Gjuha e Nënës dhe Anderseni me “rrobat e reja të mbretit”

Gjuha e Nënës dhe Anderseni me “rrobat e reja të mbretit”

Luman Caka

Mes shumë hallesh që kemi, na ka dalë një hall i ri, tëpkë si te “Rrobat e reja të mbretit” në përrallat me famë të Andersenit. Pa e lodhur aspak lexuesin, halli ynë në mes hallesh, është gjuha e Nënës, gjuha shqipe mbi të cilën shkelin sot pa mëshirë, me të dyja këmbët, gjithë ata që e përçmojnë.

 

Nuk është e mundur të përmend këtu luftën shumëshekullore të gjithë burrave dhe grave në emër të Shqipërisë për gjuhën tonë, që nga Veqilharxhi e deri te rilindësi i fundit e më vonë. Alfabeti i shqipes me 36 shkronjat është larë me gjakun e patriotëve të ndritur të këtij kombi të vuajtur shekujve të errësirës, në robëri.

 

Triniteti i korçarëve: Orhan Pojani, Thimi Marko dhe Jovan Cico Kosturi, që hapi shkollën e parë shqipe të Korçës në vitin 1887, sot nuk do të besonte se gjuha shqipe do të ishte në gjendje kaq të mjerueshme.

 

Ndërsa unë që shkruaj, si kofini pas të vjeli, jam vetëm një mësues, si mijëra të tjerë, që nuk mund të duroj këtë mjerim që nuk ka shpjegim. Më dhemb shpirti dhe më qan zemra orë e çast tek shikoj të masakrohet gjuha jonë gjithkund dhe askush nuk proteston e nuk thotë një fjalë. Sot rregullat e drejtshkrimit i dikton rruga. Institucionet përgjegjëse, akademikët, profesorët, shefat e shumtë dhe drejtorët, gazetarët e shkrimtarët flenë gjumin letargjik.

 

Po ku janë, vallë, djemtë dhe vajzat, nipërit dhe stërnipërit, mbesat dhe stërmbesat e gjuhëtarëve tanë pasionantë? Ku janë pasardhësit e Xhuvanit, Çabejt, Kostallarit, Domit, Demirajt, Kastratit etj. etj. Ku janë dhe pse heshtin pasardhësit e 87 delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të nëntorit 1972?

 

Ministria e Arsimit dhe Akademia e Shkencavve kanë dalë e i bien fyellit, si Noli në vitin 1924, kur Shqipërinë po e merrte lumi zogisto-biellogardist. U zbehën, u anashkaluan, u harruan dhe gati u mohuan vendimet eKongresit të vitit 1972, që në hershmëri u provuan se ishin vlerë mbarëkombëtare dhe qenë miratuar edhe nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqipfolëse.

 

Kush duhet të thërresë mbajtjen e Kongresit të tretë për gjuhën? Pse heshtet? Pse zvarritet? Kush bën sehir? A ka zot gjuha jonë? Pse u bë ajo vrima e fundit e kavallit?

 

Ai që nuk shikon problemet aktuale të shqipes së sotme, është qorr!

 

Në pamundësi që të pasqyroj këtu, sado shkurt, çdo masakrim që bëhet mbi gjuhën tonë të shkruar, po përmend shkeljet më tipike:

 

  • Shkronja e madhe përdoret ku nuk duhet dhe nuk përdoret kur duhet (Ditët e javës, emrat e muajve dhe stinëve nuk ka pse të shkruhen me shkronjë të madhe, por me shkronjë të vogël).

 

  • Ë-ja fundore dhe në trup të fjalës, shpesh herë mungon.

 

  • Përemri vetor, veta e parë shumës, rasa emërore ne zëvendësohet me dhanoren, neve.

 

  • Data nuk shkruhen sipas drejtshkrimit (5. 7.2022), por sipas qejfit (5/7/2022), (5-7-2022). Ndahen me hunj e me shkopinj.

 

  • Ka afro 30 rregulla për ndarjen e fjalës në rrokje në fund të rreshtit, por veprohet qa keq, sa në fund të rreshtit shkronjat e përbëra: dh, ll, gj, nj,…zh, ndahen, vaj halli për më tej.

 

  • Apostrofi vendoset kudo, ku nuk duhet dhe rallë herë atje ku është i domosdoshëm.

 

  • Në vend të foljes luftoj, shkruhet e flitet lëftoj, kur dihet se kjo folje vjen nga emri luftë e jo lëftë!

 

  • Shalqin dhe jo shalqir; i gjelbër, por jo i gjelbërt; bashkautor, por jo bashkëautor; i moshuar, por jo moshizëm; u plagos apo u lëndua (U lëndua dikush që është plagosur. Nuk lëndohet ai që nuk është plagosur! Këto dy fjlaë nuk janë sinonime).

 

Trembëdhjet vite para Kongresit të vitit 1972, dmth në vitin 1959, Xhuvani i paharruar botoi librin “Për pastërtinë egjuhës shqipe”. Duke parë me dhimbje gjendjen e gjuhës sonë sot, të krijohet përshtypja sikur ai e bëri botimin për të kundërtën e titullit që ka.

 

Orientalizmat, sllavizmat e tërë barbarizmat e tjera e kanë për gryke gjuhën tonë. Rrallë gjen lokale shërbimi, tregtie me emërtime shqip. Jemi bërë snobistë të sëmurë pas të huajës.  Ende lexojmë dhe shkruajmë: behar, vadit, vodiçkë, deciziv, eksod, lider, market etj.

 

Kush e prish dhe e dëmton dhe prish dhe gjymton rëndë gjuhën tonë letrare dhe drejtshkrimore?

 

Emigracioni ynë nëpër botë zë vendin e parë. Vendin e dytë  e ca më tepër e zënë televizionet tona, që duket se janë në garë mes tyre për gjymtimin dhe masakrimin e gjuhës pa kufi dhe pa  as keqardhjen më të vogël. Parlamenti nëpërmjet deputetëve që diskutojnë, të rrëmbyer nga emocionet politike, pa u merakosur dhe pa ditur nëse lënë rregull të pashkelur në gjuhën shqipe etj.

 

Faktorë të tjerë që influencojnë negativisht në gjuhën shqipe janë të shumtë dhe nuk mund të zgjatemi, por nuk mund të mos vëmë në dukje edhe rolin e marrëdhënieve me Kosovën. Jemi një komb, por jeta e gjatë në robëri e ka bërë popullin e Kosovës të manifestojë edhe dukuri  kundër normës gjuhësore. Këtu nuk e kam fjalën për krahinorizmat, të cilat nuk mungojnë as në vendin  tonë amë.  Vetëm  një shembull po sjell: Emri i një ministri kosovar shkruhet dhe shqiptohet në katër  forma: Behxhet, Behgjet, Beçet etj, kur mund të kishte vetëm një formë.

 

Kështu si ky ka shembuj të tjerë plot.

 

Fatkeqësisht edhe hendeku midis dy djalekteve, në vend që të ngushtohet, po zgjerohet dhe jep ndikim negativ ndaj gjuhës letrare.

 

Dhe në fund (paçka se nuk munda t’i përmendja të gjitha sa desha, duhet të përmend se çdo mal e çdo send ka një pronar, një zot. Por gjuha jonë e nënës nuk është pronë individësh. Kush është zoti i gjuhës sonë? Edhe sa vite do të presim sa të zgjohen nga gjumi i thellë institucionet përgjegjëse?

 

Deri sot nuk ka asnjë sinjal!