, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, pëlqen vendimin e Prokurorit të Republikës, për pushimin nga detyra dhe arrestimin e Hilmi Hysit, “me shërbim në Gjinokastër”.

 

Gjyqi filloj më 31 dhjetor 1947, një ditë para Vitit të Ri dhe si seancë e parë mbaroi më 3 janar 1948. Në procesverbalin e tij thuhet: “Sot më 31 dhjetor 1947, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake formuar nga: Major Niko Çeta-Kryetar, kapiten I Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iliazi, dhe me ndodhjen prezent të Prokurorit Ushtarak të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, kapiten I Nevzat Haznedari u mblodh për të gjykuar 19-të pandehur….”

 

Mbas një viti në hetuesi, Hilmi Hysi dënohet më 3 janar 1948, si pjesëmarrës në  të ashtuquajturin “Grupin i dytë i deputetëve” pa qenë vetë deputet(!). Në këtë grup prej 19 personash, vetëm 6 ishin deputetë, Kostandin Boshnjaku, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi dhe Surja Selfo. Me shumicën e të akuzuarve Hilmiu nuk njihej as me fytyrë e jo më të bënin komplot.

 

E dënuan me vdekje, pa marrë parasysh pafajësinë, punën, përkushtimin dhe moshën e tij, akoma nuk i kishte mbushur  35 vjetët. Nuk morën parasysh kontributin e madh që kishte dhënë vetë dhe gjithë familja e tij. Vëllai i Hilmiut, Abdullai kishte qenë në kamp përqendrimi në Kretë dhe u angazhua më pas me lëvizjen komuniste.

 

Gjyqi i 3 janarit 1938 dënoi Hilmi Hysin, Riza Danin, Faik Shehun, Islam Radovickën, Uan Filipin, Surja Selfon, Hasan Reçin me vdekje; Kostandin Boshnjakun, Isuf Hysenbegasin, Demir Kallamatën, Hivzi Kokolarin, Mestan Ujanikun, Nexhi Bakallin me burgim të përjetshëm, Ibrahim Hasën, Arif Gjylin, Bexhet Shehun, Adem Belin me 20 vjet burg’ Halit Gj.., Kamber Backën me 15-vjet burg.

 

Në Gjyq Hilmiu pasi hodhi poshtë akuzat, duke mos pranuar asnjë prej tyre. Tortura çnjerëzore provoi Hilmiu. Futur në fuçi mbushur plotë me uji, në birucë fare të vogël, pa dritare në burgun e Gjirokastrës, ku sot dhoma e torturave të tij është kthyer në muze. Më të tmerrshme ishin torturat në burgun e Tiranës.

Mynyverja, gruaja e Hilmiut kujton: “Në rrobat që merrnim gjenim vazhdimisht njolla gjaku. Në çorape gjenim thonjtë e shkulur e në shaminë e duarve deri dhëmbët e shkulur të tij. Njëherë poshtë enës së ushqimeve kishte ngjitur një copë letër ku shkruante: “Jam i pafajshëm. Binduni”!… Aq tortura i kishin bërë saqë ishte detyruar të priste damarët e duarve: ”I preva duart për të shpëtuar shokët të mos pësonin fatin tim” – tha kur e pyetën në Klinikën e Dr. Zymës ndërsa e mjekonin”.

 

E ndërsa priste dënimin, në birucën e mbushur një metër me ujë, gjen forca, i shkruan “dritës së syrit”, vajzës së madhe vetëm 6 vjeçe, Lilit, letrën me titull: “Letër me litar në grykë bijës sime 6-vjeçare Lilit”. Letrën ja jep mikut të tij, Dr. Zyma, doktorit që po e kuronte, pasi Hilmiu kishte prerë enkas damarët e duarve, me doktorin kishte miqësi të hershme.

 

Kalvari i dënimit dhe persekutimit do vazhdojë për familjen e tij. Të shoqen bashkë me dy vajzat e mitura i internojnë në Këmishtaj, pa ditur gjë për fatin e Hilmiut. Për mungesë të kuadrove në arsim Myneverja punon si arsimtare. Retë  e zeza vinin vërdallë shkollës ku jepte mësim. Hera-herës kishte “vizitorë” të dukshëm e të padukshëm si hijet e natës. “Vizitorët” shtireshin si inspektorë arsimi, kur në të vërtet ishin punonjës të Sigurimit të Shtetit. Një ditë një “inspektor” kishte ardhur herët dhe priste mësuesen të vinte.

 

“Do ndërrosh orarin për sot! Orën e parë do të bëjmë muzikë. Nxori nga xhepi një letër të zhubrosur e nisi ta lexonte e njëkohësisht urdhëroi që gjithë klasa të këndonte këngën: Kriminelët porsi miu, / I dënon Bedri Spahiu.

 

“Inspektori” i zi në paraqitje e në shpirt filloi të zgërdhihej. Myneverja, krenare, shihte nxënësit e saj e nuk bënte zë. Nuk donte t’i jepte atij këtë kënaqësi. Mbas “korri” fitoren “Inspektori” largohet, por gjoja “pa dashje” harron gazetën “Bashkimi” mbi tavolinën e Myneveres. Afrohet Myneverja e në faqen e parë lexon: “Gjyqi popullor kundër armiqve të pushtetit popullor iu dha dënimin e merituar”. Në numrin rendor pesë sheh emrin e bashkëshortit të saj, Hilmi Hysit…

 

Veç dhimbjes për të shoqin, asaj iu desh të përballej me atë jetë skëterrë që vetë Ilmiu paralajmëronte në letrën që i dërgoi vajzës disa ditë para pushkatimit Mbas tre vjetësh internimi, pas kërkesave të njëpasnjëshme drejt autoriteteve të kohës,  kthehet përsëri në Tiranë bashkë me vajzat, pranë vilës që zotëronte si trashëgimtare nga i ati. Punoi Myneverja fillimisht në Ndërmarrjen Komunale, Tiranë, e më pas në arsim.

 

E qetë e kokulur, e dënuar nga fati, u kushtoi vëmendje maksimale vajzave të saj. Edhe pse nuk shqetësonte njeri dhe shikonte vetëm hallin e saj, kërkojnë ta heqin nga vila që zotëronte në Tiranë. Preteksti ishte se iu prishte qetësinë atyre që banonin në katin e dytë të vilës. Megjithëse dikur mik, koleg e patriot me Hilmiun, komshiu hera-herës dërgonte letra në organet kompetente ku ankohej se gruaja e “armikut” nuk e linte të punonte!…

 

Ashtu duke çapitur e heshtur arriti të shkollonte vajzat. Lidja edhe pse mbaroi në vitin 1959 të mesmen mjekësore shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa, nuk e lanë të vazhdonte të shkollën lartë, por e degdisin si ndihmës mjeke në Qukës të Librazhdit. Natyrisht, si e internuar! Laura mbaroi në vitin 1962, edhe atë e caktojnë mësuese në Qukës të Librazhdit pranë së motrës, por, nuk e lanë shumë, pasi e pushojnë pa asnjë motivacion nga puna dhe e kalojnë punëtore krahu.

 

Kjo është historia e Njërit nga Ata, që në moshën 35-vjeçare i prenë ëndrrat, e ndanë nga familja. E vranë, e lanë pa varr, edhe sot nuk ia kanë gjetur eshtrat. Megjithëse e kanë shpallur “Martir i Demokracisë” në vitin 1992, kjo është fare pak, për aq sa i ka dhënë ai dhe familja e tij këtij vendi.

 

 

Letër me litar në grykë, bijës sime 6-vjeçare Lilit!

 

Letrën ja jep mikut të tij, Dr. Zymës, mjekut me të cilin kishte miqësi të hershme. Letra, ku nuk është e vështirë të kuptosh talentin dhe pasionin e tij letrar, është titulluar, “Letër me litar në grykë, bijës sime 6-vjeçare Lilit!

 

Ja ç’shkruan ai në të:

E  dashura bija ime!

Je ti vajza më e madhe, je ti që do të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta, dhe unë te ty lë shpresën dhe amanetin e fundit.

 

Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit, që më shtyjnë të shkruaj. E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do mundoheni për kafshatën e bukës së thatë, që ju do zvarriteni rrugë më  rrugë, që ju nuk do njihni ç’është lumturia, se do u mungojnë të gjitha. Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këto, mos t’ju vijë keq dhe të vuani. Jam i bindur, se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.

 

Dije, Lidia ime e vogël, se ti je shpresa, dhe nga sjellja jote do varet lumturia e nënës dhe motrës tënde. Kam bindjen dhe sigurinë, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj për ju dhe lus  të ruhet emri im, dhe juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë kërkon nga Lidia e tij e vogël. Mos ja moho këtë të drejtë!

 

Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara. Shoh lotët e tua, Lili! Derdhi lotët! Qaje lumturin e humbur, qaji  përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde, Lili! Fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër më veten të shohësh në hidhërim. Në rastet më vështira mendo se dhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili! Kujdes në çdo hapë të jetës tënde.

 

Këto ishin porositë  e mia të fundit.

Me mall të puth. Yt atë.

Hilmi

(Tiranë ditët e para të janarit 1948)