Marela Guga: Kongresi i Kishës Autoqefale i 10 shtatorit 1922, në Berat, ndër ngjarjet më të mëdha të kohës
Me rastin e e 100 vjetorit
Marela Guga
Si sot, 100 vite më parë nisi punimet Kongresi i Kishës Autoqefale. Në sallën e shkollës Qëndrore në “Mangalem” 33 delegatë klerikë dhe laië nga 17 prefektura dhe nënprefektura, erdhën me dëshirën e mirë, të ndalnin përçarjen dhe të shpallnin autoqefalinë e kishës shqiptare.
Punimet u hapen më 10 shtator 1922 dhe u drejtuan nga Perikli Kona. Iniciator i kongresit ishte kryebashkiaku i Durrësit, Kostë Paftali.
Kongresin e përshëndetën kryebashkiaku i Beratit, i Durrësit, Visarion Xhuvani, Vasil Marku dhe Papa Harallambi.
Në Berat, u hap rruga e njohjes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, Tomosit, përpjekje që zgjati plot 15 vjet.
Delegatët që morën pjesë në Kongres janë:
Berati- Perikli Kona dhe Dhimitër Tutulani
Korca-Ikonom Papa Josifi dhe Dhori Havjari
Pogradeci-At Vasil Marko dhe Thanas P. Kërxhalli
Bilishti-At Josifi dhe Anastas Çekrezi
Kolonja- Oshënar Sofroni dhe Dhimitër P. Nini
Leskoviku-At Vangjel Çamçe dhe Thanas Prifti
Fier-Loni Xhoxha (Xoxa) dhe Dhimitër Qilica(Kilica)
Durrësi-Arkimandrit Visarion Xhuvani dhe Gjergji Manushi
Përmeti-Dr. Kondi dhe Vasil Kota
Vlora-Tol Arapi dhe Jani Serani
Lushnja-Tun Gjergji dhe Llazar Bozo
Kavaja.Pal Xhumari dhe Andrea Konomi
Tirana-Papa Simani dhe Mark Hobdari
Elbasani-Vasil Llapushi dhe Simon Shuteriqi
Shpati-Taq Buda dhe Dhimitër Paparisto
Dibra-Leonidha Nishku dhe Kostë Paftali
Libohova-Spiro Kati
Në kongres, morën pjesë dhe dy përfaqësues zyrtarë të qeverisë, Llazër Puli nga Prefektura Beratit dhe prokurori Harilla Theodhosi. Dy zyrtarët i frikësoheshin mos kongresi nuk shkonte sipas parashikimit të qeverisë, edhe pse ishin të bindur se askush nuk do të kundërshtonte autoqefalinë.
Ajo ç’ka brente qeverinë ishte prezenca e dy rrymave që ekzistonin brenda komunitetit kishtar, fanolistët dhe mbështetësit e Visarion Xhuvanit.
Bisedimet nisën zyrtarisht të nesërmen, më 11 shtator, por gjuha e përbashkët u gjet qysh në mbledhjen e dytë. Arkimandrit Visarion Xhuvani shpalli autoqefalinë e kishës kombëtare shqiptare nën këtë kumtë:
“Të gjithë neve të autorizuemit Delegatët të Kongresit,
Klerik e Llaik, me nji za dhe entusiazëm në emnin e të
gjith klerit e të popullit orthodhokës të Shqipniës,
duke u bazuar që Shqipnia u njoft prej gjith shteteve
të botës si nji shtet independentë dhe sovran dhe mbi
këtë bazë, mbas kanonevet të shenjta të kishës
orthodhokse, në shtet indipendentë, kishë
indipendente e të tjera [shpallim] autoqefalin e kishës
orthodhokse Kombëtare të Shqipniës edhe de fakto,
se de jure, ka qenë që prej ditës së shpalljes
Independencës politike të shtetit shqiptar, duke
mbajtur lidhje spirituale dogmatike dhe apostolike
plotësisht me Mamën, Kishën e Patrikanës së Shenjtë
Ekumenike dhe me Patrikanat dhe kishat e tjera
orthodokse autoqefale të botës, por administrativisht
Indipendentë. Rroftë Kisha Autoqefale Shqiptare.
Dhimitër Tutulani
Kongresi zgjodhi Këshillin e Lartë me katër përfaqësues laikë dhe katër klerikë:
Korça: Ikonom P. Josif dhe Dh. Haviari
Pogradeci: At Vasil Marko dhe Thanas P. Kerxhalli
Bilishti: At. Jorgji dhe Anastas Çekrezi
Kolonja: At Sofron S. Borova dhe Dhimitri Petro Nini
Leskoviku: At Vangjel Çamçe dhe Thoma K. Prifti
Përmeti: Dr. Stathi Koni dhe V. Zoto
Berati: P. Kona dhe Dh. Tutulani…
Statuti me 14 artikuj dhe rregullorja e dalë nga Kongresi, pati fuqi ligjore dhe peshë kanonike deri në krijimin e Sinodit të parë të KOASh-it, në vitin 1929. Statuti përcaktonte që gjuha e kishës të ishte shqipja dhe kryepeshkopi duhej të ishte tre breza shqiptar.
Në Kongres u diskutua edhe mbi qëndrën e Kishës Autoqefale Shqiptare, e cila u shoqërua me debate e kundërshti. Delegatë të ndryshëm sugjeruan Beratin, Tiranën, Gjirokastrën dhe Korçën, por u vendos Korça me kërkesë të Pal Xhumarit.
Në kishën e Shën Mitrit në Vakëf u mbajtë një Te Deum ku folën klerikë dhe delegatë të kongresit. Aty u shkrep edhe një foto , që e sjell zonja Parashqevi Sahatçi në botimin e saj. Organizime për indipendencën e kishës shqiptare kemi edhe në Vlorë, Elbasan, kishën e Shën Gjergjit në Korçë, Tiranë etj.
Në fund të shtatorit, prokurori i Beratit Harilla Theodhosi i dërgon një raport qeverisë ku ndër të tjera i shkruante:
Kongresi përbëhej nga mjaft burra me seripozitet dhe randësi midis të cilëve mundt të kujtoj at Vasil Markun delegatin e Pogradecit, Koço Paftalin inisiatorin e kongresit delegatët e Beratit Taq Tutulani dhe Perikli Kona me urtësinë dhe delikatesën tyne bënë që bisedimet të bëhen me gjakftohtësi dhe rregull…(AQSH. fondi 152)
Në Berat u arrit një fitore e madhe nisur edhe nga rrethanat ndërkombëtare.