Ku po shkon shoqëria shqiptare me këto formate televizive perverse, seksiste, të deformuara moralisht dhe të varfëra intelektualisht

Ku po shkon shoqëria shqiptare me këto formate televizive perverse, seksiste, të deformuara moralisht dhe të varfëra intelektualisht

Dy formatet televizive të Top Chanel dhe shumë  të tjerë  formate me “Love” e “Life” të kanaleve të tjera televizive  dhe pothuajse të gjitha rubrikat me Opinione në të gjithë televizionet janë programet më skandalozë, të varfër deri në dhimbje, pa pikë profesionalizmi, pa pikë etike, formate pervers dhe të denatyruar, që, dashur pa dashur, kthehen në vrastarë të ndërgjegjes individuale dhe më pas të asaj kolektive shqiptare, duke e çuar vendin drejt degradimit moral, drejt kalbjes, drejt indiferencës dhe vanitetit.

 

Në këtë zallamahi dhe mjegullnajë “artistike” dhe “mediatike”, pa bosht e pa ide, më të viktimizuar janë gjeneratat e reja, që iu imponohen të mbllaçisin sjellje të deformuara, perverse, primitive.

 

Dhe e keqja është se këto sjellje po zënë vend, që të rinjtë në vend të protestojnë për shkollë, punë, profesion dhe dinjitet, protesojnë për një farë Helli!…

 

Për fat të keq dhe për të uluritur skajshmërisht reklamohet si vlerë vrazhdësia, përtacia, varfëria morale dhe kulturore, seksi dhe orgjia, dhe nuk zihen në gojë ata që studiojnë, ata që mësojnë, ata që punojnë e ngjitin shkallë karriere në jetë. Ata që, në fund të fundit, nxisin e promovojnë, që çojnë shoqërinë përpara.

 

Shikoni të ashtuquajturit opinionistë, shumica s’kanë asnjë kontribut në shtypin dhe median shqiptare, s’u gjen asgjë të shkruar, asnjë analizë të thelluar, asnjë opinion me vlerë. Hyni në Google, merrni njërin prej tyre, kë t’u zërë dora, dhe do shikoni “kontributin” e tij mediatik.

 

Vetm këtu, te ne, politika ka shpikur këtë lloj të bëri politikë, me tellallë TV, me mercenarë të paguar, njerëz pa integritet moral dhe politik, që, sa dalin nga studioja, turren te sporteli të marrin “kockën” (e majme), zarfin me lekë.

 

Se e kanë zënë vendin këta parazitë, morra, këpusha, vemje, ndaj askush nga të meçurit, intelektualët e vërtetë, nuk lejohet të diskutojë, të luftojë, të punojë e të japë ide për këtë vend që po thahet, po fishket, po plaket, po mpaket dhe po vdes nga dita në ditë, deri sa nga dita në ditë i thithin gjakun, deri sa nga dita në ditë po i ikin njerëz, deri sa nga dita në ditë i humbasin vlera kombëtare, të rralla dhe të veçanta, siç i ka patur kombi ynë.

 

Të gjithë jemi kthyer në gurë të lëvizur, pa truall, pa pronë, pa integritet, në gurë që kanë marrë rrukullimën, që, siç thoshte Petro Marko, kur guri rrukulliset, nuk pyet se ku do të qëndrojë!…