Merci beaucoup, Annie Ernaux! Faleminderit i yni Ismail Kadare!

Merci beaucoup, Annie Ernaux! Faleminderit i yni Ismail Kadare!

Petrit F. Zeneli 

 

Pa xhelozi për ju, ikonë franceze Annie, Fituese e Çmimit Nobel në letërsi për vitin 2022! Eh sikur çmimi, tejet  dëshiruar dhe shumëpritur dekadash, të vinte më në fund në Shqipëri, por…, s’ishte e thënë përsëri, s’ish në dorën tonë, fundja ka njerëz më të mençur se ne! Suedezët nuhasin se ku i pikon çatia kësaj bote! Dinë diagnozën dhe ilaçin që i bën derman kësaj toke!

 

Gjithësesi, për shqiptarinë jeni e do mbeteni yll i letrave Shqipe ndër shekuj, Kadare; e pëlqej s’e pëlqej unë apo ai tjetri sqimën, egon, tejzgjuarsinë, ambicjen tuaj “të pafre”, që s’na lënë të shohim madhështinë, përtej hundës time!

 

Çuditërisht, kohërat kanë injektuar në dejet tona e në gen, pa u ndjerë (pikë-pikë), ndjenjën e çuditshme dashuri dhe urrejtje njëherësh, për të mirin, për të diturin, për të bukurin, për guximtarin e trimin, që prehje edhe në paqe edhe në luftë nuk gjen!

 

…Pse ma kalove.., pse s’flet si unë…, pse më shtype do të shtyp…, pse s’e do partinë time.., pse di dhe ke më shumë, u bëre ti….pse s’je me ne…urrejte…le të na venë gurët në lumë!…

 

Por le të kthehemi tek nobelistja 82-vjeçare, Annie Ernaux, që me shpirtin rrebel e të dhimbsur njëherësh, jo vetëm Francës i dha tjetër famë, por edhe botës një mesazh të fortë për të flakur tej falsitetet, në qoftë se do nga shkatërrimi njerëzimi të kthehet!

 

Pena e saj e mprehte në mbi 20 vepra me prozë autobiografike (kushtuar vetes, babait, nënës…), është një hap përtej botëve imagjinare të trillimeve, me një gjuhë të thjeshtë, me një stil të farkëtuar dhe transparent. Ajo e quan shkrimin akt politik, duke na hapur sytë për pabarazi sociale, ndaj përdor gjuhën si “thikë”, për të grisur damarët e imagjinatës dhe zbuluar të vërtetën.

 

Në egërsinë e saj të rëndë është një homazh i mrekullueshëm për një grua të fortë, plot dinjitet! Letërsia i jep asaj një strehë për të shkruar atë që është e pamundur të komunikosh në kontakt të drejtpërdrejtë me të tjerët.

 

Ndaj themi shkrimtarët janë inxhinierë të shpirtrave njerëzorë. Ja pra, për këto dhe për guximin apo mprehtësinë me të cilin ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale, këtë shkrimtare e adhuroj!

 

Annie Ernaux, do të ju lexoj, kushdo qofshi! Personalisht më pëlqen të shkruaj e të guxoj fort, të ndërtoj një histori a portret pa imituar askënd (edhe pse më këshillojnë, jo gjatë), por mbi të gjitha nga më të diturit të mësoj,…dhe prapë të mësoj!

 

Shoqëria shqiptare, brezi ynë i ri, më shumë se nga fjalimet e politikanëve apo sherret e analistëve (mbrëmjeve), nga shkrimtarët, nga librat, duhet të iluminohen e të fisnikërohen, për t’ju kthyer më pas, me gaz, punës e dashurisë për njëri-tjetrin!

 

Merci Annie!

 

 

(Foto marrë nga Prof. Fateh M. Malik)