Bardhyl Musai / Shqipëria, vendi ku jeta është më e lirë se çdo gjë tjetër
Bardhyl Musai
Ajo që ndodhi dje në Potam, Himarë, me të miturën 7-vjeçare, nuk është rast thjesht për ngushëllim familjarëve. Raste të tilla kemi me dhjetra e qindra tashmë, sikur edhe po mësohemi. Ajo është një tragjedi e cila u shkaktua nga ”bravo, çuni i policisë”. Kur jetën ta rrëmben ai që është i pari që duhet të na mbrojë, kjo është gjëma.
Rasti i djeshëm kërkon një reagim të fuqishëm, larg çdo emocioni tjetër, por me ndërgjegje qytetare si prindër, gjyshër, shtetas të këtij vendi. Kjo kërkon të jemi empatikë për dhimbjen e tmerrshme që u shkaktoi prindërve fluturimi në parajsë i engjëllit të tyre. A mundemi ne që lëkura jonë të ndjejë po atë dhimbje që ndjejnë prindët e vogëlushes?
Ky rast është tregues shumë i qartë se jeta jonë është pasigurtë në këtë vend. Je i pasigurtë në plazh se morrorët e ujit e skafet të marrin jetën, diku tjetër kërcet kallashi për parkingun, diku tjetër bandat i fluturojnë plumbat e nuk dinë se cilit të pafajshëm u rrëmbejnë jetën. Në vijat e bardha cubat me makina luksoze të shtypin. Raste të tilla vështirë të numërohen tashmë.
Përhapja e kultivimit dhe përdorimit të drogës në të gjithë territorin e vendit, është një tjetër element i pasigurisë për jetën. Ata përdorues jo vetëm dëmtojnë shëndetin e tyre dhe u marrin jetën njëri-tjetrit për hesapet në pazare, por u marrin jetën edhe qytetarëve kur u japin makinave me shpejtësi apo kur për një fjalë goje të nxjerrin koburen e të lënë thes në vend.
Pasiguria e jetës në Shqipëri është tashmë komplekse. Pasiguria ushqimore po na vret pak e nga pak çdo ditë. Ushqime të kontaminuara e deri kanceroze, mish pule, sallam, djathë me vaj palme, miell etj. etj., shiten duke shmangur çdo kontroll të sigurisë. Në çdo vend normal ato groposen, as kafshëve nuk u jepen. Ndërsa këtu me ato ushqehen njerëzit. Më keq se kafshët po na trajtojnë.
Pasiguria shëndetësore është një tjetër tipar. Nuk kemi garancinë e medikamenteve. Jo vetëm nuk bëjnë efekt, krahasuar me të njëjtët në vendet e BE-së apo edhe të fqinjëve, por nuk dihet se çfarë tjetër përmbajnë. Vaksinat e fëmijëve janë shumë të dyshimta, e paparashikueshme se çfarë simptomash do u shfaqen atyre kur të rriten. Treguesit janë në rritje për fëmijët me probleme me spektër të gjerë. Vaksinat, janë njëra anë, pasiguria e jëtës për shkak të ajrit është një tjetër.
Ajri i ndotur në Tiranë, disafish përtej normave të lejuara, është një tjetër element i pasigurisë së jetës. Rastet me sëmundje kanceroze të mushkërive të shkaktuara nga ky ajër janë të shumta, po vijnë duke u shtuar, por nuk raportohen.
Tirana, po shndrrohet në një vend të pajetueshëm. Pas dy-tre vjetëve kur të përfundojnë shumica e kullave, të cilat vështirë të numërohen, Tirana do të përballet seriozisht me mungesën e ujit. Uji të cilin e përdorim sot dhe e paguajmë shtrenjtë, edhe ai ndikon në pasigurinë tonë. Ai mbart baktere të llojllojshme të cilat nuk mundemi t’i shmangim, ndonëse blejmë bidonë pafund me ujë në markete. Me atë ujë lajmë dhëmbët, bëjmë dush dhe këto baktere na futen nga goja dhe i kemi nëpër trup. Realiteti nuk mund të fshihet me ndonjë video me gotë me ujë për të na mbushur mendjen se në tubacione është i pastër.
Ndërsa ujërat e zeza, me mijëra metër kub në ditë që do të shkarkohen nga këto kulla dhe ndërtesat e shumta të Tiranës, të cilat nuk pastrohen, do të shkojnë të derdhen në Adriatik dhe do të zhdukin faunën e florën e detit, ndërsa për plazh as që mund të bëhet fjalë në atë det të pistë.
Kullat e shumta në Tiranë paraqesin edhe një tjetër element të pasigurisë për jetën. Në to do të strehohen persona të dyshimtë që do të vijnë nga vende të tjera, se shqiptarë nuk ka më që t’i popullojë ato, as në para as edhe në numër, ata kanë marrë e po marrin arratinë. Këta persona mund të jenë terroristë, grabitës, drogaxhinj, përdhunues etj., që do të venë në rrezik jetën e banorëve. Pra, Tirana rrezikon të kthehet në geto, vendi i sigurtë për strehimin e personave me cilësitë që përmenda.
Të dashur miq,
për pasigurinë e jetës mund të vazhdoj edhe më gjatë, por këto të mësipërmet mjaftojnë të kuptojmë se ku jemi e çfarë na pret. Nuk është momenti të thotë çdokush: Ç’më duhet mua. Të gjithë të themi: Na duhet neve, andaj kemi të drejtë të reagojmë në mbrojtje të jetës, të sigurisë sonë dhe të fëmijëve tanë.