“Gjin, ki kujdes me Mestanin…”, letëra pak e njohur e Enver Hoxhës, drejtuar Gjin Markut për Mestan Ujanikun
Që Enver Hoxha nuk e ka parë me sy të mirë Mestanin për shkak të ndjenjave të tij nacionaliste, duket që herët, por që Mestani nuk dinte gjë për këtë, e dëshmon edhe letra që ai i dërgon Gjin Markut në prill të vitit 1944.
Në këtë letër, siç shihet, Enver Hoxha jo vetëm që ka shumë rezerva ndaj Mestan Ujanikut, por mes rreshtash shihet qartë edhe një pakënaqësi dhe mllef ndaj tij. Kjo mund të merret edhe si goditja e parë ndaj Mestanit, e pasuar pastaj me të tjera, deri në eleminimin fizik, duke e lënë edhe pa varr.
Ja letra:
I dashuri shok Gjini
U gëzova nga letra tënde shoqëruese, si edhe nga hapat e para dhe me sukses të Brigadës së VII. Jam i sigurt se ajo Brigadë do të shkojë përpara. Dhe do vihet në radhën e Parë të brigadave tona më të mira. Ajo varet nga ti dhe nga gjithë shokët e Partisë që bëjnë pjesë aty. Prandaj përvishjuni punës me urtësinë më të madhe, qoftë ushtarakisht, qoftë politikisht, zhvillimi i kuadrove të Brigadës të jetë i shumanshëm.
Mestani erdhi këtu dhe u fjalosa me të. Zuri të qahej si plakat, të gjitha qarjet e tij të vogla, të cilat ai i ka si argumenta. Natyrisht qarjet ay i bazon tash për të forcuar bazën e tij (kupto nacionaliste) në ato lëshimet e gabimet që janë bërë në atë terren. Dhe kërkon të dalë si “engjëll” me flatra të bardhë. E nisa në vend dhe me urdhra të prera i thashë se si duhet të punojë. E lamë tek është dyke ditur sa vlen, pse politikisht s’është momenti të marrim masa të tjera.
Mestanin e gjykojmë dhe i kërkojmë punë sa vlen dhe jo më tepër dhe këtë gjë ay do ta japij në qoftë se shokët që janë atje do të mundin ta drejtojnë Mestanë dhe jo të bëjë pas kokës. Ata shokë që caktuam s’duhet të presin shumë gjëra, se më mirë hiç, por vetëm me e frenue dhe të zbatojë vijën e frontit.
Megjithë drunë që i dhaç, se Mestani, njeri i vjetër dhe me egoizmë dhe ambiciet e një njeriu që kujton se është njeri i madh, ay e mban karshi teje mërinë e tenton e do të tentojë të thellojë hendekun në dëm të punës, në rast se shokët s’dinë të punojnë. Ay kapet nga sendet e vogla për të bërë çështje të mëdha si psh çështja e atyre dy kriminelëve që janë në Brigadë.
Të vëmë re një gjë te Mesatani, i cili s’është budalla, çdo plumb që na fut mbështetet në një vend që ligjërisht duhet të marrim masa dhe qëllimi i tij është të godasë ty dhe Brigadën. Prandaj duhet të kesh kujdesin më të madh me të si dhe marrëdhëniet me shtabin e qarkut dhe komandat e vendit. Çështja e atij krimit është delikate. Direktiva është që në brigada e batalione të mos mbahen kriminelë dhe këtu bazohet Mestani.
Prandaj shtabi i brigadës duhet të bëjë hetimet dhe t’i marrij në gjyq në rast se ata kanë kohë që janë në ushtrinë tonë atëhere të përdoren ……(e palexueshme) kundër tyre. D.m.th. të falen pse kanë qenë luftëtarë dhe krimi është i vjetër.
…Çështjet gjykojini me gjakftohtësi. Të mos bini në prita të vështira dyke ditur qëllimet pse i bën Mestani këto. Kahremanin e kemi caktuar si komisar të Mestanit, por nuk e di a do ta bëjë dot punën që kërkojmë nga ay, pse kam frikë se mos bjerë në pozitat e Mestanit, dhe vaj halli.
Prandaj Gjin, me kujdes të madh sa ti qëndron aty, me gjakftohtësi jep mendimet, pse ti duhet të zgjidhësh çështjet aty, të….(e palexueshme) të ndihmojë sa të jesh në atë terren.
Na shkruaj për çdo gjë, për ndihmat që ti ke nevojë, për zgjidhje të koklavitura s’do të mungojë as një herë që të ndihmojmë që ti të shkosh përpara.
Të përqafoj
Taras
5/4/44