“Plakat e Prillit”, mes legjendës dhe një fenomeni përsëritës natyror
Me siguri moti i djeshëm dhe i sotëm iu kanë kujtuar atyre që e kanë mësuar nga të parët, legjendën e “Plakave të Prillit”.
Sipas kësaj legjende që qarkullon në disa krahina malore të Shqipërisë, por edhe në vende të tjera ballkanike, “Plakat” qëllojnë në periudhën midis fundit të marsit dhe fillimit të prillit, kur moti për tri ditë bëhet befas i ashpër, temperaturat ulen në 0 gradë Celcius, bën furtunë, bie shi, borë ose dhe ngrin.
Në këto ditë do të dëgjosh më të vjetrit që e përdorin si një metaforë letrare, kur thonë “bën ftohtë ngaqë janë plakat”!…
Sipas gojëdhënave, në fund të muajit mars dhe në fillim të prillit, plaka kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell, tha: “Tani, o dimër, e këpute qafën, të kam dhjerë se s’ke ç’më bën”!
Dhe vazhdoi të tirrte lesh me furkën në dorë.
Si duket marsi e dëgjoi dhe iu lut shkurtit:
“Ore shkurt, o im vëllla,
A më jep një ditë hua,
ta ngrij plakën me gjithëçka”!?…
Menjëherë pas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në gur.
E lidhin këtë legjendë me malin e Tomorrit, ku është një gur në formën e një njeriu dhe disa gurë të shpërndarë që janë dhëntë dhe qeni. Por të tillë gurë ka pothuaj në të gjitha malet.
Por, përtej legjendës, si është e vërteta?
Dikur nuk patur stacione meterorologjike dhe sinoptikanë për të parashikuar motin. Ishin bujqit she barinjtë që nga përvoja e gjatë, drejtimi i erërave, ulja dhe ngritja e temperaturave, çuditërisht parashikonin sakt motin.
Si duket, në fund të marsit dhe fillim të prilit, ndodh një fenomen natyror recidiv, ku për dy-tri ditë moti ndryshon menjëherë. Si duket, këtë fenomen që përsëritet çdo vit, të parët tanë e kthyen në legjendë, duke e quajtur “Plakat e Prillit”.