Dr. Myslim Hotova: Si u bëra mik i kancelarit Shtraus!…
Intervistë me Dr. Myslim Hotova
Bashkëpunëtor i vjetër shkencor i Institutit të Historisë, autor i disa librave, ish-drejtor i Muzeumeve të Beratit në vitet ‘70-80 të shekullit të kaluar
Zylyftar Hoxha
Edhe tani pas 38 vjetësh, Dr. Hotova kujton me nostalgji vizitën enigmatike të kancelarit F.J. Shtraus në maj të vitit 1986 në Shqipëri në Kalanë e Beratit.
Ndryshe nga të tjerët, që e kanë komentuar këtë vizitë politikisht, Myslim Hotova jep detaje të një plani tjetër, atij miqësor dhe shoqëror, që e lidhi personalisht me këtë burrë të madh shteti.
Po çfarë pa Shtarusi përtej këtij punonjësi të thjeshtë, por të shkathët muzeumesh, që i ofroi menjëherë miqësi, i bëri dhurata dhe i nxori bursë studimi në Institutin e famshëm “Gëte”.
Si shkoi puna më tej pas premtimit të tij. Pse amaneti u realizua tre vjet pas vdekjes së Shtrausit. Peripecitë për vizë dhe vizita e shumëpritur në Gjermani.
Këto dhe të tjera dot t’i gjejmë në intervistën e mëposhtme që i morëm historianit Myslim Hotova.
Zoti Myslim, në vitin 1986, kancelari i Gjermanisë, Shtraus, bëri vizitën e dytë historike në Shqipëri, të cilën mund ta quajmë sfidë po të kemi parasysh izolimin e atëhershëm të vendit tonë, ç’dini ju për këtë?
Unë nuk kam kompetencën e duhur për të folur për këtë vizitë, megjithatë ajo ishte një shkëndijë se fryma e ndryshimit që kishte filluar të ndihej në Lindje, do të vinte e paevitueshme edhe në Shqipëri.
Pikërisht në këto momente ndryshimesh të mëdha të pritshme, burri i shtetit të Gjermanisë F.J. Shtaus bëri vizitën e tij të parë në vitin 1985 (Theksoj se gjatë kësaj vizite Shtaus e nuk e vizitoi Beratin, pasi kthimin për në Gjermani e bëri nëpërmjet tokës greke, ku në Kakavijë nuk e mirëpritën si duhet, se po vinte nga një vend i pa fe, që e kishte shpallur vetveten shtetin e parë ateist në botë(!).
Pyetja juaj se vizita e Shtrausit në Shqipëri qe një sfidë është e drejtë, se një vend si Shqipëria e vetë izoluar për dekada të tëra, nuk mendonte se një ditë do të priste e të bisedonte me një figurë aq të madhe gjermane dhe evropiane, si Shtrausin. Kjo për Shqipërinë qe një shans i madh, por, siç dihet, Shqipëria e klisheve të ngurta hermetike, e humbi dhe këtë shans që rrallë përsëritet dy herë.
Ku erdhi në Berat ju keni qenë drejtor i muzeumeve të Beratit. A mund të na i përshkruani përshtypjet e Shtrausit për këtë qytet?
Ka qenë muaji maj i vitit 1986, pasi mësova se Beratin do ta vizitonte Shtausi. Unë nuk e kisha për herë të parë që prisja burra shteti të huaj, por për këtë vizitë emocionet më kishin pushtuar të tërin, kryesisht më mundonte dilema, se mësimin e gjermanishtes autodidakte e kisha filluar para disa muajsh.
Protokolli i vizitës përcaktonte si objekt vizite muzeun ikonografik “Onufri” në kalanë e Beratit. Natën, kur të nesërmen do të vizitoja Shtausin, pothuaj nuk fjeta fare, u mora tërësisht me botimin anglisht “Bota në xhep”, që kishte material të bollshëm dhe interesant edhe për Gjermaninë.
Të nesërmen në mëngjes nga makina më luksoze, me flamurin gjerman, zbriti me trup pozant, me një hir të veçantë, Shtrausi. I urova anglisht mirëseardhjen. Kur po ecnim në rrugicën e shtruar me kalldrëm, për të vajtur në muzeun “Onufri”, një nga personalitetet shqiptare që e shoqëronin, afrohet dhe më thotë: Folini gjermanisht”.
Këtë porosi e mora sa hymë në muze, megjithatë unë vazhdova t’i shpjegoja anglisht, por kur vura re se fjalët e mia nuk po krijonin emocione, që unë i kisha provuar me burra shteti të tjerë që kisha shoqëruar, i them zotit Shtraus: “Unë flas edhe pak gjermanisht, por do të më falni për gabimet” (Kisha filluar të mësoja gjermanisht me tiranasin z. Hasan Meniku, ish-student i shkëlqyer i farmacisë në Austri në vitet’30, që e vuajti këtë në Shqipëri për tërë jetën). Unë fillova t’i flisja z. Shtraus gjermanisht. Ai u çel në fytyrë dhe duke më vënë dorën në sup, më thotë: “Ju lutem më flisni gjermanisht”.
Mbresat e tij Shtausi i shprehu me superlativa për atë thesar kulturor dhe shpirtëror që pa në këtë muze. Në veçanti impresion të veçantë i la ikona e Onufrit e shek. të 17-të, i emërtuar “Burimi jetëdhënës”, e cila, ndryshe nga mijërat ikonat e tjera në botë, që njihen me këtë emër, paraqet në plan të parë minare, dhe në plan më poshtë elemente të fesë kristiane, siç është uji i shenjtë. Këtë ikonë Shtrausi e vlerësoi, duke thënë: “E jashtëzakonshme për mesazhet e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare që jep Shqipëria dhe shqiptarët”.
Gjatë vizitës në Kala, siç kemi dëgjuar, ai ka qenë më i shpenguar, ndonjë detaj?
Vizita vazhdoi në kullat më dominante të Kalasë së Beratit, kur ndjeva nga afër se Shtrausin e rrëmbeu ajo mrekulli kulturoro-historike që e rrethonte, që nga themelet ilire, arkitektonika e kalasë, nga më të mëdhatë në Evropë e banuar. Ku po i shpjegoja legjendën e kalasë së Beratit, se si vajza e bukur “Kala” u dashurua me malet vëllezër, Tomorr dhe Shpirag, Shtrausi treti shikimin në Tomorr, duke thënë shprehjen proverbiale të Gëtes: “E bukur, për të qenë përjetësisht e bukur”.
Unë, shumë i kujdesshëm në ato mure të larta të kullave të Kalasë, i vura krahun z. Shtrausit dhe i them me mirësi: “Kujdes, ju lutem”! Në këto momente sytë e mëdhenj të Shtrausit rrezatuan dritë, kënaqësi e miqësi, të shoqëruar me fjalët: “Edhe ju kujdes, miku im”!
Radiondërlidhja e tij, që e shoqëronte, qe e preokupuar vazhdimisht, ndërsa gazetarët dhe fotoreporterët dhe kameramanët e shumtë shkrepnin pa pushim mbi vlerat kulturore monumentale, arkitektonike dhe artistike të Kalasë së Beratit si dhe pamjet panoramike të qytetit muze të Beratit.
Në fund të vizitës në Kala u ngjitem bashkërisht në verandën e bukur të pikës turistike, ku Shtrausit do t’i jepej një drekë protokollare. Që këtej Berati dukej i madhërishëm, plot vlera. Shtrausi më thotë: “Verën e vitit të kaluar, në vizitën time të parë, në rrugën për largim nga Shqipëria pashë qytetin e Gjirokastrës. Ngela i mahnitur, por studente gjermane të arkitekturës që takova në këtë qytet me të drejtë më thanë se Gjirokastra të mahnit, por më shumë të mahnit qyteti i Beratit. Dhe kjo qenka e vërtetë”, pohoi Shtausi.
Në momentin e ndarjes, z. Shtraus më vë krahun dhe përqendruar te unë me shikim miqësor, më thotë: “Warte bitte” (Prit pak)! Dhe duke iu drejtuar me emër njërit prej shoqëruesve, i thotë me zë të lartë : “Schnel” (Spejt)!
Në këtë moment më jep medaljonin e 70-vjetorit të lindjes me portretin e tij, ku na ana tjetër e medaljonit ishte stampuar stema e flamurit të Bavarisë, shoqëruar me mbishkrimin “Kryeministër i Bavarisë”.
Është çasti i fundit, duke më dhënë dorën, miku i shquar nga Gjermania më thotë: “Së shpejti do të jeni në Gjermani, në “Gëte Institut”. Ju më folët dhe për Vikingët, Gëten dhe Hansa, ata do t’i shihni nga afër”.
Meqenëse Shtrausi ndërroi jetë pak muaj pas vizitës së Beratit, si ndikoi kjo në çuarjen deri në fund të ftesës që iu bëri juve?
Humbjen e parakohshme të z. Shtraus e përjetova me keqardhje të madhe dhe me vështirësi e pengesa në drejtime të tjera. Ky fakt i pakthyeshëm ma vështirësonte hedhjen e çdo hapi tjetër ndaj miqësisë që më ofroi ky burrë i madh shteti. Por medaljoni i tij, ky kambial miqësie, e mban për herë të gjallë z. Shtraus në qenien time.
Kur mësova vdekjen e Shtrausit, duke mos pasur asnjë dritare tjetër komunikimi, i dërgova një letër ngushëllimi zonjës Monika Shtraus, pjesë e familjes Shtraus, në adresë: “Kryetare e Parlamentit të Bavarisë – Gjermani. Siç shihet letra përmbante një adresë të përgjithshme (ngase nuk kisha adresë tjetër), me shpresë nga ana ime se edhe kështu mund të mbërrinte në destinacion. Fatin e kësaj letre ende nuk e di.
Atëherë, në ç’rrethana u bë e mundur vajtja në Gjermani. A patët vështirësi në realizimin e kësaj vizite?
Pas vdekjes së Shtrausit unë nuk dija për notat qeveritare gjermane për të realizuar vajtjen time në Gjermani. Vonesa dhe shtyrja për tre vjet që kjo ftesë të merrte rrugë, dëshmon për vështirësi e pengesa të mëdha; por, së fundi, si duket ato shteruan.
Më 27 nëntor 1989, ora 8, jam në zyrën e ministrit të Jashtëm, Reis Malile. Ai më priti me mirësjellje, duke më thënë: “Megjithëse Shtrausi ka tre vjet që ka vdekur, notat nga pala gjermane për të realizuar ftesën e Shtrausit, që ju të shkoni në “Gëte Institut”, kanë qenë të shumta. Kështu që do të niseni që sot për në Gjermani.
Në fakt çfarë bëtë në Gjermani?
Qëndrova dy muaj në “Gëte Institut”, në qytetin e bukur buzë lumit Ren, Boppard. Në mesditën e 28 nëntorit 1989 më priti një nga zëvendësdrejtorët e Institutit Gete. Në kokteilin e shtruar, ndër të tjera, profesori gjerman më tha se është një koincidencë e bukur që ju sot kini ditën e Bavarisë. Ngritëm dhe trokitëm gotat e urimit me atë korrektesë të admirueshme gjermane.
Unë gjeta momentin dhe i dorëzova zarfin e profesorit gjerman (që ma dha këshilltari i ambasadës gjermane para nisjes nga aeroporti i Tiranës), e lexoi dhe më tha: “Ky zarf është për ju bashkë me 400 markat që ka brenda, që është maksimumi i gjobës në Zvicër kur të kapin pa vizë”.
Unë me politesë e refuzova. Ai më thotë: “Miku im, bursa juaj “Shtraus” është ndarë nga qeveria jua në katër persona shqiptarë, që kanë ardhur më përpara nga ti, prandaj do të të hyjë në punë edhe “gjoba” zvicerane që nuk e paguat”. U ndava i impresionuar nga profesori gjerman.
Fillova rregullisht kursin intensiv të gjuhës gjermane, në mënyrë të përsosur, siç dinë ta bëjnë gjermanët.
Ambienti ku flija në një familje ishte mjaft komod. Përballë dritares time më tërhoqi vëmendjen emërtimi “Rruga e filozofit”. Kur e zonja e shtëpisë, një biznesmene 78-vjeçare, më dha një darkë mirëseardhjeje, më tregoi pse kjo rrugë mbante një mbishkrim të tillë. Ajo më tha se në këtë rrugë jetonte filozofi Emanuel Kanti, aq i rregullt që në veprimet e tij ditore, sa çdo mëngjes delte në një orë fiks.
Fqinjët e tij dilnin në dritare apo ballkone dhe në atë kohë rregullonin orët e ngelura. Një ditë ai nuk doli, pikërisht këtë ditë ai kishte vdekur.
Ndonjë gjë tjetër të veçantë nga Gëte Institut?
Po, pikërisht më 24 dhjetor 1989 Pas kësaj dite fillonin pushimet e Krishtlindjeve dhe ato të Vitit të Ri. Zëvendësdrejtori i institutit shoqëruar nga dy profesorë që na jepnin mësim (një ishte femër akademike), pasi i uroi të gjithë për festat e fundvitit, u drejtua nga unë:
“Zoti Hotova. Ç’ju kujton 29 dhjetori në jetën tuaj”?
Unë i befasuar dhe i skuqur në fytyrë ngrita kokën, por ai ma mori fjalën nga goja, duke thënë:
“Kjo është datëlindja e zotit Hotova”!
U ngrita më këmbë, falënderova, kur të tjerët po duartrokisnin. Profesori gjerman më ftoi të merrja pakon, nga e cila nxori një kalë druri, dhe duke e mbajtur në dorë tha: “Zoti Hotova, mik i Shtrausit, në emër të institutit dëshirojmë që ky simbol t’iu shoqërojë në jetë”!
Më pas pashë se në pako kishte libra, fjalorë, kartolina, disk për gjuhën gjermane, një orë dore dhe një palë syze me fotoelemente, që edhe sot e kësaj dite i kam në përdorim si kujtime të vyera.
A keni ndonjë intimitet mbresash nga vizita në qytetet gjermane apo familje?
Së pari po e filloj me qytetin e Këlnit, të cilin e vizitova të parin. Në Këln bleva një ngrohëse elektrike, e emërtuar “Fakir”, që ma kërkoi me letër Albani, djali im, që atëherë ishte 12 vjeç. Dyqanin e kishte një izraelit, i cili e kishte traditë shënimin e emrit të blerësit dhe vendin e origjinës. Nuk më erdhi mirë që Shqipërinë nuk e njihte, prandaj ndërhyra duke i thënë: “Më fal zotëri, unë jam nga një vend i vogël në Ballkan, që quhet Shqipëri dhe që gjatë Luftës së Dytë Botërore mbajti, strehoi, ruajti dhe shpëtoi qindra izraelitë me familjet e tyre nga përndjekja dhe asgjësimi i Holokaustit. Në këtë moment ai e nënvizoi emrin tim në librin e shitjeve, si dhe bëri një zbritje në çmim, duke më përcjellë deri te lidhja me rrugën kryesore.
Keni ndonjë rast, që miq e kolegë të Shtrausit iu ofruan miqësi dhe përkujdesje?
Në mesin e dhjetorit 1989 erdhi të më takonte në Boppard, miku im i hershëm, ish deputet permanent dhe zyrtar i lartë në qeverinë gjermane për gati 25 vjet, Kurt Zylke. Zoti Kurt Zylke e kishte vizituar Beratin edhe si turist dhe unë kam patur letërkëmbim prej kohësh.
Gjatë bisedës në Boppard më ftoi për pushimet dimërore të vizitoja veriun e Gjermanisë. Pasi e falënderova i propozova që bashkë me mua të vinte edhe kolegu im, Flamur Gorica, ish-punonjës në Akademinë e Shkencave në Tiranë.
Doktor Zylke na priti dhe na shoqëroi në të gjitha vizitat, në bazë të një programi që dinë t’i bëjnë aq mirë gjermanët, komb me histori dhe kulturë të lashtë.
Gjatë qëndrimit njëmujor në veriun e Gjermanisë, mbresat janë të shumta, por po ndalem vetëm në një prej tyre: Fjala është për filmin “Vikingët, banorët e lashtë të Veriut të Evropës”. Për mua, punonjësin e muzeumeve të Beratit, qe një film me shumë vlera e mbresa. Aty pashë se si me mjete vizuale, dokumentare dhe relikte, mund të transmetohet dhe të evokohet historia dhe kultura e popujve nga brezi në brez.
Gjatë vizitës në Gjermani, pikërisht më 30 dhjetor 1989 dhashë një intervistë në gazetën që përfshinte zonën Kiel, Schleswig, me firmën e një gazetareje të njohur. Shkrimi theksonte se si një kishë ishte kthyer në muze. Ishte fjala për muzeun “Onufri”, por zgjerohej me tërë historinë 2500-vjeçare të qytetit të Beratit.
Ndjesia e fundit para largimit nga Gjermania?
Kthimi në Shqipëri do të bëhej më 31 janar 1990. Një ditë para bëra shëtitjen e lamtumirës në qytetin e bukur turistik të Boppard, ku kujtova me dhimbje Shtrausin, prej të cilit jam në Gjermani.
Kujtova atë burrë të madh shteti, që më ofroi gjënë më të bukur njerëzore, miqësinë.
Franc Josef Shtraus
Franc Josef Shtraus i lindur më 6 shtator 1915. Në vitin 1949 zgjidhet deputet i Bashkimit Kristian Socialdemokrat. Nga viti 1953 -1955 emërohet ministër i Punëve Sociale. Në vitin 1955 ministër i Energjetikës. 1956 -1962 ministër i Mbrojtjes. Në vitin 1962 zgjidhet kryetar i Bashkimit Kristian Demokrat. Nga viti 1966 -1978 zgjidhet ministër i Thesarit. Në vitin 1978-1988, kryeministër i Bavarisë, derisa vdes më 3 tetor 1988, pas një ataku në zemër.
Ishte i vetmi udhëheqës perëndimor që mori guximin dhe iniciativën për ta ndihmuar Shqipërinë të kthente drejtim. Në vitet 1984 dhe 1986 vjen për vizitë në Shqipëri me një mision të mençur diplomatik, por troket në vesh të shurdhër. Udhëheqja komuniste nuk e kuptoi apo nuk deshi ta kuptojë burrin e madh dhe dashamirës gjerman, duke humbur një shans të pakthyeshëm.