Rubrika e Ylli Polovinës, “Muzakajt dhe zotërimet e tyre në trevat rreth Tomorrit”: Korridori kryesor rrugor, Dhromi, dega e Egnatias së dikurshme (Pjesa e Tretë)
Ylli Polovina
Në mëngjesin e 27 nëntorit 2011, e diel, i përfshirë prej trillit krijues që ta ndjeja dhe kuptoja sa më mirë Gjon Muzakën dhe përkujtesën e tij, bëra një përpjekje të ikja nga koha ku jetoja dhe t’i afrohesha sa të mundja viteve të fundit të cilët, para se të emigronte, i kaloi në Tomonishtë, në ato pak toka që i patën mbetur.
Qenë pesëqind e dyzetë mote, të cilat duhej t’i kapërceja njëherësh, në një kthim të mundimshëm prapa. Myzeqeja e Vogël, “zbulimi” që më kishte afruar princi i Beratit me testamentin e tij, ishte një ngasje e madhe për të provuar se shekuj më parë ajo hapësirë me atë emër antik të ngjashëm me Tomor, qe një trevë zhvillimi, sot aspak e përfytyruar dot.
Në Tiranë, tek hidhja në kompjuter radhët e germave elektronike, këtë shpërngulje të qenies sime për në Tomonishtë e kisha bërë vazhdimisht vetëm me mendje. Tani më duhej ta kryeja me sa të mundja edhe fizikisht, në vendin e ngjarjes. Prandaj shkova në Berat për t’u ngjitur prej andej deri ku, pasi mbaron dheu, në brezin e tetëqind metrave mbi nivelin e detit, fillon trupi shkëmbor i malit të Tomorit. Nga kjo lartësi do të shkelja pastaj, hap pas hapi, të gjitha territoret ku pesë shekuj e gjysmë më parë lëvizte pa gjetur prehje princi i fundit i Muzakajve.
Për këtë operacion vetësugjestionimi do të më ndihmonin katër banorë të qytetit, por me origjinë nga viset e buzë Tomorit. Dy qenë punonjës të vjetër të Policisë Pyjore, mes tyre edhe nëndrejtori me një makinë mjaft të fuqishme për relieve të vështira malore. I treti ishte kryetari i shoqatës “Mehmet Qiprilliu” dhe i katërti një gazetar lokal, por që për tema historike bashkëpunonte aktivisht me shtypin qendror. Kështu u bëmë pesë vetë, secili me dijet e veta, të gatshme të gjallëroheshin dhe të plekseshin sapo të kapërcenim, si nëpër një ylber, vijën ndarëse të kohës. Terreni ku po shkonim, i kishte disa troje, të cilat mund të na e krijonin sadopak atmosferën që niste me vitin 1468 dhe përfundonte një dekadë më pas, çast kur Gjon Muzaka thotë se në portin e Durrësit hipi fshehurazi në një barkë dhe ajo e solli në Itali.
Njëri prej këtyre vendeve, që zotëronte këtë forcë magjike, ishte rruga iliro-romake.
Fuqinë e kthimit mbrapsht në kohë e kishin edhe disa cilësime toponomastike të vjetra, sidomos njëri, që mbante emrin e një të shenjti të shumënjohur katolik: Shën Pjetër.
Në atë dekadë lëvizjeje të vetmuar, me besim se gjendej nën mbrojtjen e Republikës së Venedikut dhe në refuzim të plotë të joshjeve nga Mehmeti II, Gjon Muzaka përjetoi dy kohë. Në të parën, e cila zgjati tetë vjet, nuk duket se nga osmanët i është rrezikuar jeta fatalisht. Në rrethana të tilla lëvizte nëpër pronat e veta.
Në të dytën periudhë, e cila nga sa tërthorazi na lë dëshmi, duhet të kenë qenë shtrirë në dy vite, i braktisur nga Venediku dhe i shpallur i përndjekur politik prej Perandorisë, qe seriozisht i kërcënuar të vritej. Gjithsesi edhe në këtë rast, sërish për t’u mbrojtur, princi i Beratit ka baritur nga një katund në tjetrin, përherë duke iu ruajtur shtigjeve dhe rrugëve që mundësonin ardhjen e reparteve apo njësive të armatosura komando nga kalaja e Beratit dhe garnizoni turk i Ohrit.
Pa asnjë dokument arkivor, madje edhe me një testament të vetë Gjonit, ku ai nuk ka lënë qoftë edhe një rresht të shkruar me të dhënën se ku qe strehuar, mënyra e vetme për ta përfytyruar ishte përdorimi i hipotezave. Kështu bashkë me të katër shoqëruesit ramë të një mendjeje se njëri prej këtyre vendeve mund të ishte Qyteza. Ndodhej në skajin verilindor të Tomorit, në afërsi të fshatit me emrin Qafë Dardhë. Pesë shekuj më parë ky vendbanim ka qenë thirrur Dardhas (“Dardas” e shkruan italisht Gjon Muzaka).
Dardha
Prej këtu dhe zonëlindjes së Muzakajve, Lavdarit, në vijë ajrore nuk kapërcehen më shumë se një duzinë kilometrash.
Dihet që ne shqiptarët fjalën qytet nuk e kemi autoktone, por në formën “civitas” të huajtur nga periudha e gjatë e pushtimit romak. Duke të befasuar me atë tokë krejtësisht të shkretë nga fryma e njeriut, tashmë Qyteza në buzë Tomor ishte thjesht një shpinë kodre e mbuluar tej për tej nga bari, në tre anë shkëmb i thiktë dhe me mundësi hyrje në sheshin brenda saj vetëm nga njëri drejtim.
Vendbanim ilir ose të paktën i gjalluar gjatë pushtimit romak, pesë e gjashtë shekuj më parë nga dymijëvjeçari ynë, ai ka qenë plot jetë. Qyteza ngrihet mbi lumin e Tomoricës dhe prej thellimave të disa pllakave të mëdha të gurta, nxirrte sasi aq të madhe uji, sa kishte krijuar një bukuri të natyrës: katarakt.
Emri i tij qe Currilat. Aq mbresëlënëse qe kjo ujëvarë, sa për një çast na u duk se nën sugjestionin e asaj pamjeje brezat e hershëm të Muzakajve mund të kishin sendërtuar pikërisht atë vërshim uji në stemën e familjes së tyre.
Por duket nuk është tamam kështu. Stema familjare e Muzakajve, të cilin e mban edhe bashkia e Beratit, nuk është një ujëvarë me currilat që i lëshon poshtë, por një shatërvan me dy rrëkaja të mëdha që i hedh shkumëzueshëm lart.
“Dua gjithashtu të dini se si ishte stema e familjes sonë, shkruan në testament Gjoni, ishte një burim gurgullues me dy sylynjare që shpërthente nga toka; e ky ishte ai burimi i Epirit për të cilin shumë autorë kanë shkruar: “Shuan pishtarët e ndezur e ndez pishtarët e shuar”.
Patjetër bëhet fjalë për vajgurin që del nga nëndheu. Ndryshe nga të gjitha principatat e tjera arbërore, ajo e Muzakajve qe e vetmja me rezerva nafte. Shekujt e mëpasshëm shënuan në hartën e Shqipërisë fusha naftë e gazsjellëse në jo vetëm hapësirën e Myzeqesë, si në zonat e Kuçovës dhe të Patosit, por gjurmë të saj gjenden edhe në Myzeqenë e Vogël, afër Tomorit. Po ashtu kryeqendra e krahinës së Skraparit quhet Çorovodë, çfarë sllavisht do të thotë “uji i zi”. Me të njëjtin emër, por shqip, ndodhet një vend tjetër në krahinën e Tërpanit. Aty gjithçka përreth edhe sot bie erë vajguri.
Kështu duhet pohuar se Muzakajt, kushtëzuar nga koha ku jetuan, sepse atëherë nafta përdorej kryesisht për pishtarë, gjithsesi në historinë tonë janë “bosët” e parë të saj.
Lexuesi i tanishëm, sado ta bëjmë bindshëm kapërcimin prapa të një gjysmë mijëvjeçari, e ka të vështirë të përfytyrojë një Shqipëri tjetër, shumë ndryshe nga kjo sot, ku harta gjeografike është transformuar e mbushur me vendbanime të reja, madje edhe fshatra të vegjël të shndërruar brenda më pak se një shekulli në qytete të zhurmshme e të mbipopulluara, si ngjitur me Beratin është Fieri dhe me Krujën e lashtë Tirana.
Në mesjetë në të tërë jugun e Arbërisë qytet i madh qe vetëm Belgradi, në pjesën e mesme të saj Durrësi dhe në atë të veriut Shkodra. Gjithë të tjerët ose ishin qyteza ose kala garnizonesh, ose fshatra të mëdhenj.
Një beratas i sotëm po ashtu, edhe pse vetveten e sheh mes tetëdhjetë mijë banorëve, afro dymbëdhjetë mijë shtëpive private dhe apartamenteve, një mijë e pesëqind bizneseve, njëzetë e pesë restoranteve të mëdhenj dhe dymbëdhjetë hoteleve, njëzetë e një mijë turistëve të huaj në vit dhe një universiteti me mbi dymijë studentë, nuk e imagjinon dot që në motin e Gjon Muzakës, krahasuar me kohën, ai ishte shumë herë më i zhvilluar dhe i rëndësishëm nga sa përllogaritet të jetë sot.
Një qytet i madh në përmasën e tij të spikatur nuk mbijeton dot vetëm se ka ujë e diell, fushë për të mbjellë prodhime bujqësore dhe mal për të kullotur bagëtitë. Edhe deti a madje oqeani ta kishte bregun tek këmbët e tij, sërish nuk zotërojnë fuqinë për ta bërë të dëgjuar. Duhet patjetër që nëpër të apo pranë tij të kalojë një rrugë. Aspak lokale dhe krahinore, as edhe vetëm nacionale, që nis e mbyllet brenda territorit të etnisë. Duhet të jetë ndërkombëtare.
Berati e kishte këtë. Jo për një apo disa shekuj, por pothuaj që prej çastit kur si vendbanim i hershëm historik, u shndërrua në qytet. Kjo ndodhi pothuaj dymijë e katërqind vite më parë.
Tani ajo nuk funksionon, madje përveç disa vendeve ku kanë mbetur fragmente të kalldrëmta, aty-këtu, të vetmuara, gjithçka tjetër lë përshtypjen e një shtegu të zvargur mali. Që nga çasti i fikjes së saj ka rrjedhur shumë kohë dhe jo vetëm banorët e qytetit, i cili është larg dy duzina kilometrash, por as vendasit, fshatarët e buzë Tomorit, nuk ia dinë saktësisht historinë. Brez pas brezi ata e thërresin thjesht Vromë. Kjo është fjala helene Dhromë (rrugë). Me këtë emër ky korridor komunikacioni është veshur në Mesjetën e Hershme, mbase edhe më parë, kur në këto anë nisi të qeveriste Perandoria e Bizantit, shekulli i katërt i erës së re.
Pasi osmanët e pushtuan Kostandinopojën dhe përfundimisht e asgjësuan perandorinë e vjetër, nëpër këtë rrugë bënë ec e jake, përveç si përherë udhëtarët e tregtarët, edhe reparte të ushtrisë osmane. Por tashmë, në hartën e re gjeopolitike të Ballkanit, pas pushtimeve të reja dhe ndryshimit të rendit gadishullor, drejtimet e lëvizjes patën ndërruar kahe. Perëndimi u zëvendësua nga Lindja.
Në 1466, kur rruga ndërkontinentale Egnatia u mbyll për trafikun e rregullt, kjo Dhromë u bë korridori kryesor. Ky çast gjallërimi përkon me vitet e fundit të Gjon Muzakës në Arbëri. Rëndësia e saj më pas, dekadë pas dekade, nisi të binte dhe harrimi i erdhi pa u vonuar shumë.
Ndërkohë Dhroma më parë se të ishte rrugë bizantine, qe të paktën edhe një gjysmë mijëvjeçari më e lashtë. Ajo ishte iliro-romake. Mjaft e rëndësishme dhe e mbushur me ngjarje të historisë kontinentale. Në shekullin e tretë para Erës së Re, sipas historianëve, për të sulmuar Apolloninë, nëpër të kaloi mbreti Filip V i Maqedonisë (221-179). Kështu vijoi, me në kujtesë të saj emra autoritarë të kohës, deri në vitin 199 të Erës së Re, kur mbi shpinë të saj trokuan, për të kryer misionin e kundërt, sulmin nga Apollonia kundër Maqedonisë, kuajt e armatës së konsullit Sulpicius. Pas këtyre katër shekujve Perandoria Romake e ndërroi drejtimin e lëvizjes së ushtrive të saj, por edhe të njerëzve e mallrave. U zgjodh udha Egnatia.
I kësaj periudhe, i vendosur në pjesën verilindore të rrugës, në një kapërcyell qafe, tamam para se të zbresë poshtë drejt lumit të Tomoricës dhe më pas të hidhet në krahinën e Oparit, ndodhet pllaja Shën Pjetër. Dhe ndërsa në gjurmët e saj përgjatë gjithë buzë malit këtë skaj fundor e ka me emrin katolik, në pikën e fillimit rruga iliro-romake mban rrënojat e një kështjelle antike, të shekullit të katërt apo të tretë të para Erës së Re.
Fortesa ndodhet pranë fshatit Tomor.
Deri tani historianët nuk kanë ndonjë të dhënë si ka qenë emri i saj i vjetër, madje e ndjejnë këtë mungesë edhe si brengë. Por përse të mos mendojmë se e ka pasur ashtu siç e thërresim edhe sot. Tomor është emër i para lindjes së Krishtit dhe ndërtuesit e kështjellës nuk kanë përse të krijonin një tjetër. Ata ishin autoktonë. Romakët, të cilët mund t’i vinin një nofkë latine, erdhën më pas.
Duke qenë se hapësira brenda mureve të kësaj kalaje është e mjaftueshme për të strehuar jo vetëm luftëtarë, por edhe disa familje, ca më tepër shumë të tilla edhe jashtë kështjellës, vendbanimi ka qenë mirëfilli një qytet.
Është kala e vjetër sa pothuaj edhe Berati.
Gjallëronte sa ishte në jetë rruga kontinentale. Bënte rojën e saj. Karvanet e udhëtarëve dhe kolonat e ushtrive, pasi ngjiteshin nga ultësira e luginës së Osumit, tek fortesa e Tomorit mbërrinin në pikën më të lartë. Nga ky skaj jugperëndimor i malit deri në atë verilindor, Shën Pjetër, rrugëtimi qe pothuaj në të njëjtën vijë, lartësia e tetëqind metrave mbi nivelin e detit. Përgjatë udhës ka burime të shumta si edhe pemë shtatlarta, të cilat me krahë degësh shkundin herë hije dhe herë rezet e diellit. Nëpër atë rrugë ecet lehtë dhe shpejt.
Nuk ka përse të mos mendohet që në stinët e përshtatshme për të udhëtuar, jo në dimër, ku rruga iliro-romake ka qenë e mbuluar nga bora, kalaja-qytet e Tomorit të mos jetë përdorur, përveç si vendrojë, edhe si pikë çlodhëse. Cili nuk kishte nge ta bënte këtu rigjenerimin, nuk mund ta shmangte në Shën Pjetër. Këtu ishte i domosdoshëm një pushim, sepse riniste, duke iu avitur krahinës së Oparit, pjesa tjetër e rrugës, ajo që të çonte në brendësi të Ballkanit juglindor, andej ku ndodhej jo vetëm Selaniku, por edhe Kostandinopoja.
Këto dy vende, fortesa e Tomorit dhe Shën Pjetri, janë shenja të sigurta të identitetit antik të Tomonishtës, asaj që më pas prej Muzakajve u quajt edhe Myzeqeja e Vogël. Kur gjithçka në toponomastikën e zonës u përmbys, u tretën në thellësi të historisë po ashtu edhe ata që i dhanë emrin administrativ, ikën drejt harrimit që të dy emërtimet. Veç koha nuk pati aq fuqi sa të zhdukte emrat e kështjellës së Tomorit dhe të kodrinës së Shën Pjetrit. Kalanë dhe qytetin e dikurshëm e ka ruajtur fshati me po atë emër, i cili ndodhet ngjitur, Shën Pjetrin pa asnjë shenjë të gjallë jete e ka ruajtur kujtesa e banorëve. Për plot njëqind gjenerata njerëzore.
Të dy kanë mbetur në tingëllimin shqip, pa u bizantizuar, pa u greqizuar, pa u turqizuar.
Historianët thonë se tashmë zotërojnë të dhëna se kjo rrugë, e venitur disi në shekullin e tretë të Erës së Re, u gjallërua në njëqindvjeçarin e gjashtë dhe të shtatë, kur kalaja e Tomorit u rindërtua dhe rinisi të bëjë rojën e rreptë. Në shekullin e nëntë ajo u përdor nga bullgarët për të pushtuar zonën e Korçës dhe të Beligradit. Në 1336, për ta mposhtur kryengritjen antibizantine arbre erdhi deri në Tomor, Skrapar dhe po ashtu Berat, duke i pushtuar njëri pas tjetrit, vetë perandori i Bizantit, Andronik III Paleolog. Operacionin e kreu me ndihmën e mercenarëve turq, çfarë regjistron një nga kontaktet më të hershme të osmanëve me qytetarët beratas. Në mizorinë e vitit 1356, kur i vëllai i carit serb Stefan Dushan, Simeon Uroshi, sulmoi qytetin, turma e mësymësve erdhi pikërisht nga drejtimi ku ndodhej rruga.
Në betejën e korrikut 1455, në pauzën e njëmbëdhjetë ditëve të armëpushimit, mes shumë hamendjeve se ku shkoi Skënderbeu me gardën e tij dhe trupat e Gjergj Arianitit, herë thuhet se iku në një pyll për të bërë dru për forcimin e rrethimit, herë se shkoi diku për të marrë një kështjellë. Megjithatë të gjitha burimet dëshmojnë vetëm një drejtim të largimit: lindjen. Kështu mundet të ketë qenë kalaja e Tomorit. Rruga dhe fortesa ishin shumë strategjike për operacionin e tij të marrjes së Beratit dhe vijimin e dëbimit të osmanëve nga jugu i Shqipërisë, Epiri.
Nuk duam me këtë rast të shumojmë hamendjet, por gjithsesi sipas asaj që Gjon Muzaka dëshmon në testament-kronikën e tij, këtë kohë Tomonishta ka të ngjarë që të ketë qenë pronë e Gjergj Kastriotit. Me atë ikje të gjatë larg kështjellës së Beratit, ndërsa mes trupave të tij rrethuese nisi anarkia, përse të mos i lëmë hapur një shteg interpretimit se princi i Krujës vetëm çështje të pronës, të zgjerimit apo të kontrollit të saj, e kanë shtyrë të shkojë në thellësinë malore të Tomonishtës. Sepse në këtë territor rruga iliro-romake qe një vijë shumë e njohur komunikacioni, e cila e lehtësonte lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve për luftë, turqit, kur marshuan për të goditur ushtrinë arbëre-italiane, e shmangën dukshëm atë për të zgjedhur një shteg të parrahur. Me siguri ata e kanë ditur se në ato anë po bariste Gjergj Kastrioti.
Siç e kemi informuar lexuesin edhe më parë, këtë çast Gjoni nuk pati lindur, por në këtë vise qeveriste i ati Gjin me të shoqen, Kiranën, motrën e Ugo Zadrimës dhe bijë e Maries.
Rruga kontinentale që kalonte nëpër Tomonishtë, bartëse e historisë, por mbi të gjitha e lëvizjes së popujve, mallrave dhe kulturave, jetës dhe vdekjes, trase e gjallë e zhvillimit, qe shtrati ku u formua edhe dinastia Muzaka. Nëpërmjet saj ata dolën nga “shteti” i tyre i vogël dhe malor i Oparit për t’u zgjeruar jo vetëm drejt Beratit dhe fushës ilirike gjer në Shkumbin, por edhe në bregdetin Jon. Me anën e kësaj rruge komunikacioni e zhvillimi, ata në jug shkuan gjer në Kostur dhe në lindje fituan territorin pjellor të Devollit. Hodhën në dorë edhe Korçën. Gjon Muzaka shkruan se kanë lakmuar edhe Ohrin.
Qafa e Gjarprit
Rruga iliro-romake, e cila dikur vinte nga Apolonia dhe më pas nga Vlora, gjithkund tashmë e zhdukur, por që në buzë Tomor ka lënë gjurmë të saj të kalldrëmta, i mbajti të bashkuar, veçanërisht shumë afër me njëri-tjetrin qytetarët e Beratit me myzeqarët, korçarët me skraparllinjtë. Ajo krijoi një treg unik, që e nxiste përparimin ekonomik. Formoi një kulturë lokale që jepte e merrte lehtësisht jo vetëm me të tjerët, por veçanërisht mes vetes, duke u bërë më e bashkuar e për rrjedhojë e larmishme.
Banorët e Devollit dhe korçarët e sotëm, ata që jetojnë në Skrapar apo në buzë Tomor, në Berat dhe në një pjesë të Myzeqesë, por jo ata në bregdet, të cilët vijnë prej taulantëve, i përkasin të njëjtit fis ilir. Në origjinë janë dasaretë. Kryeqyteti i tyre administrativ qe Pelioni. Në Dasaretinë e djeshme, sipas arkeologëve dhe historianëve, ky nuk është tjetër vendbanim veç në Shqipërinë e sotme, Selca e Poshtme, që ndodhet në Pogradec.
Guri i Prerë
Ndërsa Pelioni qe vendkomanda politike, qyteti-kështjellë i Beratit ishte kryeqendra ekonomike e këtij fisi ilir.
Në rast se principata e Muzakajve rezistoi për shumë kohë dhe u rrënua vetëm për arsye jashtë vullnetit të popullsisë dhe të krerëve të saj, një rrethanë bashkuese dhe forcuese, përveç rrugës kontinentale që i kalonte mes për mes, ka qenë homogjeniteti fisnor i saj, afria e dukshme e banorëve në mënyrën e të menduarit dhe të sjellurit.
Gjergj Kastrioti kreu qëndresë intensive, përveç shumë faktorëve të tjerë të dorës së parë, sepse u mbështet në një popullsi që vinte prej të njëjtës përkatësi ilire, nga dardanët dhe albanët. Ose prej dardano-albanëve, pra një territori që nuk i përfshin hapësirat tërësore të dy fiseve. Vetë Skënderbeu është mirëfilli një dardan, si e gjithë familja prej ku lindi. Mikroshteti i Kastriotëve, dy fshatrat dibranë, u zgjerua më pas me zotërime trojesh nga treva dikur të banuara nga albanë.