Nuri Vërzhezha, një emër i përveçëm në pemëtarinë shqiptare

Nuri Vërzhezha, një emër i përveçëm në pemëtarinë shqiptare

Edhe pse ka punuar një jetë të tërë në shërbim të pemëtarisë, Nuri Vërzhezha vetëm ka heshtur. Edhe pse që në vegjëli ka hedhur pushkën në supet e njomë, nuk ka patur dëshirë të flasë asnjë fjalë. Heshturazi ka luftuar, heshtuarazi ka punuar dhe heshturazi ka jetuar dhe heshtur rri edhe atje ku wshtw sot, nw Parajsw.

 

Ndër të thjeshtët, është më i thjeshti, ndaj të heshturit, është më i heshturi, ndaj specialistëve të pemëtarisë, është në rreshtin e parë. Ashtu, i heshtur, i ka dhënë emër vetes.

 

Ndonëse bir i Vërzhezhës së Skraparit, ikur prej vitesh nga varfëria në disa rrethe të vendit, mbiemri Vërzhezha që mbajti në kujtim të fshatit, vinte e dëgjohej pothuaj çdo ditë në fshatin e tij në saje të punës që bënte.

 

Ishte familja më e varfër e fshatit, por e ndershme dhe patriote. Aliu, i ati, vajti e shkrepi andej nga Vlora në ’20-ën e pastaj në formacionet partizane. Kjo ishte rruga që Aliu i tregonte të birit, i cili, megjithëse shëndetlig e i pakët, shkoi në formacionet partizane sa në Përmet, Berat, Myzeqe e Durrës.

 

Disa herë e kishin dërguar pranë familjes sa për të marrë veten si i vogël e i sëmurë që ishte, por Nuriu me t’u përmirësuar, shkonte përsëri te partizanët, deri sa më në fund u inkuadrua në Brigadën e 10-të Sulmuese, për të mos e hequr pushkën nga supet deri në çlirimin e vendit. Nga ajo brigadë, kur luftonin për çlirimin e Tiranës, i kishte mbetur në shpirt një dhimbje e rëndë, kur pa komisarin e kompanisë, Alush Grepckën pa jetë.

 

Lufta mbaroi, por Brigadës së 10-të iu ngarkua detyra e mbrojtjes së kufijve të vendit. Nuriun si shëndetlig e të sëmurë e kthejnë në komandat e vendit. I qëlloi këto kohë të punojë me Reshat Gërmenjin, Asllan Osojën, Muhamet Zhabanin, Hetem Kapinovën e burra të tjerë me emër të kësaj krahine.

 

Por djaloshi nga Vërzhezha e kishte mendjen te shkolla. Në vitin 1946, si merakçi për bujqësinë, shkon në Malin e Robit, ku ishte ngritur një shkollë bujqësore, por vetëm për një vit, pasi nga rezultatet e mira e dërgojnë për specializim në një shkollë të mesme për frutikulturë në Kroaci të Jugosllavisë së atëhershme.

 

Në vitin 1949 u kthye nga Kroacia dhe e caktojnë agronom në fermën e Sukthit në Durrës, ku punoi vetëm një vit, sepse me kërkesën e tij e çojnë në ndërmarrjen e ullishtes në Berat, sektori i Otllakut. Atje gjeti një shokun e tij me pasion të veçantë për pemëtarinë, Bedri Lumanin, që ka qenë përgjegjës sektori dhe nuk e harron kurrë.

 

Mirëpo Nuriu e ndjen se nuk ishte i plotë në profesion, ndaj dhe vendosi të bëjë majën e shkollës së atëhershme, Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, ku më së shumti u mor me punë shkencore.

 

Kur mbaroi e caktuan në Berat, në seksionin e bujqësisë. Por ato zyra sikur i merrnin frymën, pasi i mungonin pemët, por edhe aty ai e gjeti veten, se i bridhte mendja jashtë nëpër kodrat e Uznovës, për të cilat qe iniciatori dhe projektuesi i atij blloku të famshëm me fiq, që çuditi edhe korifenjtë e vjetër të bujqësisë.

 

Me krijimin e qarqeve në vitin 1954, e transferojnë në Lushnjë, në detyrën e përgjegjësit të farërave për të gjithë Myzeqenë. Mirëpo ai që ishte bërë shkencëtar i pemëtarisë, rrinte si malakta dhe nuk i kishte qejf karriget, sepse sapo i kishte lënë zyrat. Edhe atje, që ishte në mes të pemëve, kishte sytë nga kodrat e zhveshura të Lushnjës, që rrinin batall, kur qyteti vuante për fruta.

 

Tepër i heshtur bënte tertipe t’i kthente ato kodra në shërbim të banorëve të rrethit. Por, pikërisht atëhere kur atij i bridhte mendja nëpër kodrat, e emërojnë agronom në seksionin e bujqësisë! Përsëri zyrë, por edhe nga kjo zyrë ai shikonte ëndrrën e tij, deri sa një ditë (ajo ishte më e lumtura në jetën e tij) dikush i diktoi dëshirën e tij të heshtur për të krijuar ndërmarrjen e fidanëve frutorë dhe përhapjen e përvojës së përparuar nëpërmjet teknikumit me profil bujqësor, që u ngrit pranë kësaj ndërmarrjeje. Punës i kishte vajtur ustai.

 

Por s’ishte e lehtë se Lushnja ishte mësuar vetëm me drithërat e bukës. Ishte një koncept që kishte zënë vend në mendjen e të gjithëve, madje edhe të specialistëve. Iu desh që një pjesë të kohës të merrej më konceptet tyre. Luftoi shumë dhe fitoi.

 

Një ditë të bukur Nuriu shkoi në fshatrat e zonës së Himarës për të siguruar fidanë mandarine. S’kishin parë djerrinat e Lushnjës fidanë mandarine. Fillimisht heshtën e u çuditën, ç’ishin ata gjemba që zinin arat e kodrat e tyre. Kur u zunë fidanët dhe hodhën shtat, diçka përpëlitën me veten e tyre, por kur panë kokrrat të verdheshin e të kishin sheqerin e duhur, vajtën dhe e përqafuan Nuri Vërzhezhën.

 

Që atëherë në kodrat dhe djerrinat e Lushnjës komandën e kishte Nuriu. Kështu u hodhën bazat për krijimin e vreshtave të rinj në zonën kodrinore, sidomos në masivin në kodrat e Dushkut, e cila u bë një bazë e fuqishme për prodhimin e rrushit. Ndërmarrja u bë model në të gjitha ndërmarrjet e kësaj kategorie në organizim, drejtim shkencor, duke aplikuar gjithmonë teknologji të reja.

 

Të gjitha këto bëheshin në bazë të studimeve që bënte Nuriu. Çdo ditë mendonte e studionte si të fuste kultivarë të rinj në shërbim të banorëve. Për një kohë të gjatë u mor me studimin për zhvillimin e agrumeve në zonat e ngrohta në të gjithë vendin. U përpoq dhe gjeti një varietet mandarine pa farë, që i rezistonte temperaturës së ulët si dhe siguronte cilësinë e prodhimit. Dhe me forcën dhe mundin e tij, mandarina është bërë kryezonjë e pemëve në të gjithë Myzeqenë.

 

Puna 25-vjeçare në krye të kësaj ndërmarrjeje tërhoqi vëmendjen e shtypit. Të gjithë gazetarët vrapuan drejt ndërmarrjes së Nuriut. Ata e pyesnin, Nuriu shikonte nga kodrat e veshura duke buzëqeshur dhe s’hapte gojë. A fliste dot Nuriu më bukur se ato blloqe me vreshta. Gazetat mbushnin faqet me punën e lavdërueshme të tij, radioja jepte në çdo edicion lajmesh e programesh për bujqësinë shembullin dhe emrin e tij. Nuriu sërish, heshturazi vriste mendjen për një kultivar tjetër.

 

Në vitin 1970 për herë të parë Nuriu solli një lloj peme ekzotike me emrin tashmë të njohur  kivi (aklimidie). Me këtë lloj peme mbolli pemishten e parë në Karbunarë, ku ishte selia e ndërmarrjes. Edhe pse Nuriu ishte zot i punës, konsultohej me shumë specialistë. Ai dinte të komunikonte me njerëzit dhe pemët.

 

Një ditë Nuriut i fluturoi mendja në ato ultësirat e fshatit të tij, në Vërzhezhë. Pse të mos futej edhe atje mandarina? I ra telefonit dhe kërkoi bashkëfshatarin e tij , Gëzim Gjineci, që ishte agronom në Skrapar. Ato ditë Gëzimi ishte caktuar me punë në fshatin e tij. U takuan dhe e pleqëruan mirë propozimin, dhe, për herë të parë begenisi që krahas pemëve të tjera të bashkëjetojë edhe mandarina në Skrapar, që tani ka veshur tërë ultësirat e këtij rrethi.

 

Ishte një rast unikal në atë sistem, që të qëndroje në një detyrë drejtuese, siç ndenji Nuri Vërzhezha për 35 vjet, ku shumë herë prodhimi është në dorën e natyrës. Ishtë zotësia e tij, i cili diti të merrej vesh me natyrën.

 

Ai punoi dhe studioi, sepse zotëronte italishten, rusishten, serbo-kroatishten, bullgarishten etj., nga të cilat ka përkthyer volume të tëra, që i kanë shërbyer për të realizuar detyrën e ngarkuar.

 

Kurrë nuk shkroi për vete, por për pemët, të cilave u ka kushtuar tre libra dhe disa artikuj shkencorë, si dhe është edhe bashkautor i disa teksteve për frutikulturën.