Dritaret e Beratit: “Një mijë e një” apo “një mbi një”!?…
Nga Ilirjan Gjika
Një prej prej gabimeve (nuk mund ta quash “lapsus”, pasi lapsusi bëhet një herë dhe nuk përsëritet) që bëhet herë pas here në media është edhe ai i etiketimit të Beratit si “Qyteti i njëmijë dritareve”.
Ky problem u shfaq fillimisht diku në fillim të viteve ’90, në shtypin tonë të përditshëm. Në mënyrë të gabuar në vend të termit historik si ‘’Qyteti i një mbi një dritareve’’, nisi të emërtohej si ‘’Qyteti i një mijë dritareve’’.
Më pas, u desh mëse një dekadë e tërë përpjekjesh, që, vetë media ta korrigjonte këtë ‘’lapsus’’ dhe ta etiketonte përsëri atë me emrin e ‘’ligjshëm’’: “Qyteti i një mbi një dritareve”.
Ndërkohë që edhe sot konstatojmë me keqardhje se, kjo ‘’sindromë’’, është shfaqur përsëri në mediat tona.
Lidhur me këtë rast po bëjmë një shpjegim të shkurtër për ta korrigjuar përfundimisht problemin. Këtë emërtim, si ‘’Qyteti i një mbi një dritareve’’, Berati e ka marrë nga lagjia e tij karakteristike, Mangalem, e cila ndodhet poshtë kalasë, në bregun e djathtë të lumit Osum.
Duke u ngritur nga lumi drejt pjesës jugore të shkëmbit të kalasë, ku mungojnë hapësirat për ndërtim, shtëpitë e kësaj lagjeje janë ndërtuar duke u vendosur mbi njëra-tjetrën. Si rezultat edhe dritaret e tyre janë mbivendosur një e nga një.
Nga kjo tipologji e tyre, Berati, është quajtur si “Qyteti i një mbi një dritareve”. Ndërkohë që këshilla për artikullshkruesit apo operatorët e ndryshëm është shumë e thjeshtë. Verifikimi dhe konsultimi i kësaj të dhëne përpara botimit apo publikimit të çdo shkrimi lidhur me Beratin. Vetëm kështu e informojme drejt lexuesin dhe publikun duke ruajtur emertimin e saktë të tij.