Rubrika e publicistit Luman Caka, “Njerëz me botë”: Zalo Sanxhaku (Vlusha)

Rubrika e publicistit Luman Caka, “Njerëz me botë”: Zalo Sanxhaku (Vlusha)

Në Vlushë të Skraparit besoj se ka lindur ajo kënga vajtimtare e shamizezave që thotë:

Ç’ka bari që s’mbin në qafë,

Nga lotët që derdhin gratë…

 

Edhe sot e kësaj dite, kur fshatrat e Skraparit po shkretohen me shpejtësi të papaparë, si kurrë ndonjë herë gjenden mes grave plot shamizeza.

 

Shumë djem të Vlushës u vranë e u prenë në kohë. Zalo Sanxhaku është njëri prej tyre, që për lirinë e Shqipërisë, mbeti larg vendlindjes, në dhe të huaj.

 

Dashuria për gjuhën dhe lirinë e lidhën dhe e bashkuan me luftëtarë të çetave patriotike, deri në ditën e fundit të jetës.

 

Spiro Bellkameni, me të cilin ishte bashkëmoshatar, u bë dhe mbeti komandanti parë dhe i fundit për Zalo Sanxhakun. Në të njëjtën kohë Zaloja bashkëpunoi me Maliq Skraparin, student në Selanik, për përhapjen e librit shqip në Skrapar, sidomos në zonën e Potomit.

 

Edhe pse në kohën e tij hyqymeti e kishte qendrën në Vlushë dhe zaptijet ndiqnin dhe përgjonin çdo patriot e luftëtar të lirës, ai nuk u largua nga rruga e zgjedhur.

 

Për abetaret dhe për lirinë, Zalo Sanxhaku mati me pëllëmbë viset jugore të Shqipërisë. Teqeja e Backës, e Frashërit, Qesarakës dhe Melçanit ishin çerdhet e patriotizmit ku Zaloja me shokë kishin limeret e tyre dhe gjenin prehje dhe ngrohtësi në rast rreziku.

 

Gjer në Bellkamenin e Spiros, Negovanin e Papa Kristos e thellë në Follorinë, krisi e bëri jehonë martina e Zalo Sanxhakut me shokë.

 

Bashkë me shokët e çetës ai iu shpëtoi sa e sa kurtheve e pritave të xhonturqve. Ndërsa doli i gjallë nga rrethimi tinëzar i Orman – Çiflikut, natën e 29 korrikut të vitit 1911, që kishin bërë forcat turke kundër çetës së Qamil Panaritit e Spiro Bellkamenit, nuk mund të shpëtonte nga një situatë e ngjashme një vit më pas.

 

Në vjeshtën e trazuar me ngjarje dramtike të vitit 1912, çeta e Spiro Bellkamenit prej pesë luftëtarësh kishte shkuar në viset e Follorinës për të ngritur luftëtarë të rinj në luftën e lirisë.

 

Të tradhtuar prej një mësuesi rumun, ku ishin ftuar, e më pas nga mylazimi i Nevaskës, u lidhën dhe, duke i shpënë në qytet, i pushkatuan pa dalë nga Nevaska.

 

Ata ishin: Spiro Bellkameni, Dalip Prmeti, Zalo Zanxhaku, Dajlan Tuçi dhe ?… Spaho.

Kështu gjeti vdekjen në 12 tetor 1912, në moshën 28-vjeçare, në dhe të huaj, patrioti Zalo Sanxhaku nga Vlusha e Skraparit.

 

 

Mbete me martinë në dorë

 

 

Tërë jetën me martinë,

Maleve Zalo Sanxhaku,

Myxheret për Shqipërinë,

Kapedan lule zambaku.

 

Me hafije dhe zaptije

U ndeshe ballë për ballë,

Për sebep të gjuhës shqipe,

Luftove me pushkë e pallë.

 

Bëre itifak me trima,

Gjer atje ku të ra gjaku,

Majave si vetëtimë,

Kapedan Zalo Sanxhaku,

 

Mylazim i Follorinës,

Në Nevaskë qen i pabesë,

Me thikën ngulur pas shpine,

Zaloja s’ka si të vdesë.