Sefedin Çela: Një “pasthënie” për “Ku po shkon pa dashuri”
Sefedin Çela
Kam zgjedhur të bëhem mësues e në 35 vjet punë vetëm dy vjet kam bërë mësuesin: në 13 vende e pozicione pune kam punuar aty ku është dashur të punoj. Libreza ime e punës nga faqja e parë në të fundit është mbushur tërë firma e vula. Ndarë në dy shekuj e në dy sisteme, njëri e kundërta e tjetrit, kam bërë gazetarin, botuesin, menaxherin në kulturë e në arte e në median audiovizive e them se ia kam dalë, kam ruajtur fytyrën.
Nuk kam thyer kazmën në punë, nuk kam bërë asnjë heroizëm për be, por të ruash fytyrën kur gjithëçka kthehet përmbys e gjithçka bëhet pazarhane, pa din e iman, më duket vetja se çoç jam e çoç kam bërë!
Më është dashur të njoh nga afër e të punoj me aktorë e regjisorë, kompozitorë e dirigjentë, piktorë e skulptorë, koreografë, të gjithë me emër të madh, t’i kem miq e të mësoj prej tyre, fat që shumë pak njerëz kanë patur rast t’a kenë.
Më është dashur të shkel me pëllëmbë Shqipërinë nga Veriu në Jug, të njoh e të shkruaj për personazhe të mrekullueshëm të punës, nga ata që ndërtonin diga e hidrocentrale e që nga dashuria për çka bënin u vinin fëmijëve emrat e kantereve ku kishin lënë besimin e tyre.
Në këto hapësira besoj se kam mësuar e jam rritur edhe vetë si njeri e jam ai që jam.
Flas për të vërtetat e mia, pa vënë veton për gjithçka kam bërë e sërish shoh nga vetja e pyes: çfarë njeriu i bie të kem qënë e të jem?
E megjithatë asnjëherë nuk kam bërë atë që doja më shumë të bëja: të shkruaja!
Nuk e kam bërë se atë që më është kërkuar të bëj e kam pranuar t’a bëj donte përkushtim, jo gjasme, kërkonte dashuri, pa gjasme, kërkonte zemër, pa kushte. I kam bërë.
Nuk kam bërë atë që doja më shumë të bëja, të shkruaj, se kam patur e kam frikë ta bëj!
Sepse të shkruash do të thotë të ndërtosh ose të shkatërrosh duke përdorur fjalën. Nuk ka marrëzi më të keqe se shpërdorimi i fjalës. Më e rëndë se gjithçka është shpërdorimi i lirisë së saj, kthyerja përmbys , të mirën ta bësh të keqe e anasjelltas, t’a shohësh botën bardhë e zi, apo gri, e jo siç është, me aq ngjyra sa ka.
I jam kthyer të shkruarit, si një dashurie të vjetër, e cila vdes me frymën e fundit, tani që nuk më kërkon askush çfarë të bëj, nuk më kërkon kush të shkruaj, nuk më kërkon kush të mos shkruaj.
Derdh shpirtin tim në fb, te kjo shpikje e Zukes, që lë falas një mur të tërë për ca si unë, kohëtepërt, asgjëbërës, marr me të mirë veten, vetëtestohem e vë në provë durimi miqtë e vjetër e miqtë e rinj virtualë për çka them e si e them.
Naim bej Zoto, i riu, nga ata bejlerët e mirë, si Naim bej Frashëri, duket u ka zënë besë atyre që kam thënë e si i kam thënë, pa si a qysh, pa ndarë qar e zarar, vendos e boton këtë librin më poshtë.
Sigurisht, me shumë dashuri.
U përmbys përfundimisht edhe fjala e urtë me karakter klasor “Bej të mirë e kalë jeshil nuk ka”. Gjysma e parë është rrëzuar që nga Frashërllinjtë e deri te ky Naimi im, i riu; gjysmën tjetër e ka rrëzuar miku im tjetër piktor, Pashk Përvathi, në peizazhet e mrekullueshme të të cilit kuajt jeshilë janë aq te bukur sa e vërteta!
Këto janë dashuritë e mia, pa të cilat nuk bëj dot asnjë hap.
Faleminderit, Naim bej!