Kur këndonte Strora! / Virtuozë popullorë të këtij fshati që bënë epokë dhe lanë emër pas
Zylyftar HOXHA
Ku janë bilbilat e njohur?!…
Tani për ta flitet si në përralla, dhe jo vetëm për ta, por edhe për brezin e mëvonshëm, siç ishin Xhevahiri, Kadriu, Alua, Behluli, që i dhanë shpirtin këngës dhe me grupin që ngritën, e bënë atë autentike, të pakrahasueshme dhe të dallueshme nga të tjerat, i dhanë emrin e përveçëm “Kënga e Storës”.
Dhe vërtet kënga popullore e Strorës ishte një “shkollë folklorike” më vete si në traditën historike të këngës, si në origjinalitetit e tekstit, ashtu edhe në një interpretim artistik klasi, pa sforcime dhe pa teprime.
Pa le vallja! Më së shumti ajo e Behlulit si valltar i parë me Alon si valltar i dytë, ngjallte të vdekurin dhe vdiste të gjallin, siç thotë populli.
Xhevahiri, Kadriu, Aloja, Beluli, Neimi janë unik si grup. Nuk veçohen, nuk ndahen dot nga njëri-tjetri, janë si “këmisha e Nususit”, që, po u përpoqe ta heqësh, hiqet me gjithë mish.
Ndaj dhe unë këtu më poshtë, do të flas për Alon, por në bëmat e tij, janë edhe të tjerët. “Trimi i mirë, me shokë shumë, thotë një fjalë e urtë”. Dhe kjo fjalë, më shumë se kudo vlen për strorallinjtë. Si për ata të këngës, por edhe ata të isos, dmth, të punës.
“Timonieri”
Me fillimin e festivaleve, sidomos koncertet e “5 Shtatorit” nga vitet 1960-1980, “timonieri” i grupit folklorik të Strorës ishte Xhevahiri. Organizatorët dhe regjisorët e shfaqjeve, në çdo koncert Strorën e linin në fund, që të rrinin spektatorët, ndryshe ata rralloheshin. Dhe vite e vite flamurin e festivalit e bëri pronë Strora. Edhe Radio-Tirana, e vetmja në atë kohë, në këngët e mëngjesit, të parat vinte këngët dhe vallet e Strorës.
Xhevahiri ka qenë legjenda e këngës së Strorës. Megjithëse kanë kaluar vite, tregojnë për të shumë ndodhi dhe çudi. Vetë i bënte tekstet këngëve dhe vetë i interpretonte. Tani këta quhen kantautorë. Atëhere s’kishin një emër të përcaktuar.
Një nga organizatorët e njohur të veprimtarive artistike në atë kohë në Skrapar, Gëzim Zylfo tregon: “Në vitin 1967 shkonim në Lezhë, nuk kishim bërë prova. Provat filluan në tren. U grumbulluan rreth nesh shumë udhëtarë. Edhe ata që nuk kishin dëgjuar këngë polifonike. U mahnitën dhe duartrokisnin pas jo në fund të këngës, por pas çdo pauze…
Meqenëse shkonim në Lezhë, në vendin ku Heroin Kombëtar Skënderbreu kishte varrin, na duhej një këngë për të. Na nxori menjëherë nga situata Xhevahiri. Ndërsa ne diskutonim, ai ia mori këngës me vargjet krijuara aty për aty: “Do të këndoj për Skënderbenë,/ Që luftoi për mëmëdhenë. Iprerë si artist, mbyll tregimin Gëzimi.
Kur hiqte vallen Beluli!…
Kënga e Strorës u bë e njohur në të gjithë vendin, në festivale dhe në radio. Në emisionin “Sipas kërkesave të dëgjuesve”, ajo ishte ndër më të kërkuarat dhe pothuajse e pandarë në të gjitha edicionet. Zëri melodioz i Alos dhe i Kadriut kumbonte nëpër Shqipëri. Me interpretimin e tyre artistik, ata çuditën specialistët e muzikës popullore dhe studiuesit e folklorit. Vallet “O moj dardha rrumbullake”, vallja e sarhoshit, vallja e kënduar “Plaku, djali dhe vajza” tërhoqën vëmendjen e studiuesve dhe specialistëve të fushën, të cilët bënë edhe studime mbi to.
Profesorët me shkollë dhe kompozitorët me emër si, Tish Daija, Mustafa Krantja, Nikolla Zoraqi etj.i referoheshin Strorës. Shumë këngë u përshtatën me variante të përpunura si kënga “Kur më rrije nën hije të fikut”, “Të shkon rruga pranë shtëpisë” etj. U bënë edhe programe mikse në atë kohë rrinin me ditë të tëra në Tiranë. Fatime Sokoli e çiftelisë u dashurua dhe u impresionua shumë me grupin e Strorës, duke dhënë një koncert të përbashkët.
Në atë kohë gazeta “Zëri i Popullit” në një nga reportazhet e saj shkruante: “Në festivalet e Gjirokastrës lëviznin gurët e kalasë kur heq vallen Belul Hysko dhe kur këndojnë kushërinjtë e tij, Alo dhe Kadri Hysko.
Alo Hysko, njëri ndër ta…
Që të flasësh për Alon, duhet më parë të shkosh të burimi nga ku rrodhi dhe u frymëzua shpirti artistik i Alo Hyskos. Dhe ky burim ka qenë grupi i vogël i përbërë nga tre vëllezër, Arif, Sadik dhe Xhevahir Hysko, që prej kohësh quheshin “Bilbilat e Strorës. Atëhere s’kishte skena, aktivitete artistike dhe festivale. Artistët e vërtetë dalloheshin në dasma dhe gosti. Të kishe fat të merrje në dasmë “Bibilat e Strorës”, mos kishe merak për asgjë, dasma të shkonte për mrekulli. Ahengu ndizej dhe askush s’e kishte mendjen te ngrënia, apo te pija e tepërt e rakisë, që shpesh herë bëhej problem në raste të tilla.
Por “Bilbilat e Strorës” , si bilbila të vërtetë që ishin, nuk prisnin vetëm dasma e gëzime të këndonin. Jo, ata ja merrnin këngës sa herë që mblidheshin bashkë, në ara, në pyll, në rrugë kur pushonin, në shtëpi, në darkë në netët e gjata të dimrit. Ndanë shtëpisë së tyre kalonin udhëtarë. Kur dëgjonin këngën, ndalonin, i zbrisnin kalit, shuanin etjen me ujë të ftohtë, por edhe me këngët e djemve. Iso mbanin edhe lagjet e tjera, por kënga mbeti te Hyskot.
E kam njohur nga afër Alon. Për shumë vjet ai nuk e mori familjen në qytet, shkonte e vinte pothuaj çdo ditë nga Strora në Çorovodë dhe anasjelltas, por asnjë herë nuk e theu orarin. Me ndërgjegje të lartë në punë, ai mbeti gjithmonë në sërën e parë të qytetarëve të vërtetë të Çorovodës.
Alo Brahim Hysko lindi në vitin 1932 dhe vdiq në vitin 2002. Jetoi plot 70 vjet. Lufta e gjeti të vogël, 10-12 vjeç, por ajo la gjurmë te ai. Në radhë të parë se pasojat e saj vazhduan gjatë më pas dhe atij iu desh të përballej me to; së dyti, se ai kishte xhaxhanë në mal partizan, që kur vinte ndonjëherë me leje nga mali, në vend të sheqerkave i sillte gëzhoja për të lozur. Vitet e para të çlirimit kanë patur një entuziazëm dhe një frymë lirie që i dinë vetëm ata që kanë jetuar atë kohë.
Është e vështirë, në mos e pamundur të bindësh të rinjtë e sotëm, për këtë. Lodhesh kot. Ndaj po e lëmë këtë argument për të vijuar me jetën e Alos. Si i ri, mori pjesë në shumë aksione të kohës, si në ata lokalë, ashtu edhe kombëtarë. U pranua edhe në parti. Kur u krijua kooperativa, jo që qe i pari që u fut në të, por e ndihmoi për krijimin e kooperativës së Dobrushës, ku punoi si kuadër për një farë kohe. Pastaj u transferua në Çorovodë, në ndërmarrje e konsumit, siç i thoshin atëherë ndërmarrjes tregtare. Punoi si ekonomist, revizor.
Puna e tij si revizor i ndërmarrjes tregtare dukej e thjeshtë, por ai e dinte ç’hiqte duke ndenjur me net të tëra pa gjumë pas shifrave të inventarëve. Jeta e shitësve varej nga lapsi i tij, një qindarkë më tepër apo më pak, vinte në diskutim jo vetëm punën, por edhe burgun. Por Aloja dinte t’i bënte të dyja mirë, edhe punën e shtetit, edhe zemrën e gjerë, duke mbrojtur me dhjetëra shitës e magazinierë në të gjithë Skraparin.
Ai ishte një nga protagonistët kryesor të grupit folklorik të Strorës. Më lartë kemi folur për këtë, por ajo që s’kemi thënë, është fama dhe emri që mori dyshja Belul dhe Alo me vallen dyshe. Vallet e tyre ishin kripa dhe lezeti i të gjitha programeve që jepnin në publik. Shkëlqimi i tyre artistik kishte rënë edhe në sy të Petrit Dumes, i cili, bashkë me grupin e Kolonjës, thërriste në Tiranë në aktivitete që organizonte Ministria e Mbrojtjes, edhe Alon dhe Belulin. Madje Belulin, për ta patur gati për çdo rast, e mbajti ushtar në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.
Repertori i këngëve dhe valleve të Strorës ishte burimori, këngët dhe motivet e vjetra, ato që kishin kënduar brezat e kaluar. Ky ishte edhe një nga çelësat e suksesit të grupit të Strorës. Ata nuk largoheshin nga burimi. Sukses tjetër i këtij grupi ishte se tekstet këngëve i krijonin vetë. Psh, Aloja është autor i disa këngëve si, “Vendi që lindi Rizanë”, “Shqipëri të njohu bota”, “Bir Sadush, or bir, o djalë”, “Gruaja shqiptare” e shumë të tjera.
Jeta e Alo Strorës ishte jeta e një artisti të vërtetë, që për artin, sakrifikoi edhe familjen, duke lënë gjëra mangët në të. Megjithatë ai e mbylli me nder e dinjitet jetën e tij, duke ikur me këngë në gojë, siç ikën një bilbil.
Ata ikën, zëri mbeti
Ata nuk janë më. Koha bën të vetën, ikën me radhë: Në fillim Arifi dhe Sadiku, por që nuk u ndje ikja e tyre, nuk ishin aq publik sa të më pasmit. Pastaj iku Xhevahiri, natyrisht, duke lënë një boshllëk të madh, të pakorrigjueshëm. Ata që erdhën më pas, Kadriu dhe Aloja bënë shumë për të plotësuar boshllëkun, dhe ia arritën, e ruajtën dhe e forcuan prestigjin artistik dhe moral të grupit.
Rrodhën shumë vite dhe u erdhi radha të tjerëve. Iku Kadriu, iku Aloja, iku dhe Beluli. U prefshin në paqe atje ku janë!
E ndërsa ata ikën, zëri i tyre mbeti si një monument që i ngritën vetes në efir. Askush deri më sot s’ka dalë t’i zëvendësojë. S’ka më Belul, s’ka më Alo. Por ata me atë që kanë bërë, me atë kontribut që kanë dhënë, janë një vlerë dhe pasuri jo vetëm e Strorës, jo vetëm e Skraparit, por edhe tërë kombit.
Pas këtij vështrimi historik, kësaj retrospektive, lind natyrshëm një pyetje sugjestive, që thellë – thellë e ka përgjigjen brenda: Kush është e para, Strora e këngës apo kënga e Strorës?!…
Djemtë e këtij fshati, të kamur apo të varfër ekonomikisht, kudo që janë, duhet ta evidentojnë këtë vlerë, të mblidhen, të organizohen, t’i shkundin pluhurin e harresës dhe pse jo ta ringrehin Grupin e Strorës.
Ky do të jetë akti më i mirë dhe më sublim në kujtim të etërve të tyre, për të mbajtur lart emrin që ata i dhanë Strorës, me të cilën krenohen kudo që shkojnë.