Tri urat e Zabërzanit dhe sqarimi i një keqkuptimi
Para dy ditësh në “Orakullin e Tomorrit” botuam shkrimin “Ura e Zabërzanit, historia e rrallë dhe e panjohur e saj”, shkrim për të cilin pati keqkuptime dhe keqinterpretime për vendndodhnjen e saj, që, disa nga lexuesit tanë u munduan t’i sqarojnë.
Konstuktive qenë vërejtjet dhe sqarimet e miqve të gazetës sonë, mësuesit të mirënjohur, Ismail Sheroku dhe studiuesit Muharrem Abazaj. Megjithatë për të qenë më të saktë dhe më korrekt me lexuesit dhe ndjekësit, po i rikthehemi edhe një herë këtij njoftimi:
Ndoshta duhej sqaruar edhe më mirë që herën e parë se, në fund të Zbërznit bëhet fjalë për tri ura.
E para, në Hambull, e ndërtuar nga Banush Sevrani (sipas më të vjetërve në Zabërzan), që në kohën e Ali Pashës dhe e hedhur në erë në Luftën Italo –Greke, për të cilë kemi folur para dy ditësh.
Ura në Hambull në Kofshtras të Lirit
E dyta, është Ura e e madhe e Hambullit që lidh Lapanin me Zabërzanin, Zonën e Malindit, Çepanit dhe rrugën për në Përmet, ende të papërfunduar. Kjo urë është ndërtuar në vitin 1950 nga ushtria, nën drejtimin e ushtarakut Ismail Vlusha; është rrëzuar në vitin 1973, duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë, ku ranë në krye të detyrës tre punonjës së ndërmarrjes së Bonifikimit. U rindërtua po në ato vite. Në vitet 2000 u rindërtua përsëri nga ushtria. Tani së fundi, para katër vjetësh, ajo u përfshi në projektin e rrugës Çorovodë – Përmet, si një urë me parametra bashkëkohorë.
Ura e Lapanit, e ndërtuar së fundmi në fund të Zabëzanit nga firma “Salillari”
…dhe, ura e tretë, pasarelë, në shkëmbin mbi Mullirin e Babait, ndërtuar nga Dervish Muhameti në vitin 1830.
Ura këmbësore te Mulliri i Babait
Kjo urë, bashkë me rrugën gjarpërushe që zbret nga Zabërzani deri te fillimi i vijës së mullirit të Babait, është ndërtuar me materiale rrethanore, trarë dhe patiqe (dërrasa të çara lisi), për më shkurt drejt anës së përtejme të kanioneve. Më shumë se për mullirin, ajo shërbente për bagëtitë për të mërzyer dhe kullotur në anën tjetër të lumit. Trarët e urës ndërroheshin çdo vit ose në dy vjet.
Më 1 korrik të vitit 1970 ura (gjithmonë këmbësore) është bërë më konstruksion metalik me iniciativën dhe kontributin e djemve të Zabërzanit që punonin në Poliçan, ndërsa tani është rikonstruktuar prapë.
Kjo urë e vogël bashkë me rrugën gjarpërushe që ngjitet për në Zabërzan krijon një pamje panoramike mbresëlënëse, që tërheq vizitorë të shumtë, të cilët nuk mund të largohen që aty pa bërë një foto si kujtim.
Pra është një nga xhevahirët e rrallë të Kanioneve mes xhevahirëve të tjerë të shumtë.