Noli për bukuritë e Kolonjës: “Do të ngrihja në vendlindjen e të parëve të mi një kasolle në behar”
Ja çfarë thotë që para 100 vjetësh Fan Noli, një nga figurat më të ndritura të kulturës shiptare, për pasuritë dhe bukuritë e vëndlindjes të të parëve të tij
Zylyftar Hoxha
“Sa vend i bukur. Kur ta shpallim Shqipërinë Republikë, do të ndërtoj atje një kasolle dhe çdo behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”, ishte shprehur në kohë të vetë Noli.
Kjo dëshirë e tij është gdhendur sot në faqen e gurtë të një memoriali, për t’u kujtuar jo vetëm kolonjarëve, por të gjithëve, se Kolonja është parë prej kohësh si një destinacion i mahnitshëm turistik.
Të tillë, të bukur dhe joshëse, e bën Kolonjën historia, veçanërisht ajo e periudhës së Rilindjes Kombëtare, ku më shumë se gjysma e figurave historike të asaj kohe, kapedanë trima, mësues heronj e ideologë të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë ishin ose kishin origjinën nga Kolonja;
Të tillë, të bukur dhe joshëse e bëjnë Kolonjën monumentet e shumta natyrore që shtrihen nga mali i Gramozit, në pllajën e famshme poshtë tij, 1100 m mbi nivelin e detit, me ata fshatra piktoreskë nga jashtë dhe të ngrohtë e miqësorë nga brenda;
Të tillë të bukur dhe joshëse e bëjnë Kolonjën, Leskoviku, Rehova, Çuka e Peçit në vargmalin e Gramozit, kanionet e Virkës, Borovës, Pagomenit, Ujvara e Rehovës, Pishat e Pogonicës, mali i Koziakut, liqeni karstik akullnajor i Gramozit, Sheleguri, Korija e Shën Kollit të Vodicës, shpella karstike e Podës, Urat e moçme të gurta të Postenanit dhe Radovës, Llixhat e Sarandaporit, vendbanimi neolitik në fshatin Kamnik, kalatë, tumat, kishat e teqetë historike shekullore etj.;
Të tillë, të bukur dhe joshëse e bëjnë Kolonjën, muzika monumentale kolonjare, vallet e veshjet tradicionale unikale në llojin e vetë;
Të tillë, të bukur dhe me miq të shumtë, turistë vendas dhe të huaj, e bëjnë Kolonjën pritja dhe përcjellja, mbi të gjitha kuzhina, byreku i saj i veçantë, të cilit Noli i “ngriti” një lapidar të vogël, kur, ditën e 28 nëntorit të vitit 1923, gjatë vizitës në shtëpinë e Kristo Kirkës në Korçë, tek provoi byrekun korçar, i tha me shaka të zotit të shtëpisë: “Shumë i shijshëm qenka, si byreku i Kolonjës”!… “Ku e ke provuar byrekun e Kolonjës”?! – e ngacmoi Kristoja. “Në Amerikë”! – tha Noli;
Të tillë, të bukur dhe joshëse e bëjnë Kolonjën njerëzit e saj, të mëdhenj e të vegjël, punëtorë dhe me kulturë pune, e bën dashuria dhe respekti që kanë ata për veten, vendin dhe vlerat e tyre të gjithanshme.