Sefedin Çela / Botë e të paharruarëve…
Po na rrallohen miqtë! Ditët pa ta po na shkurtohen!
Deri sot, nga katër në foto ishim në këtë botë ne dy ” ekstremet” në anë,Teki Bregu dhe unë!
Kjo foto më bën të qaj në një ditë si sot.
Nuk na bëri rasti bashkë . E kërkonim dhe e gjenin njëri tjetrin! Për një gotë raki e kafe ose pa to, thjesht na haej fjala.
Bardhyl Ylli i muzeut më kish vënë njëherë të pozoja në vend të tim eti, një herë tjetër më kishte dhënë një shpatë muzeale për një ” duel” epik në këmbën e urës te Sorkadhja, me dikë që e kisha qesendisur në gazetë.
Bardhyli ishte yll vetë.
Ky tjetri në krah Asqeri Jaupllari kaçurels, kishte si gojën zemrën.
Po ky ” ekstremi” Tekiu, hante bukë veç! Me të merresha vesh edhe pa folur
Një jetë të tërë mësues, drejtor i gjimnazit e shef i arsimit për shumë vjet
Nuk kishte burrë, grua a fëmijë që nuk e njihte në tërë rrethin
Nuk ishte nga ata që ngrinte zërin, ishte nga ata që dëgjonte e dëgjohej!
Këto kohët e fundit nuk ishte mirë me shëndet, si dhe unë, po e shihja me sytë e zemrës, se e kam dashur.
Sot mbylli sytë, më la vetëm, në cep të fotos.
Më duket se kam humbur krahët, kam humbur ekuilibrin!
Nuk kisha ç ‘ti thosha në telefon vajzës së tij të dhimsur: “Mbahu, Loreta, babi Tekiu u rriti e u bëri kaq”, jo si unë, e përralla me mbret…
Babai nuk është kurrë tepër, kushdo qoftë, e jo më një prind si Tekiu, qe e njihnin dhe gurët!
Mbahuni Tatjana, dy vajzat, jeta është e shtrënjtë se ka kufij, lum kush lë gjurmë, kush nuk harrohet!
Të qoftë dheu i lehtë, i dashur Teki!
Për miq si ti nuk ka botë tjetër që të ndan, është vetëm kjo botë, e të paharruarëve!