Busti i Antonio Gramshit, në Gramsh, abuzim me historinë, pse jo edhe precendent për abuzime dhe falsifikime të tjera  

Busti i Antonio Gramshit, në Gramsh, abuzim me historinë, pse jo edhe precendent për abuzime dhe falsifikime të tjera  

Zylyftar Hoxha

 

Dje është kremtuar 63 – vjetori themelimit të qytetit të Gramashit, një qytet vërtet i ri, nga më të rinjtë e Shipërisë, por edhe me një histori dhe kulturë vërtetë të lashtë. Gramshiotët kanë qenë, si të gjithë fqinjët rreth e rrotull, vitalë, luftëtarë dhe atdhëtarë në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga ajo e Skënderbeut dhe deri tani,  duke zënë një vend të merituar, pse jo, edhe nderi, në këtë histori.

 

Ata kanë qenë po aq vitalë, po aq luftëtarë, po aq atdhetarë edhe në historinë e re, pak më shumë se një gjysmë shekulli, të qytetit të tyre, që, me gjak, punë e sakrifica e kanë renditur Gramshin, në një nga qytetet më simpatikë, më të respektuar dhe më të vizituar, që e kanë zili qytetet më të vjetër dhe më në zë të vendit tonë.

 

Gramshi e ka shkruar historinë, si të vjetrën ashtu edhe të renë dhe s’ka nevojë për artifica. Nuk vuan nga kriza e identitetit dhe nuk ka nevojë për injektime identitare.

 

Pse e them këtë?

 

Sepse, një ndër veprimtaritë e festimit të 63- vjetorit të krijimit të tij, dje, ishte edhe inaugurimi i bustit të heroit internacionalist italian, Antonio Gramshi. Një figurë botërore që e meriton të jetë kudo në botë, në çdo komunitet që e ndjen “prezencën” idealiste të tij.

 

Në inaugurimin e bustit të Antonio Gramshit merr pjesë edhe një figurat kryesore të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri!…

 

 

Në Gramsh, si idealist, po, mund të jetë; por si me origjinë nga Gramshi, ky është një absurditet i vërtetë!…

Askush nuk e provon që ai është nga Gramshi, vetëm mbiemri që lidhet gjuhësisht  me dhjetra gramsh-e në fjalorët  encilkopedikë tanët si fshatra në Berat, Lushnje, Shkodër, por edhe si toponime arash, pyjesh, kullotash në disa treva shqiptare.

 

Por si duket njerëz të veçantë, pse jo edhe me pushtet (nuk përfshij këtu inteklektualë të shquar të Garmshit, me të cilët unë kam miqësi), duke u nisur “për mirë”, rrisin artificialisht famën dhe “historinë”  e qytetit.

Aq zyrtare është bërë kjo, saqë Këshilli i Bashkisë Gramsh e ka bërë Antonio Gramshin Qytetar Nderi të Gramshit që para disa vitesh, ku ka ftuar edhe homologë nga Italia në ceremoninë e zhvilluar për këtë qellim.

 

Në këtë kllapë ka rënë edhe Kryeministri Rama, i cili gjatë një vizite në qytetin e Gramshit të para disa kohëve, duke folur për  zhvillimin urban të qytetit, porosit: “Tani ju takon të gjëni një vend edhe për Antonio Gramshin, por mos na e bëni si ato monumentet e realizmit-demokratik, se nuk i duam ato”.

 

Në atë kohë, në gazetën DITA, unë kam shkruar:

 

O Kryeministër, a ke këshilltarë kompetentë a s’ke!? Të kanë rrejtur, se vërtet Antonio Gramshi, në një letër drejtuar motrës së gruas së tij nga burgu i Turit, më 12 tetor 1931, letër që gjendet edhe në librin e studiuesit shqiptar, tashmë të ndjerë, Jovan Jano, “Antonio Gramshi, jeta dhe vepra e antifashistit të madh”, shkruhet:

“…Vetë unë nuk kam asnjë racë; im atë është me origjinë shqiptare të vonshme, familja ikur nga Epiri pas ose gjatë luftës së vitit 1821…”, por nuk thotë se është nga Gramshi i 1960-ës, madje as edhe nga Grëmshi i vjetër i Skraparit, që ka më shumë gjasa të jetë, pasi periudha që thotë ai përputhet me atë të shpërbërjes së këtij fshati (qyteze), por që, për hir të së vërtetës, nuk është vërtetuar.

 

Atëherë pse historianët heshtin, kur e shohin se po shitet sapuni për djath. Do të jetë turp dhe do të jetë vonë të ndreqet më pas kjo gafë historike që u është lënë në dorë amatorëve. Se në se heshtim ne, Akademia e Shkencave, historianët e sotëm, nuk do të heshtin studiuesit e ardhshëm, të cilëve do t’u lëmë një barrë të kotë mbi supe, të korrigjojnë budallallëqet tona, të heqin emra rrugësh dhe buste.

 

Më vjen keq që i them këto fjalë “pas pilafit”. Por rasti i Antonio Gramshit, që, me qenë se nuk kishte zot, i doli një zot, mund të krijojë precedentë të tjerë më monstruozë, po në Gramsh.

 

 

Pse përsëri e them këtë?

 

Se shenjat janë dhënë. Pasi po bëhet e njëjta gjë me “përvetësimin” e figurës së Arkitekt Kasëmit, nga Grëmshi i Skraparit, kryearkitektit për shumë vite i Perandorisë Osmane.

 

Në një portal zyrtar të qarkut të Elbasanit, me autor një kolegun tim gazetar, botohet biografia e Arkitekt Kasëmit, si një personalitet që i takon kësaj treve, pasi, sipas tij, ai është nga (Tomorrica e Gramshit(!).

 

Hajde kuptoje këtë, kur Gramshi është pjesë e Tomorricës dhe jo Tomorrica pjesë e Gramshit dhe kur vetë arkitekt Kasëmi në “Vakufnamenë” e lënë me dorën e tij, nuk lë mëdyshje kur thotë: “Në fshatin tim të lindjes po lë si vakuf një xhami, imaretin (mensë publike) dhe disa çezma”, dhe kur këto themele gjenden edhe sot në Grëmshin e vjetër.

 

Siç ka nisur, precedenti do të shkojë deri në fund dhe një ditë ka rrezik të thuhet se edhe Frashërllinjtë janë nga Gramshi, siç u tha për Antonio Gramshin, dhe Arkitekt Kasëmin…Sepse vërtet në origjinë të largët janë nga Grëmshi, por nga Grëmshi i vjetër i Tomorricës, gjë që e pohon edhe vetë Sami Frashëri në veprën e tij madhore enciklopedike “Kamusalalam”, kur thotë: “Bejlerët e Frashërit origjinalisht janë të shpërngulur prej rretheve të nënprefekturës së Tomorricës së Beratit dhe janë atdhesuar në katundin Stanimakë, që atyre iu dha si feud”…Pastaj ata kanë shkuar në Frashër.

 

 

Përmbahuni një çikë, o miqtë tanë të mirë, lërini gjërat atje ku janë!… Gramshi nuk ka nëvojë për falsifikime dhe manipulime të tilla, se as ia rrisin, por dhe as ia ulin vlerën. Ai ka një histori të vetën të madhe, të ndritur dhe të lavdishme, ndaj lëreni në thjeshtësinë dhe modestinë e tij prekëse. Lërini kapitalet e përkohëshme politike që mund të fitoni!…

 

 

Ndërsa po punoja me këtë shkrim, mora vesh një tjetër gjë për këtë rast, një konflikt për vendin ku do të vendoset busti, që është sheshi me emrin e një patrioti gramshiak të pavarësisë Kamber Dërmishi, që edhe është vrarë në këtë shesh, por autoritetet vendore kanë marrë vendim të vendosin bustin e Antonio Gramshit.

Domosdo, është porosia e Kryeministrit(!)…

 

Është si është kjo punë, pak interes ka për ne dhe lexuesit, pasi këtë e dinë vet qytetarët e Gramshit, ata kanë masat, peshoret dhe zërin e tyre, nëse i degjojnë.

 

Shënim:

Dy Gra(ë)mshe, dy histori

 

Për një lexues që nuk ka njohuri gjeografike dhe historike (dhe s’është e thënë të ketë), janë dy Gra(ë)mshe në të njëtën trevë, por në dy ekstreme të saj, njëri në juglindje të Tomorricës dhe tjetri në veri, në luginën e lumit të Devollit. Të dy përkarshi kanë Tomorrin.

Njëri quhet Grëmsh me “ë”, është më i vjetër, gati qytet në Mesjetë me historinë e vetë, tani pothuajse i zhdukur dhe, i dyti, Gramsh me “a”, qytet, por i ri, me histori të re, jo më shumë se 60-vjeçare (është shpallur si i tillë në vitin 1960), natyrisht, ndryshe nga i pari, jo gërmadhë, po në lulëzim e sipër.