Nikollaq Çuni / “I vetëm nuk jam”: Kur poezia të ndjek pas

Nikollaq Çuni / “I vetëm nuk jam”: Kur poezia të ndjek pas

Vllasova Musta
Poete

 

Pasi i ke lexuar gjithë poezitë e Niko Çunit dhe e mbyll librin, çuditërisht ndjen se nuk je vetëm, ato, fare qetësisht të kanë ndjekur pas dhe befasisht vijnë e të trokasin tek ty. Dhe ndodh që, krejt natyrshëm dëgjon tinguj, të vijnë zëra dhe të shfaqen imazhe, persona apo ngjarje, që ti kurrë as i ke parë dhe as i ke takuar por, çuditërisht ata të gjejnë dhe vijnë tek ty si të njohur të afërt dhe nuk bëjnë tjetër veçse flasin e rrëfejnë si në vazhdim të një bisede.Këtë përjetim pata, pasi mora në duar dhe mbarova se lexuari poezitë e Niko Çunit.

 

Poezia e tij është e tillë, të ndjek e të ndërthuret në përditshmërinë tënde sepse brenda çdo njërës ka një ngjarje, ka një personazh, ka një datë historike, por ka edhe shumë emocion, ka mall, ka shfrim dhe thirrje shpirti.

 

Një mpleksje të tillë të mallit përgjërues për vendlindjen, për tokën, për nënën, për barin e deri edhe për pluhurin e udhëve të fëmijërisë, rrallë se e gjen në krijimtarinë e botimeve të sotme, prandaj mendoj dhe them se, ky libër është i veçantë, sepse është i gjithi vlagë e përkushtimit të poetit për gjithçka të vyer e të shenjtë që gjallon e frymon në këto troje.

 

Në këtë libër shpërfaqen e bëjnë zë njëra pas tjetrës poezi ku spikat një sinqeritet i pastër, thjeshtësia e mendimit dhe ngrohtësia e fjalës. E pikërisht se janë të tilla, të brishta dhe delikate, me mesazhe tepër njerëzore, ato të bëhen pjesë e së përditshmes, të rrinë pranë dhe të shfaqen e rishfaqen sikur duan të të kujtojnë, jemi këtu në hapat e ditës së sotme,por edhe nesër, edhe më tej, përsëri e përsëri… sepse pena e poetit shkruan e shkruan dhe tjerr pa u ndalur vargje dhe këngë të bukura, si ai bujku i mirë, që rri me farën e shëndetshme në duar për të mbjellë në çdo stinë e në çdo kohë.

 

Niko Çuni e ka poezinë në shpirt, ajo frymon, jeton,gëzon dhe drithërohet bashkë me të. E pikërisht se nuk është e sforcuar,poezia e tij është kaq e rrjedhshme, e ngrohtë dhe e bukur siç është gjithçka e mirë që del prej shpirtit.

 

Nëse do të veçojmë se çfarë e dallon krijimtarinë poetike të Niko Çunit, pa hezitim them se ne faqet e këtij libri nga njëra poezi në tjetrën, ndjen se ka jetë, ka ngjarje, ka njerëz e gjithçka është në lëvizje, gjë që e bën këtë libër të të duket sikur në të, brenda tij, ka frymë, ka tokë e qiell, ka ngjarje historike, ka vende të shenjta, ka lëndina, ka male e lartësi, pra, një univers që vjen përballë nesh nëpërmjet vargjeve me një sinqeritet të spikatur dhe me shumë dashuri.

 

Poet i vargut të qetë, që ka jo vetëm botën e tij, por edhe zërin e tij dhe di të ndërtojë bukur poezi që përcjellin ngjyra,tinguj dhe të shoqërojnë hap pas hapi, ky është Niko Çuni, që vjen para lexuesit me librin “I vetëm nuk jam”.

 

 

EH, MUZIKA

 

Me nostalgjinë e të shkuarës
Në sy e në shpirt
Udhëtonim me makinë
Për diku
Me një shok të hershëm.
Dëgjonim muzikë
Bisedonim
Heshtnim
E më pas
Sërish bisedonim e qeshnim me lot
Për bëmat e dikurshme
Që, natyrshëm
Të gjitha, s’i kujtonim dot.

Në një çast,
Kur kënga e radhës
S’kish muzikë
Por ngjasonte me një recitim
A një bisedë me fjalë banale
Atëherë
Kasetofonin fika
Dhe dihata thellë
Thellë psherëtiva.

Më fal,
Foli shoku im
S’e dija që s’të pëlqen muzika !
Jo, jo, i thashë
Më pëlqen shumë
Ndaj e fika!

 

DO JEM EDHE UNË

Për çdo poezi
Më parë
Ëndërroj fabulën e saj,
Bisedoj me të
Luaj
Grindem
Miqësohem
Mandej,
Ulem e në letër vargëzoj.

Nëse ëndërrova bukur
Dhe fjalëve të ëndrrës
U dhashë jetë e rimë
Atëherë, po
Do të mund që në vargje
Të jem edhe unë,
Pa qënë i dukshëm
Askund.

 

RREZET E SHENJTA

Këtu, në vendlindjen time
Dielli del përmbi Tomorr
N’atë mal të Perëndive,
Ku preket qielli me dorë.

Rrezet plot me dritë e jetë
Vijnë që nga lindja, larg
Ulen mbi malin e shenjtë
E aty marrin uratë.

Nga një shenjt, te tjetri shkojnë
Shkojnë e gjejnë atje bekim
Mbi kodrën në Ardenicë
Rrezet puthin Shën Marinë.

Pa le kur zbresin në fushë
Ç’bukuri sjellin ato.
Përqafojnë vesën mbi grurë
Tokën mëmë ngrohin ngado.

Shenjtëri me vete sjellin
Rrezet për dheun e lashtë
Ndaj dhe buka është e ëmbël
E ëmbël, e ëmbël mjaltë.

Ardenicë, atje mbi kodër
Tomorri përballë të rri
Përmbi ju, veç Perëndia
Shënjte ti, shënjtor ai.

 

NE MUNDEMI

Vijmë në jetë
Të vetëm
Dhe, po vetëm edhe ikim,
Këtë vetmi
Nuk e trembim dot
Dot, s’e dëbojmë
Sepse,
Krijuesin
S’mundemi ta gjykojmë.

Por,
Ne mundemi
Që në rrugën mes ardhjes
Dhe ikjes,
Të ecim mes njerëzve
Mes dashurisë,
T’i gëzohemi jetës
Paqes
Të qeshim e të qajmë,
Pa, le të ikim të vetëm,
Pastaj!

 

SA VONË

Fëmija,
Prindin e do shumë
E ndoshta,
Më shumë se shumë,
Por, ai s’mund ta dijë
Se ç’është dashuria e prindit për fëmijën
Këtë,
Kur prind bëhet vetë e mëson,
Sa vonë!