Ura e Zabërzanit, historia e rrallë dhe e panjohur saj
Zylyftar Hoxha
Edhe pse pretendoja se e njihja mirë dhe në detaje historinë dhe gjeografinë e Skraparit, të cilin e kam shkelur pëllëmbë për pëllëmbë për 40 vjet me radhë, jam ndjerë keq kur para tre – katër vjetësh kam mësuar se poshtë Zabërzanit, mbi Mullirin e Babait, në vendin e quajtur “Kofshtrat”, paska patur një urë që lidh dy pjesët e kanioneve të Osumit.
Të vjetrit e kanë ditur këtë, por brezat e mëvonshëm, madje edhe të zonës për rreth, nuk e kanë ditur kurrë, sepse në fakt atje nuk ka gjurmë të dukshme, pasi i ka rrmbyer vërshimi i ujërave të rrëmbyeshëm.
Ka qenë Kujtim Lame nga Zabërzani, një njeri i njohur në Skrapar, i cili ka siguruar librin e një ish ushtaraku të Luftës Italo Greke, që ka botuar foton e kësaj ure para se ajo të shkatërrohej përfundimisht. Këtë foto, Kujtimi e ka hedhur në kopertinën e librit të tij, “Muzeu i fisit tim” dhe mirë ka bërë.
Po cila është historia e saj dhe e urës?
Ura është hedhur në erë në vitin 1940 gjatë Luftës Italo-Greke. E kanë hedhur italianët, që grekërit të mos kalonin dot në anën tjetër të Osumit, ku ata ishi disllokuar.
Ka qenë një dhimbje e madhe për banorët e zonës, por i tillë ka qenë fati i krahinës tonë, që shpesh herë është përdorur edhe si placdarm.
Siç shihet edhe në foto, ura është me tre harqe, një i madh në mes mbi shkëmbinj dhe dy më të vegjël, anash në brigje si përforcim, por edhe për derdhje të ujit në kohë vërshimesh.
Është e tipit arkitekturor si ajo e Goricës në Berat. Është ura më e madhe pas asaj të Goricës në të gjithë luginën e lumit të Osumit deri në burimin e tij, në Vithkuq të Korçës.
Ka një të dhënë, që është ndërtuar rreth vitit 1860 me kontributin e banorëve të zonës dhe me ndihmën e Banush Sevranit, një luftëtar i shquar i ushtrisë së Ali Pashë Tepelenë, por që kjo e dhënë nuk është e saktë.
Ura duhet të jetë më e vjetër, e kohës së sundimit të Ali Pashës. Banush Sevrani ëshët vrarë në vitin 1826, ndërsa ura është ndërtur 30 e ca vjet pas vdekjes së tij. Atë, si një figurë e fuqishme e krahinës, komandant i një ushtrie pranë Ali Pashë, i paguar mirë dhe me prona, mund ta ketë ndërtuar Banush Sevrani, por në vitet e kulmit të karrierës së tij, para vrasjes së Ali Pashës, dmth, para vitit 1822. Pasi edhe bejlerët e vegjël bënin nga këto lloj ndërtimesh, duke u munduar t’i ngjanin Pashait në zonat e tyre.
Një tjetër argument, që mund të jetë e kohës së Ali Pashës, është ngjashmëria që ajo ka me urën e Goricës, të ndërtuar po në ato vite nga Kurt Pasha i Beratit.
Ura është 3 metra e gjerë, me bordura që shkojnë deri në 25 – 30 cm të lartë dhe të gjerë, e kalldrëmuar bukur, me pragje në formë shkallësh në anët e pjerrta.
Nëse do të ishte sot kjo urë, do të ishte një xhevahir i vërtetë mes xhevahireve të tjerë të Kanioneve.
Shënim:
Banush Sevrani, që e thërrisnin Bano dhe në greqisht Pano, sipas studiuesit dhe shkrimtarit grek, Dhimitër Fatjadhis, ishte një nga luftëtarët më në zë të Ali Pashë Tepelenës, krahas luftëtarëve të tij të tjerë me emër.
Sipas organizimit të kohës, Banushi kishte ushtrinë e tij që lëvizte nga 500 deri në 1500 luftëtarë. Mbeti besnik jo vetëm deri në vdekjen e Ali Pashës, por edhe më pas, kur u lidh me arvanitët e Greqisë kontinentale, me Suliotët dhe Kollokoronët.
U vra në betejën e dytë të Mesollongjit, në Dollma, më 18 shkurt 1826, katër vjet pas vdekjes së Ali Pashës.