Kudret Selami, poeti i njerëzve të thjeshtë, atyre që quhen popull: Për gjithë hapësirën e Beratit, Tomorrit dhe të Skraparit
Nga Ylli Polovina
Dëshmia e kësaj pranie poetike të jashtëzakonshme është vendosur në 463 faqet e librit të tij “Lumit që i vunë pritë”.
Janë përfshirë në të 438 poezi, por nëpër të edhe disa rrëfime mbi zonën ku banon dhe të cilës i thurr vargje.
Kudret Selami është poet i vërtetë, pra bard, poet popullor dhe të kujton në letërsinë tonë një penë të madhe: Dritëro Agollin.
Ai i këndon njerëzve të thjeshtë.
Selami lindi më 2 shkurt 1952 në Skrevan të Beratit.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. E mbaroi më 1962. Prindërit e dërguan për në 7-vjeçaren në Donofrosë. E mbaroi më 1965.
Në vitet 1965—1969 vazhdoi gjimnazin në Qytetin “Stalin”, sot Kuçovë.
Më 20 tetor 1969 Kudret Selami nisi punë si mësues në shkollën 8-vjeçare Dardhë. Më datë 17 dhjetor 1973 filloi në shkollën 8-vjeçare Osmanzezë. Nga 12 nëntori 1979 gjer më 31 gusht 1990 punoi në shkollën 8-vjeçare Bistrovicë. Të nesërmen, më 1 shtator 1990 gjer më 2 shkurt 2017, për 27 vjet, punoi në shkollën 9-vjeçare Skrevan.
Këtu ishte 22 vjet drejtor, gjer ditën e fundit më 02.02.2017, kur doli në pension.
Më posht po botojmë tri poezi të Kudret Selamit, shkëputur nga vëllimi i tij poetik “Lumit që i vunë pritë”
Pavarësia
Mirësevini, or’mirësevini!
Mos po del, nga shtrati Drini?
Dha ballë, Isa Boletini.
Kuq e zi, u ruajt te sënduqi.
Dhe me gjak, të tij, e skuqi .
Lavdi, Luigj Gurakuqi!
Gishtat penë, dora martina.
Fjala flakë, si vetëtima.
Bir i kombit, burrë i besës.
Qysh të vunë, në rreth të shënjestrës?
Një melodi, si nëpër gishta…
Nuk di, është bilbil n’ahishta?
A ligjëron, n‘ lugje,Gjergj Fishta?
Elbasan, Korçë, Kolonja.
Siç u desh: me pushkë e shkronja.
Dil, prit djemtë, moj mëmëzonja!
Me shkumë, e shkulm, shket, Shkumbini.
Helmuar, nga gjarpri, Petro Nini…
Hodhi sytë, nga Luarasi.
Flamurin, në buzë, e qasi.
“Ruamani gjakun, për shkronja!“
E logorisi me lot, Kolonja.
Një lukuni, ujqish një natë.
Papa Kriston, e griu me spatë.
I miri, Pandeli Sotiri.
T’u fik qiriri, nga qafiri.
Nga kati i tretë, t’hodh’shpirt nxiri.
Nëpër shkolla, mbillet fara.
U nis, Bab Dudë Karbunara.
Dritë, e diellit, ndrin, përpara.
Lumi i Vlorës, nuk u mbaka.
Grykave, tatëpjetë kur çaka.
Shqipëri, po të mblidhet ajka!
Delegati çam, sa doli.
Kur hyri, te Konispoli.
Me ca djem, dy fjalë foli.
Pa dilni, dilni shikoni!
Kush po ngjitet te ballkoni?
Dallgë deti, furtunë mali.
Vetë, Ismail Qemali.
Nënë, të ka ardhur biri!
Çfarë po nxjerr ashtu nga gjiri?
Siç del, nga toka floriri!
Endur fort, me fije liri.
Shtizën, nxjerr, nga ashti, eshtra.
Do dy ditë, të dale vjeshta.
Sa nise, në shkallë, hipe.
Në eter u ngritën shqipe.
Ngrehu, moj shqipe, nëpër erë.
Këtë haber, ma merr, ma shpjer.
Prag më prag, dhe derë më derë.
Se kujt s’i dhëmb, dhe kujt s’i therë?!
Në Kaninë, po luan dhe guri.
Po shpalos, palët flamuri.
Me valë e vrull, vërshon moj Vjosë.
Detyrë e historisë, u sos!
Fusha, male, dhe dy dete.
Shqipëria, është, më vete!
Skrevan, Berat, 28.11.2011
Çezma e Tarikos
Nënë Tarikos i vdiq djali i vetëm më 1925.
Vendosi, me 25 napolona flori, të bëjë një çezmë anës rrugës
Moj nënë, kur të vdiq djali,
Le fshatin, dole te mali.
Aty, ku rruga, merr kthesën
Derdhe flori, ngrite çezmën.
-”O ustai, me çekan!
Ma gdhënd qoshen, në çdo anë!
Të shkel guri mbi gurë!
Se do rrjedhë e s’pushon kurrë.
Në ballë, dua, një pllakë mermeri!
Se thellë më ka helmuar vreri!
Lëfytin, si grykë e shtëmës!
Të pinë ujë në grusht të nënës!”
Akull, sa të ngrinë dora.
Uji që kullon nga dëbora.
_”Mos ke ftohtë, o nënë Tariko?
Mbi supe, të hedh, një triko?”
Si frynë stoçeni në pisha!
M’u mpi dora e ngrinë gishta.
-“O udhëtarë, këtu lidh kalin!
Sa vjetë kam, qe po pres djalin!
A u shlodhe, pa me thuaj?
Kam nevojë, për fjalën tuaj.
Ujët buron, nga kallkani.
Fjala ime del nga xhani!”
-”O moj nënë, ballin me rrudha!
Nuk ngel, vetëm, te udha!
Se uji i ftohtë i çezmës!
I bie nënës përditë njerëz!”
-“Andej, këtej, kur të shkoni!
Qëndroni, dhe më uroni!”
Sa kanë ikur e sa do vijnë!
Marrin, me vete freskinë.
Ledhatojnë fotografinë…
Radio me vajguri
Fundi i viteve pesëdhjetë.
Erdhi radio me vajguri.
Këtë e gjej, fare lehtë.
Koka e Hrushovit te muri.
Tel bakëri, bërë spirale
Se ç’u hodh vidh më vidh ….
Ish antenë, do kap sinjale.
Grumbull, dëgjonim të gjithë.
Kishim në odë, gramafon.
Babai vdiste për muzikë.
Hiq e vërë ato gjithmonë.
Ca pllaka, që u thonë disk.
Gjyshi kur vajti, te vatra (vatra e kulturës)
E pa, e quajti: kashun.
U ngrit e doli përjashta.
-“Ma mbloni, tani kam punë!”
-“Di që vajguri bënë dritë.
Me atë mbushim kandilin.
Ajo kish saze përditë.
Se ku hynin, se ku dilnin?!”
Këto, m’i thosh gjyshi në darkë.
Kur rrëfente për muzikën.
Rreth vatrës, këmbëkryq, përqark.
Unë hapja arithmetikën.
x x x x x x
Shkuarje e madhe me Moskovin.
Por në fund u prish kjo paqe
Si vajti puna me Hrushovin!
Ia hoqën, kokën tullace!
Shpjegim fjalësh :
- Spirale.
Lakore që bën një sërë rrotullimesh rreth një boshti.
Spirale metalike.
Përdredhje në trajtën e kërmillit.
- Gramafon.
Aparat për riprodhimin e muzikës me disqe. Ka gjilpërën, kokën. Ai kurdisej, kishte zemrek. .
3 . Oda dhoma më e mirë ku prisnim miqtë.
4 . Kashun . kashuni.
Arkë prej druri ku mbahen rroba, sende.
5 . Më mbloni.
E folura në atë kohë në fshat. Krahinorizma.
Më mblo: Më ruaj. Ma hiq mënjanë. Mund të ketë ardhur nga fjala,mbulo.
I kanë hequr, ose ka rënë tingulli U
Dhe doli në këtë formë. Mblo. Po, po. Sa herë që donin të thoshin ma ruaj këtë gjë gjyshi dhe babai thoshin: Ma mblo një çikë këtë.
Njëherë aty nga viti 1961 ose 1962 kur u hap më dërgoi babai te dyqani i fshatit.
Më tha: “Thuaj shitësit t’më mbloj plaçkat se do vij t’i marr nesër!”
Ia thashë siç ma tha babai. Ai dhe dy tre burra të tjerë qeshën . U bëri përshtypje fjala në gojën time Mblo.
6 . Kandili.
Mjet i thjeshtë ndriçimi prej tunxhi. Mbushet me vajguri. Ka fitil pambuku. Bën dritë.
7 . Saze. Vegël muzikore popullore me dhjetë tela.
Në numrin shumës: Vegla muzikore popullore.
Sazet e dasmës. Sazet e radios.
8 .Sufër
Sipas të folurës së zonës sonë, sofër.
Tryezë dërrase shumë e ulët rreth së cilës shtrohen ndënjur për të ngrënë.
Sofër e madhe.
Sofra e bukës.
- Moskovi. Ligjërim bisedor që kishte të bënte me Moskën, Bashkimin Sovjetik.