A ishte Ismail Qemali, deputeti i parë i Tomorricës?
Nuk është shumë i njohur fakti se Ismail Qemali ishte deputeti i parë dhe përfaqësues i krahinës së Tomorricës në Qeverinë e Vlorës
KLEVIS BAKILLARI
Ka dokumente e të dhëna që Ismail Qemali kishte simpati për skraparasit, të cilët ai nuk i njohu vetëm kur ndërmori hapin e madh, formimin e shtetit shqiptar më 1912.Ai ishte deputet për herë të parë në parlamentin osman si përfaqësues i rajonit Berat-Skrapar- deri në Vlorë në vitet 1908-1911, duke ardhur disa herë në këtë krahinë.
Ajo që e lidhi më tepër këtë burrë të madh me Skraparin, ishte momenti kur përfaqësuesit e krahinës së Tomorricës, të mbledhur në Konak, me anë të një telegrami autorizuan vetë Ismail Qemalin si përfaqësues të tyre, gjë që ai e pranoi me kënaqësi dhe ia vuri në dukje përfaqësisë së mandateve në këshill dhe në qeveri.
Në 18 Nëntorin e vitit 1912, Ismail Qemali njoftoi se deri më datën 25 duhej të ishte zgjedhur përfaqësuesi i zonës për në Kuvendin Kombëtar që do të mbahej në Vlorë për sigurimin e Pavarësisë Kombëtare të vendit.
Konkretisht, kur I.Qemali mbërriti në Durrës pas takimeve me ambasadorë të rëndësishëm europianë, dhe mori rrugën për në Vlorë, ai ka dërguar në Skrapar dy ftesa për të dërguar delegatë në Kuvendin e Pavarësisë së vendit që do të mbahej siç thyhej pas datës 25 nëntor.
Nga këto dy ftesa, njëra ishte për Skraparin dhe tjetra ishte për Tomorricën, pasi Tomorrica deri në 1911, kishte qenë krahinë (nahije) më vete. Por të dy këto telegrame për ftesë ranë në dorën e Xhelal Koprenckës, i cili për hir të së vërtetës, ndërkohë që vetë zgjodhi të përfaqësonte Skraparin, nga ana tjetër nuk dërgoi atë të Tomorricës.
Në këto kushte, u mblodh Paria e Tomorricës dhe vendosën që ti bënin telegram urgjent Ismail Qemalit nëpërmjet prefektit të Beratit. Ata i kërkuan të bëhej përfaqësues i Tomorricës në Kuvendin e madh. Këto fakte janë të pasqyruara edhe më parë nëpër materiale botuese.
Konkretisht në atë telegram thuhej: ” … populli i Tomorricës, në pamundësi të ardhjes së përfaqësuesit të saj në Vlorë për efekt kohe, ka vullnetin e përgjithshëm që të jeni ju deputeti i saj në evenimentin historik të vendit. Pra, ju të jeni deputeti i Tomorricës në Kuvendin e madh të pagëzimit të Shqipërisë”.
Seit Shëmbërdhenji, ishte i vetmi përfaqësues i Tomorricës që delegoi Ismail Qemalin përfaqësues në Tomorricë. Ai bashkë me Asllan Shahinin, u nisën vetë drejt Vlorës, por për shkak të dimrit të ashpër, nuk mundën të arrijnë në kohë.
Të dy burrat e shquar, më 29 të Vjeshtës së Tretë 1912, nisën këtë telegram: “Sado që kemi tre ditë që kemi ardhur këtu (në Berat), nga shkaku i dimrit, nuk mundëm të arrijmë aty. Lutemi pranoni përfaqësimin e krahinave tona”. Nënshkruar, përfaqësuesi i N/Prefekturës Gramsh Asllan Shahini, Përfaqësuesi i Tomorricës, Seit Shëmbërdhenji. Në procesverbalin e Kuvendit të Vlorës, 30 nëntor 1912 shkruhet: “U Njoftua me telegram Ismail Beu nga Gramshi e Tomorrica”!
Ky telegram u vërtetua menjëherë se arriti në dorë të Ismail Qemalit, pikërisht në datën 30 Nëntor 1912.
Është e vërtetë se Ismail Qemali kishte firmosur memorandumin, por nuk kishte pasur zonë përfaqësimi nga terreni, kështu që kur i shkoi telegrami i popullit të Tomorricës, që e delegonte ta përfaqësonte, ai juridikisht u arkivua në dosjen e Pavarësisë ku legjitimoi përfaqësimin nga Ismail Qemali, i cili në vijim do të mbante mandatin e përfaqësuesit të kësaj zone. Për këtë status ai ka shkëmbyer telegrame pas telegramesh për të mbajtur situatën në korent.
Ekzistojnë dokumente origjinale të ndodhura në dosjen e posaçme që i përkasin Qeverisë së Vlorës në Arkivin e Shtetit. Pas kësaj, banorët e zonës së Tomorricës, u bënë përkrahësit më të flaktë të Qeverisë Kombëtare të Vlorës të kryesuar nga Patrioti i Flaktë, Ismail Qemali.
Prej kësaj përkrahje, u arrit edhe mobilizimi i tyre për t’i dalë para rrezikut të sulmit të shovinistëve të Vorio Epirit, të cilët pretendonin t’i shkëpusnin Shqipërisë tokat jugore deri në lumin Shkumbin. “Nuk është nevoja – i shkruan Ismail Qemali popullit të Tomorricës – të shpjegohet sesa duhet të siguroheni që atdheu ynë i dashur Shqipëria, të jetë i garantuar nga dhunimi dhe invadimi i armiqve…”.
Personalisht Ismail Qemali ka thënë në veçanti për Tomorricën për t‘u ngritur në këmbë në lidhje me aneksimin nga Grekët dhe nga hilet e Esat Pash Toptanit; “O sot, o kurrë”. Ndërkohë që përgjigjen e porosisë apo si të thuash urdhrit të Qemalit, i përgjigjet vetë nënprefekti i asaj kohe i Çorovodës, Themistokli Gërmenji.
Ai i shkruante, që forcat e Tomorricës dhe të Skraparit i afrohen Qafës së Qarrit turma- turma. Duke pasur parasysh gjithë ato situata ai erdhi nënprefekt i Çorovodës. Pra, Themistokli Gërmenjin e dërgoi me paramendim të caktuar nënprefekt.
Ndërkohë komunikimi i rregullt konfirmohet nga dokumentet e kohës, që rezulton se në 13 janar 1913-të, pra një muaji pas themelimit të shtetit, Populli i Tomorricës i ka dërguar Ismail Qemalit një tjetër telegram, të cilin e nisën sërish nëpërmjet prefektit të Beratit, ku i shkruajnë “. . . Të gjithë kreshnikët e Skraparit dhe të Tomorricës, përgjithmonë qysh prej tri ditësh janë duke vrapuar turma turma për të kontrolluar dhe për të mbrojtur pozitat strategjike në front.
Populli, çdo ditë është duke vrapuar te vendet e sipërpërmendura. Zelli dhe vullneti patriotik që kanë treguar atdhetarët tanë në këtë çështje është për t’u lavdëruar”. “Vullnetarët e përqendruar në Skrapar – shkruhet në një telegram tjetër – mendohet të jenë 4000 veta dhe janë nisur për tek Guri i Prerë, Qafa e Çipit, Shëmitër dhe në pika të tjera nga ana e Kolonjës”.
Duhet të përmendet se në Kryengritjen e Vlorës për pavarësi morën pjesë disa luftëtarë skraparas. Ismail Qemali kishte edhe shumë miq skraparas. Ai kishte mik Xhelal Bej Koprënckën, të cilin e lajmëroi të linte detyrën si oficer në Janinë dhe të vinte pas tij në Vlorë (Xhelal Bej Koprencka ka firmën në aktin e Pavarësisë).
Më pas u zgjodh në Pleqësinë që zgjodhi qeverinë e parë, si dhe u ngarkua me detyrë komandant i forcave kundër grekut në rajonin Skrapar, Korçë, Përmet). Tjetër mik ai kishte Tefik Rogun, të cilin e thirri që nga Turqia. Ka një numër jo të vogël telegramesh që kanë shkëmbyer me të, kur ky i fundit u vendos në administratën e qeverisë së re dhe veproi në zonën Berat dhe Skrapar.
Një simpati të veçantë Ismail Qemali kishte për Maliq Vlushën, të cilin e zgjodhi në kabinetin e tij, një prej njerëzve të shquar intelektual Maliq Sanxhaku (Vlusha), por që ai preferonte t’i thërriste Maliq Skrapari, duke e emëruar drejtor të Departamentit të Bujqësisë. Simpatia e Ismail Qemalit dëshmohet edhe nga telegrami që ai i dërgonte popullit e parisë së Skraparit ku midis të tjerash thuhet se: “…populli i kësaj krahine, ashtu si dhe më parë dhe tani do të jetë në këmbë për çështjen kombëtare…” Në fund të dhjetorit të vitit 1912, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, cakton si nënprefekt të Skraparit Baki Gjebrean. Si qendër zyrtare e nënprefekturës u caktua Çorovoda. Z
ëvendës i nënprefektit u zgjodh një vendas, një njeri me influence e kontribut të shquar në çështje kombëtare si Abdulla Koprëncka (Dule). Baki Gjebrea qëndroi plot një vit në Skrapar dhe në tetor 1913 u zëvendësua nga Themistokli Germenji, i cili në Skrapar kishte qenë në muajin gusht i dërguar nga qeveria e Ismail Qemalit, për rekrutimin e xhandarëve për xhandarmërinë shqiptare.
Në nënprefekturë ai është paraqitur në 22 tetor 1913. Në datën 23 tetor thirri parinë e Skraparit. Ai mori masa të rrepta për vendosjen e qetësisë e sigurisë në nënprefekturë. Në këtë detyre ai qëndroi deri në shkurt 191