Ali Kuçi, atdhetari i shquar që dha aq shumë për Shqipërinë dhe që u “shpërblye” me vdekje dhe harresë

Ali Kuçi, atdhetari i shquar që dha aq shumë për Shqipërinë dhe që u “shpërblye” me vdekje dhe harresë

“Ali Kuçi fton në Kokursin e Madh çdo Atdhetar”, me këtë titull hapet gazeta “Dielli”, organi i shoqatës “Vatra” e 22 marst 1919, në Boston të Amerikës.

 

Më tej gazeta shkruan: “Atdhetari i njohur dhe një nga përkrahësit dhe luftëtarët më të fortë dhe më energjik të çështjes sonë këtu, thërret dhe fton në konkursin e madh në fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë” çdo atdhetar që rron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Zoti Ali Kuçi bën këtë dekllaratë bujare:

 

“Ftonj në Konkurs cilindo që dëshiron të mbajë Flamurin e Shqipërisë”!

Ali Kuçi

 

 

Thirrja e Ali Kuçitt bëhet menjëherë pas asaj të imzot Fan Nolit dhe në mbështetje të tij me poezinë “Jepni për nënën”, me vargjet “Mbahu,  Nëno, mos ki frikë, se ke djemëtë në Amerikë”!…

 

Pas këtyre thirrjeve  me qindra e mijëra emigrantë shqiptarë anë e mbanë Ameikës, Kandasë dhe Evropës, kontribuan me të holla, me armë, me propagandë, por edhe duke u rreshtuar me forca vullnetare për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe rrezikut të copëtimit të Shqipërisë.

 

Vetë Aliu, si iniciator dhe duke mbajtur fjalën që i kishte dhënë gazetës, merr rekordin që mbahej nga një tjetër atdhetar në atë kohë, me 650 dollarë, një shumë e  barabartë me gjithë emigrantët e Degës nr. 62 në New Florence të Pensilvanisë.

 

Por, fatkeqësisht se punoi e luftoi kaq për Shqipërinë përtej Oqeanit, gjithçka u përmbys kur erdhi në Shqipëri, ku si dhe shumë të tjerë në periudhën komuniste, u përndoq, u fut në burg, u torturua dhe në dhjetor të vitit 1946 vdiq nga torturat.

Por akoma më e keqja dhe fatkeqja është se nuk iu gjet varri kurrë.

 

Pas 68 vjetësh nga vdekja, më 24 nëntor 2014, me dekretin numër 8806 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u dekorua pas vdekjes, Ali Kuçi ngaTomorrica e Skraparit me dekoratën e Artë të Shqiponjës, me motivacionin:

“ Në shenjë nderimi për veprimtarinë e tij të çmuar atdhetare dhe ndihmesën e dalluar në çështjen shqiptare, duke sakrifikuar dhe jetën për idealet e lirisë”.

 

 

Po kush ishte Ali Kuçi

 

Ali Kuçi kishte lindur në Kuç të Tomorricës. Kur ishte djalë i fare i ri, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, në vitin 1900 emigroi në Shtetet e Bashkuara. Në emigracion i vuri gjoksin aventurës amerikane dhe shumë shpejt u integrua në të.

Krahas punës ai merret me veprimtari patriotike, bëhet një nga themeluesit e Shoqatës “Vatra” dhe në librin e botuar me rastin e përvjetorit të kësaj shoqate, Ali Kuçi paraqitet si kryetar i Pleqësisë së Degës nr 62. në Neë Florence të Pensilvanisë.

 

Gazeta “Dielli” me editor Z. Bahri Omari, e cila ishte gazeta e parë që botohej në gjuhën shqipe në Boston të Shteteve të Bashkuara (pas Kombit të Sotir Pecit) në faqen e parë të numrit 1479-të të saj të datës 22 mars 1919 ka fotografinë e Ali Kuçit me përshkrimin “Atdhetari i njohur dhe një nga përkrahësit dhe luftëtarët më të fortë dhe më energjikë të çështjes tonë këtu, thërret në konkursin e madh në fushatën për çlirimin e Shqipërisë drejtuar çdo atdhetari që jeton në SHBA ose Kanada.

Ali Kuçi fton në konkurs cilindo që dëshëron të mbajë flamurin e shpëtimit të Shqipërisë. Në përfundim të konkursit, vijon gazeta “Dielli”, z. Ali Kuçi merr rekordin që mbahej nga një tjetër atdhetar në atë kohe, Z. Banush Feta”.

 

Nisur nga thirrja e Fan Nolit se Shqipërinë do ta bëjnë vetëm shqipëtarët, Ali Kuçi kthehet në atdhe dhe ndërton në fshatin Golem i Vogël të rrethit të Lushnjës një fermë të stilit amerikan.

 

Por, fatkeqsisht, si shumë atdhetarë e intelektualë të tjerë të përkushtuar për atdheun e tyre, diktatura komuniste ia shpërbleu mizorisht kontributin e dhënë në SHBA dhe në Shqipëri duke i marrë jetën. Për tri javë rresht mbit trupin e 76 vjeçarit u ushtruan tortura nga më çnjerëzoret që shkaktuan dhe vdekjen e tij.

Varroset në errësirën e natës,  në fshehtësi të plotë dhe pa adresë, siç ishte, shpesh, praktika që ndiqte komunizmi për të gjithë ata që nuk ishin me vijën e tij.

 

Përse u ndëshkua aq rëndë Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhuruesve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit: “Jepni për Nënën”? Ae meritonte ai atdhetar i flaktë një fund të tillë!?

 

Kurrë, jo!

Por historia e Shqipërisë është sa e çuditshme, aq edhe absurde!…