Rubrika periodike sociale e ekonomistit Fatos Muçaj: Bujqësia, hall i madh, por një hall që s’e qan njeri!…
…E djegur, e mavijosur, e mbytur, e sakatosur dhe kallkanosur nga dielli, vapa, bora, ngrica, breshëri, shiu dhe, mbi të gjitha, Njeriu!…
Fatos Muçaj
Të ardhurat nga bujqësia për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare janë në nivel shumë të ulët dhe në dhjetëra mijëra raste janë zero dhe me humbje.
Kjo për fermerin dhe bujkun e zonave malore, sepse fermeri i zonës fushore, (Berat, Lushnje, Fier, Vlorë, Durrës, Lezhë, Elbasan, Korçë) është me mundësi më të mira për zhvillimin e bujqësisë.
Pse fermeri është në dilemë: Të mbjellë apo jo tokën?…
Vështirësitë fillojnë me përgatitjen e tokës për mbjellje, me mbjelljen, me shërbimet pas mbjelljes, me vjeljen e prodhimit dhe deri tek tregtimi i tij.
Fermat bujqësore, nëse mund ti quajmë kështu, janë mjaft të vogla dhe pothuajse familjare.
Organizimi i fermës së vogël, në përgjithësi, i kushtohet plotësimit të nevojave të familjes dhe çka tepron drejtohet për treg.
Asistenca teknike është me kosto të lartë.
Është kjo arsyeja që shpesh asistenca nuk u kërkohet specialistëve ose dhe nuk vlerësohet siç duhet.
Bujkut i mungojnë kushtet dhe përvoja të merret me tregtimin e prodhimit.
Kjo bën që të ketë rrjedhje të shumta të ardhurash nga buxheti i familjes fshatare dhe ulje të efektivitetit së shpenzimeve të kryera.
Nga prodhuesi te konsumatori shpesh futen hallka të panevojshme të cilat rrisin çmimin e produktit dhe e bëjnë atë lehtësisht të konkurrueshëm nga i njëjti produkt i ardhur nga importi.
Nga ana tjetër, copëtimi i tokës në pronarë me sipërfaqe mesatarisht 10-20 dynymë, imponon një bujqësi joproduktive.
Sot pothuajse nuk ekziston ndonjë mekanizëm ligjor që të nxisë prodhimin e madh ose një fermë më të konsoliduar.
Mungesa e mjeteve të mekanizuara, e standardeve për lëndët e para në bujqësi, përdorimi i farave, fidanëve, plehrave kimikë, kimikateve mbrojtëse të bimëve të përshtatshme jo vetëm ul prodhimin, por dëmton cilësinë e produktit dhe ul ndjeshëm përfitimet ekonomike.
Toka shpesh herë punohet akoma si në kohët e largëta, me parmendë e tërhequr nga gomari, mushka, kali apo edhe nga qetë.
Punohet toka me frezë dore.
Ta punosh me traktorë kushton shumë.
Në shumë raste tregëtarët e farave dhe fidanëve janë treguar më shumë se matrapazë duke ju shitur fara tjetër për tjerër, fidanë tjetër për tjerër, me rendiment shumë të ulët prodhimi dhe me çmimestratosferike.
Ku janë farat e gjeneracionit të parë, të dytë apo të tretë që prodhoheshin dikur??
Ku janë parcelat eksperimentale apo tregëtarët që i prodhojnë këto??
Asgjëkund nuk janë, se nuk ka.
Kush di, le të më thotë.
Ku është Azotiku i Fierit??
Apo ishte i komunizmit??
Ku është Superfosfati i Laçit??
Apo ishte i Socializmit??
U kënaqëm dhe u ekzaltuam pa masë kur i prishëm dhe i çarvalitëm.
Uzina dhe fabrika që prodhonin sasira shumë të mëdha plehrash kimik, shumë të nevojshëm për bujqësinë.
Më e sikletshmja dhe më e turpshmja është se bujku apo fermeri nuk ka asnjë lloj garancie në shitjen e prodhimit bujqësor.
Subjektet që merren me grumbullimin e prodhimit, nga bukju, janë subjekte të cilat duan të fitojnë për vete dhe tja “zhvasin” bujkut prodhimin me një çmim qesharak.
E mbjell tokën me drithra, rrush, mollë, patate, perime, nuk i shet dot se ata palo tregëtarë e kërkojnë prodhimin për dy lek të qelbura.
Ngelet prodhimi, kalbet, flaket apo ju jepet bagëtive në se kanë.
Fermeri pas disa vjetësh investim, i trishtuar, i përlotur, i pret pemët, i pret hardhitë sepse i ka shkuar mundimi kot.
Rezultati: Më i varfër se më parë.
A i keni parë kronikat televizive që janë dhënë për këto raste??
Është për të ardhur keq.
Fshatari iritohet dhe mallkon veten dhe shtetin, derdh kokrrën e lotit dhe qan me ngashërim se nuk i shitet prodhimi, i ikën përpjekja dhe mundimi për lesh.
Janë këto disa nga arsyet e rënies së interesit të familjes fshatare për t’u marrë me tokën, e deri në mjaft raste të braktisjes së tokës bujqësore apo deri në largime masive të popullsisë fshatare drejt zonave urbane me shpresë të një jetë më të mirë.
Janë të shumta fshatrat sidomos në zona të thella rurale, të cilat janë braktisur dhe shumë prej tyre janë në prag të braktisjes së plotë.
Politikat ekonomike të qeverisë nuk mungojnë në drejtim të bujqësisë dhe të fshatit.
Ka fonde të Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së plot, ka shumë madje, qindra milion USD.
Ka zhvillim të agroturizmit dhe shumë mirë madje që po zhvillohet, është realitet.
Po kush i merr këto fonde?
Bujku?
Fermeri?
Jo, jo, jo. Ata marrin thërrimet që lënë ujqërit dhe çakenjt e pa ngopur.
Të shikosh kushtet që duhet të plotësojë fermeri për të përfituar nga fondet e shtetit, të zë lemeria, të vësh duart në kokë.
Futuni dhe shikoni vet tek AZHBR-ja kush i ka marrë fondet se atje janë listat e plota dhe shumat përkatëse.
Fondet i merr tregtari i mirëfilltë, tregtari i cili në shumë raste dhe shpesh here është matrapaz (për të mos i thënë rrjepës), me bujkun dhe fermerin.
Nga të dhënat e INSTAT kemi:
Për janar-shtator 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 366 mld lekë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 695 mld lekë, pra deficiti tregtar arriti vlerën 329 mld lekë.
Më e çuditshmja është se vlera e mallrave bujqësorë të eksportuar për 1 vit është e barabartë me vlerën e mishit të importuar nga jashtë vendit.
Akoma më e çuditshme është se çmimi i mishit për kg për eksport eshtë rreth 1,600 lekë kilogrami, ndërkohë që importohet me vetëm 150-200 lekë/kg.
Çmimet e drithrave për export janë mesatarisht 98-100 lekë/kg dhe ato që importojmë janë 40-50 lekë/kg.
Por si shpjegohet që kemi këto çmime kështu?
Njëarsye lidhet me cilësinë, kur flasim për produkte si mishi, mes eksportit dhe importit.
Cilësia e mishit që eksportohet është shumë herë më i mirë se ai që importohet.
E shikoni çfarë cilësie mishi hamë?!…
Arsyeja tjetër kam bindjen se ka të bëjë me informalitetin, evazionin fiskal, pra mosdeklarimin e saktë të çmimit të blerjes, në doganë, për efekte tatimore.
Pra këto shifra çmimesh e tregojnë qartë se përse prodhimi vendas konkurrohet bindshëm dhe shumë lehtë nga ai i jashtëm.
Po nga të dhënat e INSTAT rezulton:
A e dini se?
Në vitin 2017 janë prodhuar gjithsej 701,700 tonë drithra.
Në vitin 2021 janë prodhuar gjithsej 691,400 tonë drithra.
Gati 10,000 tonë drithra më pak në 2021.
Pse tonë më pak drithra prodhuar?
A e dini se?
Në vitin 2005 kanë qënë mbjellë me drithëra gjithsej 147,700 ha.
Në vitin 2021 kanë qënë mbjellë me drithëra gjithsej 134,300 ha.
Mbjellë më pak në 2021 sipërfaqe me drithëra 13,400 ha.
Pse kaq ha më pak mbjellë me drithra?
A e dini se?
Në vitin 2005 kanë qënë mbjellë me grurë gjithsej 82,400 ha.
Në vitin 2021 kanë qënë mbjellë me grurë gjithsej 54,500 ha.
Mbjellë më pak në 2021 sipërfaqe me grurë 27,900 ha.
Pse kaq shumë ha grurë mbjellë më pak???
Qeverria do japë 30,000 lekë/ha për bujkun që do mbjellë grurë, e miratuar kjo.
Shumë mirë, duhet mbështetur kjo iniciativë.
Të shohim e të presim se a do të jetë efikase, apo do të rezultojnë fiasko dhe do të shtojë korrupsionin më shumë me fondet e alokuara.
A e dini se?
Në vitin 2021 sipërfaqja potenciale për t’u ujitur gjithsej është 361,180 ha.
Në vitin 2021 sipërfaqja aktuale për tu ujitur gjithsej është 244,698 ha.
Në vitin 2021 sipërfaqja faktike e ujitur gjithsej është 187,970 ha.
Gati ½ e sipërfaqja potenciale nuk është ujitur.
Pse kaq shumë ha më pak pa ujitur?
Sipas të dhënave të INSTAT ekonomia e vendit në vitin 2021 u rrit me rimet të larta të dy dekadave të fundit me mbi 8,5%, ndërsa bujqësia sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjerë me vetëm 0.28%. E njëjta situatë ka vijuar edhe në tremujorin e parë dhe të dytë 2022 me rritje vetëm 0.1%.
Gjatë vitet e fundit ankesat e fermerëve janë rritur në lidhje me kostot e larta dhe mungesën e fuqisë punëtore. Bujqësia shqiptare ka mbështetjen më të ulët buxhetore në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, ndaj prodhimet shqiptare po bëhen gjithnjë e më pak konkuruese.
Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para ka lënë pa mbjellë qindra mijra hektarë tokë. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 150% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar.
A e dini se bujqësia në vitin 2021 shënoi ritmet më të ulëta të rritjes në 24 vjet??
Vazhdojmë më tutje:
A e dini se?…
Nga historia dhe burimet dokumentare mbi fenomenin e përmbytjeve në Shqipëri kanë ndodhur përmbytje në vitet 1854, 1860, 1865, 1867, 1868, 1869, 1870, 1871, 1937, 1952, 1962, 1963, 1983, 2010, 2015, 2017, 2021 dhe jo më larg se para 2 javësh.
Përmbytjet e vitit 1962-1963, thonë se kanë qenë më të mëdhatë e të gjitha përmbytjeve, që kanë ndodhur në Shqipëri përgjatë shekullit të XX-të e deri sot.
Pse ndodhin përmbytjet?
Nga sistemi hidrografik (hapja e portave të hidrocentraleve, keq menaxhimi i tyre).
Argjinaturat e lumenjve (shkatërrimi i lumenjve).
Mos funksionimi i kanaleve kulluese (prishja, bllokimi dhe mos pastrimi i tyre).
Mos funksionimi i hidrovorëve (prishja e tyre dhe mungesa e emergjisë elektrike).
Faktorë të tjerë kryesorë dhe dytësorë (qeverria dhe vet dora e njeriut).
A e pat se çfarë ndodhi jo më larg se para 2 jave me përmbytjet??
Afër fundit:
Nga mezi i muajit tetor 2022 isha në fshatin tim të lindjes, Osojë, Skrapar.
Bëra një bisedë me dajën tim Lefterin, të cilin e gjeta duke përgatitur tokën me një frezë dore dhe e bënte gati për mbjellje me grurë.
-Po hë, mor dajë, i thashë, si ja kaloni, me shëndet dhe me këto prodhimet bujqësore??
-Nuk ja vlen aspak, o nipçe, më tha.
-Prit të bëhet më mirë por më keq po bëhet.
Si do bëhet më mirë kur unë robëtohem gjithë vitin dhe një kv grurë blihet me 3,500-4,000 lekë, ndërsa një kuintal hime blihet më shumë se 3,700-4,200 lekë??
-Ky është një çmim që nuk justifikon aspak koston dhe mundin tim.
Unë më mirë ua jap pulave dhe atyre pak bagëtie që kam, sesa t’ua shes tregtarëve.
Këtu punon, i bën shërbim tokës, ujë për vaditje s’ka, sytë nga qielli, bëhetapo nuk bëhet prodhimi, dhe në fund je po aq i varfër.
-Po ti e di, o nipçe -tha, 0 bujqësia është industri pa çati.
Unë nuk kam marrë naftë asnjë litër, pasi nafta shpërndahet sipas qefit dhe në mënyrë selektive sipas bindjeve partiake që ke.
Kësaj i thonë: Prit gomar të mbij bar, o nipçe të keqen daja!…
A e dini se qeveria ka patur ligje të tilla ku 1 litër naftë ja ka shitur më lirë Jahtit se sa bujkut??
Vetëm në Janar 2022 u shtoi jahteve (qeflijve) edhe një takës për lëndën djegëse prej 40 lek/litri.
A e dini se ata palo tregtarë, që ja marrin prodhimin fermerve, për një kore bukë, u kanë atyre disa milion USD pa ju a dhënë?
Disa ditë mund të na vonohet paga pa kaluar dhe bëhemi egërsira dhe jo më djersa e fermerit pa u paguar.
Ja këtë i bëjnë fermerit dhe shteti rri dhe bën sehir.
Para fundit:
Sektori i bujqësisë, që zë me punë rreth 40% të të punësuarve në vend, është në ditë të vështira. Nga një vëzhgimet e ndryshme dhe kronikat televizive në terren, pesimizmi mbizotëron në të gjithë hallkat e zinxhirit bujqësor.
Tregtuesit e lëndëve të para, si plastmasë, apo fidanë, pohojnë për një rënie të ndjeshme të shitjeve, si rrjedhojë e tkurrjes së investimeve, teksa borxhet që u kanë fermerët, kanë arritur në nivele të paqëndrueshme.
Fermerët, që dikur u kthyen nga emigracioni dhe investuan paratë dhe njohuritë në ndërtimin e serave, në vreshtari dhe pemtari, tashmë si për ironi po ikin sërish në emigracion, pasi investimet po iu rezultojnë të dështuara.
Grumbulluesit e mëdhenj pohojnë seproduktet e nisura për eksport në 6 mujorin e pare 2022 ranë me 15-20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 dhe jo për mungesë të kërkesës nga jashtë, por për shkak se është tkurrur prodhimi.
Bujqësia gjithnjë ka qenë problematike në vend, si rrjedhojë e copëzimit të tokave, informalitetit, problemeve me standardizimin dhe cilësinë e produkteve, përdorimin pa kriter të plehrave kimike dhe mospasjes së politikave të qëndrueshme zhvilluese.
Megjithatë, fermerët gjetën hapësira për të investuar, duke shfrytëzuar ato pak avantazhe që kemi, ku më kryesori është klima, që mundëson daljen në treg dy apo tre muaj më herët sesa fqinjët. Nga viti 2010 deri në vitin 2021, eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, investime të shumta u bënë në përpunimin e tyre, si dhe prodhimet bujqësore në global u rritën disi.
Të gjitha këto investime, tashmë po rrezikohen.
Një faktor është rritja e çmimeve të lëndëve të para që importohen.
Faktori i dytë është i brendshëm dhe lidhet me ndryshimet fiskale, që hynë në fuqi këtë vit, të cilat erdhën në momentin më të pafavorshëm: vendosja e TVSH-së prej 10% për inputet bujqësore dhe heqja e skemës së kompensimit prej 6% të TVSH-së (që deri në 2019-n kishte qenë 20%).
Fermerët paralajmërojnë se rreth 30% e serave (që zënë një peshë të rëndësishme në bujqësi) rrezikojnë të falimentojnë.
Heqja e rimbursimit të TVSH-së ka dëmtuar fermerin dhe ka rritur informalitetin, pasi tashmë, ata nuk kanë interes të deklarojnë.
Prandja duhen mekanizma nxitës që të orjentojnë popullsinë fshatare dhe fermerin që ti kthehet tokës, të nxitet e të mbështetet që të mbijetojë në ekonominë e tregut dhe të përmirësojë jetesën e vet, për të dalë nga varfëria e tejskajshme ku është zhytur.
Organizohen seminare dhe kualifikime teknike me prodhuesit dhe në ato pak ose pothuajse aspak flitet për efektivitetin e prodhimit.
Më tepër bëhen seminare për të nxitur marrjen e kredive duke anashkaluar kostot e borxhit dhe pa menduar më parë shfrytëzimin e vetë mundësive të brendshme të familjes.
Pa tjetër Qeverria të gjejë rrugë të zgjidhjes së problemeve në fshat dhe kjo do të ishte faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit.
Tregu është në amulli por ekspertët e sektorit të bujqësisë (njëri prej të cilëve është shoku dhe miku im Z. Ilir Pilku, që e njeh situatën e bujqësisë shumë mirë), kanë shpresa se situata mund të përmirësohet vetëm nëse bëhen disa ndërhyrje si më poshtë:
– Të krijohet bursa e produkteve bujqësore, që do të bënte transparente çmimet e produkteve në vend, por edhe rajon.
– Të bëhet orientimi i prodhimit për t’u përshtatur me nevojat e tregut, që do të shmangte mbiprodhimin dhe hedhjen në kanal të produkteve.
– Të rivendoset shërbimi i agronomisë, që do të garantonte cilësinë dhe do të nxirrte përgjegjësit, në rast se ka prodhime jashtë standardi.
– Të bëhet subvencioni për njësi prodhimi, që përveçse do të ndihmonte direkt prodhuesit, do të ndikonte në formalizimin e sektorit.
-Të nxitet industria përpunuese, për t’i rritur vlerën e shtuar sektorit dhe të kanalizohen në përpunim prodhimet që nuk arrijnë të shiten. Një pjesë e programeve të AZHBR-së të shkojë për industrinë grumbulluese dhe përpunuese.
-Shteti nëpërmjet Ministrisë përkatëse të jetë më afër fermerit dhe gjithashtu të jetë më orientues dhe kërkues llogarie, për çfarë ndodh në terren.
Bujqësia kërkon vëmendje reale dhe jo thjesht shfaqje, si në rastin e prezantimit të skemave të garancisë, apo entuziazmit për të mirat e “Open Balkan”.
Nëse sektori i bujqësisë nuk arrin të bëhet konkurues, Shqipëria, me peshën më të madhe në Europë, në bujqësi, paradoksalisht dhe fatkeqësisht rrezikon të kthehet në një importuese të madhe, ndërsa qytetarët do ta paguajnë me çmime më të shtrenjta.
Në fund:
Konufci ka thënë:
Në se sheh një të uritur, mos i jep oriz: Mësoje ta kultivojë.
Për kë ta ket pasur vallë?
Për fermerin apo Qeverinë?
Mendoheni si t’u dojë kokrra e qiefit…
Doni më për bujqësinë?…
Besoj, jo.
E teprova?
Po.
S’ka gjë, pa problem.
Ja vlente.