“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, i autorit Ylli Polovina, një libër që duhet lexuar, të paktën nga ata që banojnë në ish-zotërimet e tyre
Me këtë shkrim kritik, në formën e një rezymejeve vlerësues të autorit Abedin Kaja mbi librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, “Orakujt e Tomorrit” mbyllin rubrikën me disa numra të studiuesit Ylli Polovina , “Muzakajt dhe zotërimet e tyre”.
Me këtë rast “Orakujt…” falënderojnë të dy, si autorin e librit, Ylli Polovinën ashtu edhe atë të vlerësimit të këtij libri, Abedin Kajën, për bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshme me redaksinë tonë.
Botuesi i “Orakujve…”
Nga Abedin KAJA
Në universin e kulturës shqiptare është i rrallë fakti që një krijues të dalë para lexuesve me autoritetin e admirueshëm të një shkrimtari, publicisti, historiani, diplomati, gjeografi, analisti dhe kritiku të talentuar siç është Ylli Polovina.
“Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” është një nga librat në korpusin e krijimtarisë së shkrimtarit Polovina.
Është një libër studimor, i cili përfshin 5 shekuj histori të familjes arbërore, për të cilin autori ka punuar disa vite. Në fakt libri është edhe një lloj proteste ndaj vesit të kujtesës afatshkurtër që karakterizon shqiptarët, pasi asnjëherë nuk janë bërë përpjekje që të zbardhet apo të vijë në vëmendje historia e Muzakajve, familjes së madhe arbërore që në përpjekje për të përballur invazionet e huaja, në rrafshin kohor e shtriu sundimin e saj në shekujt XIII, XIV e XV-të, dhe në atë gjeografik nga Korça në Kostur.
Rrëfimi i librit nis në vitin 1510 në Napoli, kur princi i mërguar i Beratit, i Myzeqesë, i Skraparit dhe i krahinës së Tomorit, i dy Devollëve të Sipërm e të Poshtëm, i Korçës, madje edhe i Kosturit, Gjon Muzaka, shkruan kronikëtestamentin pronësor të sjellë për tre bijtë, por që koha, pas zbulimit të vonë që iu bë, si dhe një qëndrim të vazhdueshëm shpërfilljeje, e solli të njihej fillimin e këtij mijëvjeçari.
Libri “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, i më shumë se tridhjetë librave në serinë e botimeve, nxjerr në spikamë natyrën shumë dimensionale të autorit Ylli Polovina.
Tek lexon këtë vepër kaq interesante, që rrëmben me tematikën e vet të largët në kohë, por të larmishme në kronologjinë e ngjarjeve, kupton faktin që krijimtarinë e Yllit e përshkon tejendanë fryma e objektivitetit, humanizmi dhe optimizmi njëherazi.
Mes rreshtave të librit nuk është e vështirë të kapësh tiparin themelor të formimit intelektual të autorit, respektin e lakmueshëm për këdo që është atdhetar, pavarësisht hierarkisë shoqërore që ai ka. Këtë gjejmë të shprehur jo vetëm në vlerësimin me realizëm të figurave kontribuese të historisë, por edhe në respektin që autori përcjell për njerëzit e thjeshtë të principatës së Muzakajve; nga rajoni i Beratit deri në Korçë.
Ashtu si në librat e tjerë, edhe në këtë libër autori ka arritur të sjellë personazhe, realitete njerëzore, situata ambiente dhe klimë shpirtërore autoktone, të cilat bëhen të kapshme nga të gjithë nivelet e lexuesve.
Për arsyen e njohur, figura historike kanë rrënjë të thella në problematikën e tyre për t’u bërë letërsi. Letërsia artistiko-historike i ruan ngjarjet ndryshe arkivave, ndryshe dokumenteve historike, ndryshe kronikave dhe ndryshe të gjitha llojeve të tjera të kujtesës. Letërsia artistike i ka kodet e komunikimit më të gjerësishme dhe më shpirtërore se sa të gjithë zejet e tjera të kujtesës dhe të revokimit njerëzor. Letërsia artistike nuk i konservon as ngjarjet historike, as ato njerëzore, as edhe personazhet e tyre, përkundrazi ajo arrin t’i bëjë pjesë të konvergjencave dhe të zhvillimit.
Në librin “ Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, autori arrin të krijojë një raport kompleks të të gjithë llojeve të komunikimit me kohën, njerëzit, relacionet e nevojshme të shoqërisë në saj të tipave, karaktereve, ngjarjeve dhe të lëndës letrare, duke e shndërruar atë në një mjet komunikimi, kryesisht përmes një letërsie të ngjarjeve të hapura dhe të hulumtuar me kujdes.
Rrëfimi që na jepet nëpërmjet librit e çliron realitetin nga format e stereotipit që e burgosin dhe e shkatërrojnë ngjarjen. Ky libër veç të tjerash është hapësirë e arsyes, i çliruar nga format e varfra e narciziste.
Duke u kthyer tek analiza e librit “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” unë po e filloj nga titulli tij: Në libër autori na zbulon faktin se Gjon Muzaka , është i pari në histori që Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti nuk e shikon si mit, por si njeri. Por ndërsa lë pas titullin dhe vazhdon leximin mëson se nuk ka një kundërvënie mes dy personazheve, por përballje.
Duke e vendosur Princin e Beratit përballë Skënderbeut, shkrimtari na rrëfen se Gjon Muzaka, jo vetëm e skicon, e vizaton, i përvijon hollësitë siluetën, e përshkruan, i jep dritë, i hijezon profilin, pastaj pamjen përballë e interpreton po ashtu, me larmi si politikan e feudal, si prijës e komandant, si forcë trupi e fuqi mendore. Përpos kompleksitetit që Muzaka e shikon figurën e Skënderbeut, ai nuk e zbeh atë. Pasi, siç na e zbulon edhe autori, Skënderbeu, Muzakajt i ka pasur të besës, kurse vetë Teodorin një mik të tij dhe të atit. “Princi i Beratit zotëron mençurinë e mjaftueshme të mos e bëj veten personazh të rëndësishëm të rezistencës antiturke, kur themeli i saj qe i Skënderbeut”-konstaton autori.
E gjitha kjo na përcjell mesazhin sa të dobishëm aq edhe aktual në ditët e sotme, atë të respektimit të hierarkisë së vlerave dhe kontributeve. Lidhur me humbjen e Skënderbeut në korrikun e vitit 1455, që rëndom quhet si tradhti e beratasve apo që në formën e shakasë apo edhe të ironisë thuhet se në “Berat ka humbur edhe Skënderbeu”, autori nëpërmjet një analize të hollësishme të ngjarjeve na bën me dije se “as sot në vitet dymijë, askush nuk mund të thotë se mbi trupat e ushtarëve arbër dhe Italianë u hodh nga qytetarët beratas qoftë edhe një shigjetë apo heshtë”.
Kur një rrëfim na merr me vete, përvetësojmë identitetin e personazhit dhe e stimulojmë përvojën e tij në jetën reale. Shumë shpesh na ndodh që gjatë leximit të një libri, të apasionohemi aq shumë pas historisë, sa të fillojmë të identifikohemi me të parin e saj, duke kërkuar pika të përbashkëta me të ose të kopjojmë sjelljet dhe mendimet e tij.
Ky është një proces shumë normal që studiuesit e kanë quajtur “përvetësimi i përvojës, ose procesi spontan që çon në përvetësimin e identitetit të një personazhi në një rrëfim të shkruar në një libër dhe më pas stimulimi i përvojës së tij në jetën reale. Ndërsa shfleton faqet e librit në një farë mënyre je duke humbur brenda historisë së shkruar (në mënyrë letrare) dhe e gjen veten si pa e kuptuar duke vepruar dhe menduar njësoj si protagonisti i librit, për të arritur deri atje sa të modifikojmë sjelljen tonë në mënyrë që të jetë e njëjtë me atë të personazhit.
Një veçanti tjetër është se duke analizuar tërësinë e ngjarjeve historike autori merr në mbrojtje tipin, karakterin e cilësitë e beratasve, skraparllinjve, myzeqarëve dhe banorëve përreth luginës së Devollit. “Me mirë se sa të rrinë në krahë te i pari, më i forti, komanduesi, ndihen të nevojshëm tek masa, tek veprimi kolektiv. Më tepër se sa revolucionar, myzeqarët, beratasit, korçarët, madje edhe skraparllinjtë, përkrahin më shumë mënyrat e evolucionit të ndryshimit. Ata janë “forcë e butë”, por kur vullneti i të tjerëve i çon tek arma, ata e administrojnë vendosmërisht atë”, shkruan autori.
Në libër autori u kundërvihet epiteteve të ardhur nga kohë të ndryshme që herë me humor, e herë me dashakeqësi përdoren për banorët e zonës së Myzeqesë, Beratit apo Skraparit. Midis të tjerash ai argumenton se fjala ‘laluc’ me prejardhje nga fjala ‘lalë’’ apo mbiemri Lala, ngelur që nga koha e Muzakajve, nuk ka shkak të arsyeshëm për të përbuzur atë pjesë të banorëve të zonës që ndryshe quhen edhe Lalë.
Si njohës i mirë i arbëreshëve të Italisë dhe vendbanimeve të tyre autori shkruan se “Në Itali ku janë vendosur të larguar banorët e Myzeqesë, mbiemri Lala tingëllon me origjinë fisnike, prej dere të shquar. Në Piena degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve), ka një rrugë të emëruar Lala. Në Kontessa Entelina, vendbanim afër qytezës së parë mbahet mend si njeri i ditur Leonardo Lala, studiues i gjuhës, i historisë dhe folklorit autokton. Në SHBA, spikati po ashtu edhe muzikanti Johany Lala etj.
Një tipar tjetër dallues i librit “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” është se autori nuk e ka shkruar librin nga një ambient i mbyllur, në zyrë apo banese. Ylli e ka përshkuar vet të gjithë rrugën malore nga Berati në Tomonisht (Tomorica e sotme), vend që Gjon Muzaka qëndroi për një periudhë kohe përpara se të largohej për në Itali.
Autori nuk abuzon me trillin. Ai duke hulumtuar, mbledhur e dokumentuar ngjarjet, na e jep faktin ashtu si ka ndodhur në të vërtetë.
Nisur nga vlerat artistike, historike e gjeografike, periudhës që rrok dhe analizës portretizuese që u bëhet personazheve nga autori, mendoj se libri “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” është një burim i mirë informacioni dhe i dobishëm jo vetëm për lexuesit në tërësi, por edhe për mësuesit dhe studentët e shkollave të mesme e të larta.