Fatet e shoqatave atdhetare…dhe fati i shoqatës “Tomorri”

Fatet e shoqatave atdhetare…dhe fati i shoqatës “Tomorri”

Shkak për t’iu rikthyer kësaj teme u bë një lajmërim pa sens dhe alogjik që ngjalli diskutime edhe në rrjetet sociale, për një aktivitet të shoqatës “Tomorri”, dega Tiranë, sipas të cilit, në mjediset e Muzeut Historik do të kremtohej 10-vjetori i shoqatës “Tomorri”, dega Tiranë…

 

Sipas atij grumbulli fjalësh, krijohej ideja se historia e kësaj shoqate fillon dhe mbaron me kryetarin aktual(!). Çdo gjë para tij ka qenë  Zero!…

 

Ai do të faktorizohet dhe do të ngelet tash e tutje në histori si “themeluesi” i saj, si një “lider historik”  i saj, kur në atë sallë që ai do të zhvillojë veprimtarinë, shoqata “Tomorri” mbarëkombëtare apo e Tiranës, para tij kanë “tundur muret” me dhjetra veprimtari të një niveli akademik, që ka çuditur jo vetëm shoqatat atdhetare simotra, por edhe institucionet shtetërore shkencore, arsimore dhe kulturore të vendit.

 

Se çfarë do të thuhet dhe se çfarë do të bëhet në këtë takim, dihet… Do ta shohin vetë ata që do të shkojnë atje!

 

Por problemi nuk është vetëm te ky rast, problemi është më gjerë dhe më kompleks.

 

 Është interesant, pasi, si në të gjitha rastet e historive të shoqatave të tilla, të vogla apo të mëdha, me emër apo më pak emër, fundi i tyre vjen e mbyllet në “bisht peshku”, dmth arrin aty ku ka qenë në fillimin e saj, me një nevojë të re për t’u ringritur.

 

Kështu ka ndodhur që në Rilindje,

me “Klubin e Selanikut”, që e përshkruan aq bukur Andon Zako Çajupi;

 

kështu ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht me shoqatën “Vatra”, e cila pas Nolit u uzurpua nga njerëz të dyshimtë, pa ndonjë vlerë të veçantë;

 

kështu ka ndodhur me disa shoqata të tjera që janë mbytur dhe mbahen peng nga persona që nuk “ngjisin” fare me atë shpirt e zjarr të fuqishëm që e karakterizon krahinat e tyre heroike;

 

kështu ka ndodhur dhe po ndodh me politikën shqiptare, që njëri bën luftë dhe zë karriket, tjetri merr vulën e ikën;

 

kështu po ndodh edhe atje ku nuk duhet të ndodhte kurrë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë, në një nga shenjtëritë simbolike të LANÇ-it, Organizatën e Veteranëve (kur ndryshket floriri, vaj halli ç’bëhet më hekurin)!;

 

po kështu ka ndodhur dhe po ndodh prej vitesh edhe me shoqatën “Tomorri”, e cila që kur e la (nga sëmundja) Xhevahir Spahiu, është një shoqatë e asfiksuar, pa themel, pa axhendë pa asnjë lloj veprimtarie, veçse ndonjë “kafeje” sa për t’u rregjistruar si “aktivitet”.

 

Ka vite që shoqata “Tomorri”, si asnjë shoqatë tjetër në Tiranë, deri në 2008, sa ishte kryetar Nuri Çuni dhe president Xhevahir Spahiu, de fakto nuk ekziston, i ka ngelur vetëm emri,  pa bërë asnjë aktivitet, ose ndonjë aktivitet të rrallë, edhe  këtë të personalizuar për ndonjë çertifikatë-qokë.

 

Janë krijuar degë në rrethe thonë. Po, a  janë krijuar vërtet!? Një drekë me produkte deti, një foto në këmbë te dera…dhe kjo është shoqata.

 

 

Njerëz me reputacion janë i distancuar nga kjo lloj shoqate dhe nga këta lloj drejtuesish shoqate. Ata janë  atashuar në shoqatën “Tomorri”, dega Durrës, një degë e divorcuar dhe e ndarë prej vitesh nga mëma fatkeqe, nga shoqata mbarëkombëtare “Tomorri” që mbahet peng.

 

Shumë njerëz, veprimtarë me kontribute, atë  që nuk e gjejnë në Tiranë, e gjejnë në Durrës. Makina në kolonë shkojnë nga Tirana në aktivitetet e shoqatës “Tomorri” të Durrësit që zhvillohen në sallat e teatrit “Aleksandër Moisiu”, kompleksin turistik “Fafa” etj.

 

Pse ndodh kjo! Sepse aty ata kanë gjetur veten, aty kanë gjetur misionarët dhe miqtë e vërtetë, por më shumë se këta, kanë gjetur frymën, një frymë patriotike motivuese për punë të mira për skraparllinjtë kudo që ndodhen.

 

E themi me bindje se, për sasinë, cilësinë dhe nivelin e lartë ideo-kulturor të veprimtarieve, Shoqata “Tomorri” e Durrësit renditet ndër shoqatat më të mira mbarëkombëtare, që s’ka nevojë të “ fusë vulën në xhep e t’ia mbathë”, të bëjë “ditëlindje historike” apo të këndojë si të vetat, këngët që janë kënduar  këtu e tridhjetë vjet më parë nga të tjerë burra.