Shaban Zereci / Një luftëtar i rrallë në bankën e të akuzuarve
Gaqo Veshi
Qershori i vitit 1947 kishte filluar me një mot të freskët. Aty ku ishte salla e Gjyqit Ushtarak, rojet e Ministrisë së Brendshme po sillnin të lidhur me pranga një ish-kapiten të parë të lënë në dispozicion. Njerëzit, tek shikonin atë burrë të pakët në trup, që çalonte nga njëra këmbë, atë që nuk e kishin lidhur dot armiqtë, veç nëna e tij në djep, pëshpëritnin me zë të heshtur: “Edhe komandantin trim Shaban Zerecin po e dënojnë!?”
Nga ana tjetër, tek rrinte përpara bankës së të akuzuarve, i ruajtur nga ushtarë të armatosur, ky luftëtar i regjur, dëgjonte me indiferencë prokurorin që e akuzonte të “pandehurin” për tradhti të lartë ndaj Partisë dhe popullit, nëpër mend po i kalonte një jetë e tërë me armë në dorë dhe me vete thoshte: “Sa i çmendur paskam qenë! Po luftën që bëra për çlirimin e atdheut, ku ma çuan, apo ia hodhën qenit”!…Në pak sekonda, si në një film, iu përshfaq e tërë e kaluara e tij, nga fëmijëria e deri në këto momente.
Rinia dhe shkollimi
Shkollën e thjeshtë të Dusharit e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Më pas vazhdoi Liceun e Korçës, por e la atë në mes, pasi nuk i dhanë bursë dhe udhëtimi nga Zereci në Korçë ishte i pamundur. Por Shabani vërtet u nda nga liceu dhe filloi punë në bujqësi, po nuk u nda nga librat. Këndoi Naimin, Çajupin, Asdrenin e ç’t’i binte në dorë. U krijua një rast, u hap një kurs për xhandar në Vlorë, dhe Shabani shkoi me vrap atje. Pa përfundimi të kursit u vesh xhandar dhe shërbeu në fillim në Kolonjë e më pas në prefekturën e Dibrës.
Nëpunës shteti, kundër shtetit
Duket se Shaban Zereci nuk ishte prerë për xhandar. Ai ishte i etur për dije dhe kulturë, prandaj në vitin 1929, filloi një kurs 9-mujor për nëpunës administrate. Pas mbarimit të kursit, me dekret mbretëror emërohet kryetar komune në Muhur të prefekturës së Dibrës dhe më pas në Vrakë të Shkodrës. Në Muhur njihet më patriotin Dine Hoxha dhe në Vrakë me Migjenin, me të cilët u bë “miq për kokë”.
Kur ishte kryetar komune në Tunjë të Gramshit, bie në kontakt me Riza Cerovën. Me porosi të tij, Shabani dhe komandanti i xhandarmërisë Muhamet Koprëncka nga Skrapari, krijojnë “Organizatën e fshehtë” në Gramsh, kryetar i të cilit u zgjodh kryetari komunës, Shaban Zereci. Me të marrë sinjalin nga Riza Cerova, Shabani me `30 burra niset drejtë Myzeqesë, ku dhe do të fillonte ajo që është quajtur Kryengritja e Fierit e vitit 1935. Në përpjekje me forcat Zogiste, në Manastirin e Ardenicës plagoset në çapokun e djathtë. I ndihmuar nga fshatarët e Libofshës, pa u kuptuar nga qeveria, u kthye përsëri në krye të detyrës në Tunjë. Por nuk vazhdoi shumë dhe pas disa ditësh u rrethua në zyrën e komunës nga forca të shumta xhandarësh. Natyrisht, përfundoi në qeli dhe u dënua me 101 vite burg. Shpëtoi nga një amnisti që bëri mbreti pas presionit ndërkombëtar.
Pas rehabilitimit, pushtimi fashist e gjeti kryetar të komunës së Kucakës në Opar. Në vitet e pushtimit italian, të gjitha ndihmat që vinin në këtë komunë nga pushtuesi shkonin për në Bofnjë të Dusharit për partizanët. Italianët e kuptuan dhe dërguan milicët për ta arrestuar Shabanin, por, të rrethuar nga të katër anët nga partizanët, u detyruan të ktheheshin nga kishin ardhur, ndërsa Shabani që nga ai moment la zyrën komunës dhe u hodh në ilegalitet.
Në luftën e madhe
Si u takua me partizanët në Bofnjë të Dusharit, i dha karar punës, dhe më 17 nëntor të vitit 1942 krijoi me djem nga Opari i Poshtëm dhe Gora çetën e tretë në Shqipëri pas asaj të Babë Myslimit në Pezë dhe të Mestan Ujanikut në Skrapar. Aksioni i parë i çetës bëri bujë të madhe. Kuestura e Korçës njoftonte Tiranën ato ditë se në fshatin Strelcë, një çetë rebelësh prej 200 vetësh, e komanduar nga Shaban Zereci, ka hapur depot dhe 150 kv grurë ua ka shpërndarë fshatarëve.
Pas këtij aksioni të suksesshëm, çeta e tij, bashkë me ato që u krijuan më vonë në Opar e në Gorë, siç ishte ajo e Xume Protopapës, Koçi Brozdovecit, Teki Kolanecit, Hasan Moglicës si dhe çeta e nacionalistit Musa Moglica, u hodhën në aksione të tjera, si ai për çarmatosjen marrjen e postës së xhandarmërisë të Snosmës së Gramshit bashkë me çetën e Mokrës etj.
Një nga aksionet më të rëndësishme ka qenë ai për çlirimin e Voskopojës. Aty u bashkuan të gjitha çetat e rrethit të Korçës. Veç atyre që janë përmendur më sipër, edhe ato të Rrahman Vinçanit dhe Zalo e Rrahman Zvarishtit. Komandant i të gjitha çetave u zgjodh Shaban Zereci, nënkomandant Teki Kolaneci dhe komisarë Kristo Mushi e Kiço Shamblli.
Aksioni i Voskopojës dhe më pas edhe ai çlirimit të Leskovikut, ishte një demonstrim i shkëlqyer i artit ushtarak, që e vendosi Shaban Zerecin ndër drejtuesit e parë më të zotë të çetave që ishin formuar deri në atë kohë.
Ishte fundi i korrikut, kur nga gjiri i çetës së Shaban Zerecit, që tani ishte bërë batalion dhe kishte marrë emrin “Çlirimi”, u shkëputën 20-25 luftëtarët më trima, të cilët mbushën radhët e Brigadës së Parë Sulmuese. Për Shabanin kjo qe e dhimbshme, por boshllëku u mbush shpejt, radhët e batalionit të tij u dyfishuan me luftëtarë të rinj. Batalioni mori emër tjetër, atë të dëshmorit Skënder Çaçi.
Kështu, në përpjekje të vazhdueshme kaloi kapitullimi i Italisë fashiste, dy operacionet (i Dimrit dhe i Qershorit 1944) deri sa luftës i erdhi fundi.
“Damka” e Kongresi i Përmetit
Më 22 maj 1944, së bashku me delegatë të tjerë nga qarku i Korçës, Shabani mori rrugën e gjatë nga Opari për në Përmet. Në Kongres ai do të tregonte kontributin që kishte dhënë krahina e tij malore me 36 fshatra që nuk kishin më shumë se 7 mijë banorë, por kishin nxjerrë gjashtë çeta partizane dhe një batalion. Gjatë diskutimit, si një njeri i drejtë, kritikoi edhe gabimet që ishin bërë gjatë luftës. Por kjo nuk i pëlqeu udhëheqjes që drejtonte mbledhjen. Siç doli më vonë, Kongresi i Përmetit shërbeu edhe për një seleksionim të luftëtarëve “kokëfortë” e “të pabindur”. Ndaj si për shumë të tjerë, edhe për Shabanin u vu damka, si ajo që i vihet drurëve të pyllit për t’u prerë. Megjithëse u gradua kapiten i parë, pas kësaj do të lihej në harresë. “Përmeti” e ndiqte pas si një hije.
Çlirimi e gjeti në qytetin e Korçës, pastaj e emëruan në Ministrinë e Brendshme, por nuk e lanë në atë post as të ngryste vitin, e vunë në dispozicion. Ndërkohë disa nga shokët e tij të luftës që ishin damkosur që në Përmet si, ish-komandantët e çetave, Islam Radovicka, Mestan Mestan Ujaniku, Hasn Reçi e të tjerë, ishin futur në burg. Si duket edhe Shabanit po i vinte radha.
Nën pranga!..
Ishte një ditë maji e vitit 1947, kur i vunë prangat teksa kthehej nga zyra në shtëpi. Në qeli, gjithë ai burrë, ai trim me nam, që s’i ishte trembur plumbit, iu nënshtrua torturave çnjerëzore, pa e ditur se pse, në një kohë që ende nuk ishin tharë plagët e luftës dhe vendi mbante erë tym nga shtëpitë e djegura.
Ende pa dalë në gjyq, ia marrin familjen, gruan shtatzënë, vajzën dhe dy djemtë nga Tirana dhe ia çojnë në Zerec. I fusin në një ashef që kishte mbetur në fund të oborrit të shtëpisë së tij, pasi shtëpitë dykatëshe ia kishte djegur gjermani në kohën luftës. Fshatarët e Zerecit dhe të të gjithë zonës i qëndruan pranë kësaj familjeje, ashtu siç u kishte qëndruar dikur Shabani.
Shqiponja del nga kafazi e dëmtuar
Gjyqi farsë, pa asnjë provë, e dënoi 43-vjeçarin Shaban Zereci me 15 vjet burg. Pas dy vjetësh, më 29 prill 1949, me një dekret të veçantë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, lirohet nga vuajtja e dënimit. Lirimi i tij i ngjet një shqiponje që e nxjerrin nga kafazi me krahë të thyer, që të mos luftojë dot. Ai doli nga burgu, duke mos gëzuar as të drejtat më minimale. Madje i detyruar të paraqitej herë pas here në Degën e Brendshme të Korçës. Varfërisë, jetesës së vështirë në ashefin e vjetër, iu shtua edhe sëmundja e së shoqes, e cila nuk i rezistoi dot vdekjes, duke lënë fëmijët jetim dhe duke ia bërë edhe më të zezë jetën Shabanit.
Pritat
Por armiqtë e tij dhe Sigurimi i Shtetit nuk ngopeshin. Ata donin me çdo kusht kokën e tij. Dhe për këtë ata përdorën metodën e vjetër të hasmërive e të gjakmarrjeve. Në kohën e luftës, kur Shabani komandonte çetën e Gorë-Oparit, në një fshat të Gorës kishin ndodhur një sërë vrasjesh për shkak të një femre. Shabani kishte shkuar te familjet që ishin në hasmëri dhe e kishte mbyllur sherrin. Tani që Shabani kishte marrë të tatëpjetën, dikush i kishte hedhur benzinë zjarrit, sikur vrasjet kishin ndodhur për shkak të Shabanit. Për këtë i zënë prit për ta vrarë, por falë nuhatjes dhe shkathtësisë së tij shpëtoi.
Një herë tjetër e thërresin në Tiranë. E kishin ftuar në një lokal për një kafe. Sa kishte kthyer filxhanin, kishte filluar të zverdhej e t’i merrej fryma. E çuan në spital, ku, për fatin e tij, qëlloi aty doktor Shiroka me të cilin njihej që kur kishte qenë në Vrakë. Doktori i bëri shpejtë e shpejt një operacion në ezofag, duke ia pastruar për të izoluar helmin.
Një fund fatal
Një ditë prej ditësh, Shabanit i erdhi një telegram nga Tirana, që të paraqitej sa më parë në kryeqytet . Se cila zyrë drejtorie apo individ e bënte atë telegram misterioz, edhe sot ka mbetur enigmë. I dërrmuar, në pritje se një ditë do të dilte e drejta e tij, Shabani mendoi se e kishin thirrur për këtë.
U nis herët nga Korça. Edhe pse i sëmurë, në Tiranë vizitoi me radhë miqtë dhe shokët e luftës, pyeti për telegramin se kush e kishte bërë, por asnjëri nuk e dinte. Si ndenji disa ditë në Tiranë, natën e fundit shkoi për të fjetur te nipi, oficer në Ministrinë e Brendshme që e kishte shtëpinë te Shallvaret. Këtë nip ai e kishte marrë me vet në që në ditët e para të luftës, kur ishte komandant i çetës së Gorë-Oparit dhe batalionit “Çlirimi”.
Nuk dihet me siguri pse u grindën xhaxha e nip në shtëpinë e këtij të fundit. Në grindje e sipër, Shanbani doli në mes të natës nga shtëpia e nipit për të shkuar te një nga miqtë e tij në Rrugën e Dibrës. Pas, si hije e ndoqi nipi. Te Farmacia 10, nipi e qëllon me pistoletë nga prapa. Në krismëne paraë Shabani nxori nagantin, që nuk e hiqte kurrë nga brezi, por për çudi, mulliri i armës me shtatë fishekë ishte bosh! Gjakësori qëlloi për të dytën herë, dhe trimi dhe luftëtari i orëve të para që nuk e kishte marrë plumbi i armikut, bie për tokë nga nipi që e kishte dashur dhe kishte bërë për të aq shumë. Të nesërmen, miqtë e tij e varrosën në varrezat e Tiranës, larg varrit të gruas dhe të prindërve të vetë.
Vrasja e Shaban Zerecit nga i nipi përmbante dhe përmban edhe sot shumë pikëpyetje që nuk u dha përgjigje asnjeri. “Kush e bëri telegramin që e ftonte të vinte nga Korça në Tiranë”?! “Kush ia hoqi fishekët nagantit të tij që rrinte gjithmonë mbushur”!? “Kush e shtyri nipin të bëhej kriminel dhe të vriste xhaxhanë”?!…
Nuk do shumë mend, ishte Sigurimi i Shtetit ai, që, pas dy atentateve të dështuara, organizoi të tretin, një grindje artificiale me nipin, që ai më në fund ta vriste. E vërteton këtë edhe ecuria e mëtejshme e nipit vrasës: Në fillim u dënua nga gjykata me vdekje. Pastaj iu kthye dënimi me 25 vjet burg. Si njeriu i Sigurimit, në burg ai ishte i privilegjuar, pasi spiunonte shokët. Madje aty ai merrte edhe rrogë. Nuk bëri as gjysmën e dënimit, dhe doli.
Kjo ishte historia e luftëtarit trim, Shaban Zerecit, që u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare. Dhe pikërisht këtë jetë ai po kalonte mendërisht, ndërsa ishte para gjykatësve në gjyqin e inskenuar.
Dritëro Agolli për Shaban Zerecin
Duke folur për Luftën me Gaqo Veshin (Hyskë Borobojka) në ato udhëtimet që bënim nëpër Shqipëri, unë si gazetar i “Zërit të popullit” dhe ay, i revistës “Hosteni”, fjala ra te një luftëtar i vjetër, Shaban Zereci, i njohur në zonën e Korçës, Skraparit dhe Devollit. Nga ato që më thoshte Gaqoja, unë rashë në mendime dhe jam përpjekur të sjell ndër mend këtë personazh me peshë të Luftës partizane. Në fshatin tim, në atë kohë, ata më të moshuarit se unë kuvendonin njëri me tjetrin se kishin parë Shaban Zerecin, një trim të marrë nga Opari dhe se, së shpejti do të vinte në Bilisht të Devollit.
E përfytyroja një njeri me trup gjigant, me dy-tri kobure në brez dhe me mjekër, por, kur e pashë, ai ishte me pamjen e një njeriu të zakonshëm, i imët dhe thatim në fytyrë, që lëvizte gjithnjë dhe pa pritur qëndronte dhe shikonte nga kodrat.
Më vonë, rrodhën plot ngjarje dhe figura e Shaban Zerecit herë pas here më humbiste nëpër mjegullën e kohës. Por ja, ma kujtoi miku im, Gaqoja, i cili, këto kohët fundit ka bërë edhe një libër për të. Në këtë libër Gaqo Veshi na kujton jo vetëm heroizmat, por përfundimin tragjik të jetës së këtij luftëtari trim.
Mik i Migjenit, në Vrakë të Shkodrës
Vraka ku u emërua Shabani ishte një fshat që banohej nga një pakicë malazeze. Ishin vitet ku aty shërbente edhe Migjeni si mësues. Që në ditët e para ai u njoh me Migjenin. Mes tyre u krijua një miqësi e shëndoshë, më tepër nga pikëpamjet e tyre të përbashkëta mbi jetën e vështirë e të varfër të fshatarëve. Kryetarit të komunës i pikonte në zemër kur shihte mësuesin që shkonte e vinte për ditë nga Shkodra me një biçikletë të vogël përmes erës dhe suferinës së Kirit, aq sa mori edhe sëmundjen e pashërueshme të kohës, tuberkulozin.
Miqësia e kryetarit të komunës me poetin ishte aq e madhe, sa pas Kryengritjes së Fierit, ku u burgosën shumë nga pjesëmarrësit në këtë lëvizje, Migjeni, që në atë kohë ishte në sanatoriumin e Volosit në Greqi, i la kurat në mes dhe erdhi në Shqipëri për të qenë pranë miqve të dënuar, mes tyre edhe Shaban Zereci.
Me veprimtarinë e tij në Vrakë, Shabani kishte rënë në sy të xhandarmërisë shqiptare, e cila e mbylli në qelitë e burgut. Por e shpëtoi miku i tij, patrioti dibran, Dine Hoxha, i cili i vajti vetë mbretit Zog në zyrë, duke shfrytëzuar autoritetin dhe njohjen që kishte me mbretin. Shabani, jo vetëm u lirua nga burgu, por me dekret mbretëror emërohet përsëri kryetar komune, këtë radhë në Tunjë të Gramshit.