Rubrika “Nëpër Skrapar…”: Varishti, një mrekulli natyrore, tri hapa pas derës!…

Rubrika “Nëpër Skrapar…”: Varishti, një mrekulli natyrore, tri hapa pas derës!…

Një lagje e qytetit të Çorovodës ngrihet mbi shkëmbinjtë e Varishtit, të cilët janë vazhdim i thellinave (kanioneve) të Osumit.

 

Që të shkosh aty, që nga qendra e qytetit, nuk është më shumë se 1 km rrugë. Pas 300-400 metrash, pasi lë lagjen e panaritarëve, do të kalosh një urë pasarelë.

E bukur ura, por e bukur edhe panorama që të shfaqet në të dy anët kur je duke u çapitur duke u lëkundur mbi të.

 

Nga rrjedhja e lumit të shfaqen shkëmbinjtë, vazhdim i kanioneve, këtu me një pamje më të gjerë, por gjithësesi mbresëlënës me ato forma të çuditshme që u ka dhënë natyra.

Ndërsa kur kthen kokën nga derdhja e lumit, të shfaqet një pjesë e qendrës së qytetit dhe një pjesë e luginës së Osumit, që si një gajtan i shndritshëm i rri rruga e vjetër e hyrjes për në Çorovodë.

 

Sapo ke kaluar urën, nuk të ngelen më shumë se 500-600 metra dhe gjendesh mes rrepeve shekullorë të Varishtit, me degët e deformuara si në skicat e vizatimit të fëmijëve në dimër, dhe me një gjelbërim turbullues dhe hije pus në behar.

Pikërisht këtu, në mes të këtyre rrepeve, del burimi i Varishtit, brisk i ftohtë dhe ar i kulluar, dikur i lirë, pas qejfit të tij, sot i disiplinuar në 7 lyfytë.

Një koncidencë e çuditshme, por që i shkon shumë për shtat poezia e Lasgush Poradecit, që thotë:

Kroi i fshatit tonë,

me shtatë lyfytë,

Je një kroi i parë,

S’paske një të dytë…

Gjatë verës këtu ka gjallëri, pasi vërshon gjithë qyteti që bën plazh dhe freskohet në hijet e rrepeve. Por me t’u mbyllur sezoni, këtë vend e mbulon heshtja dhe shkretia. Nuk janë bërë fare investime që ai të frekuntohet dhe të gjatë gjithë vitit.

Nuk e di a i drejton njeri turistët që vijnë në Çorovodë drejt kësaj mrekullie, jo më shumë se 15 minuta larg. Me sa kam parë, nuk ka asnjë tabelë orientuese dhe udhëzuese.

 

Fatkeqësi, një pasuri, një aset i tillë turistik kaq pranë qytetit, të jetë kaq larg vëmendjes të atyre që e kanë për detyrë të promovojnë vlerat e qytetit.