Dëshnica, 10 fshatra, a nuk janë si shumë 15 aviatorë?!…Megjithatë, ata e justifikuan veten dhe e bënë me histori krahinën e tyre

Dëshnica, 10 fshatra, a nuk janë si shumë 15 aviatorë?!…Megjithatë, ata e justifikuan veten dhe e bënë me histori krahinën e tyre

 

Pardje ishte 72-vjetori i krijimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar.

 

Gëzim Voda, veprimtar shoqëror, publicist dhe shkrimtar, kishte hedhur në rrjetet sociale një status me këtë rast.

 

Ai u kujtonte lexuesve dhe ndjekësve të shumtë një fakt të njohur edhe më parë, por është edhe një çudi, që vetëm nga Dëshnica, kanë dalë 15 aviatorë! Nuk janë pak! Kur ka krahina, madje edhe qarqe që nuk kanë fare apo i kanë me gishtat e dorës.

 

Është një fakt që me të vërtet e bën me histori këtë krahinë, po edhe i rrit krenarinë  çdo dëshnicari.

 

 

Kush ishin këta aviatorë?

Po japim më poshtë postimin e Gëzim  Vodës:

 

 

 

FARI BUBËSI

Nga fshati Bubës i Parë. U lind në shkurt 1924 dhe ka vdekur në Tiranë, gusht 1995. Ka kryer studimet për pilot në ish Jugosllavi në vitet 1945-1947 dhe i specializuar më pas ne Rusi e në Kinë. Mjaft vite Komandant i Regjimentit Luftarak të Kuçovës. Më i madhi në aviacion dhe tërësisht me avionë reaktive. Më pas, komandant ekipazhi në avionë qeveritarë. Fluturoi 38 vjet. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Kuçovës dhe “Nderi i Komunës së Ballabanit”. Tituj të dhënë pas vdekjes.

 

ISA ARAPI

Nga fshati Kajcë. U lind në shtator 1945. Kreu studimet për pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë për avionë reaktivë në vitet 1962-1966, duke qënë pjesë e pilotëve të pare shqiptarë që u përgatitën plotësisht brenda vendit. Mbas disa vitesh instruktor pilotësh, arriti deri Komandant i asaj Shkolle kur ajo mbas vitit 1990 u kthye në Akademi Aviacioni.

 

 

ET’HEM ALIAJ

Nga fshati Kajcë. U lind në maj 1944 dhe ka vdekur në Tiranë, maj 2017. U pergatit si pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë, në vitet 1962-1966. Edhe ai është pjesë e pilotëve të parë shqiptarë që mbaruan atë shkollë. Arriti deri komandant i skuadriljes reaktive me Mig-19 në Regjimentin e Gjadrit dhe më pas Komisar i Regjimentit të Helikopterëve në Farkë të Tiranës. Më pas edhe pilot civil.

 

 

MANE BULLUTI

Nga Këlcyra. U lind në dhjetor 1948. U përgatit si pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë, në vitet 1968-1970, për avionë reaktivë dhe u specializua një vit në Kinë. Artriti deri zv/Komandant i Regjimentit të Aviacionit në Kuçovë dhe inspektor në Komandën e Aviacionit.

 

 

KUJTIM OSMANI

Nga fshati Sukë. U lind në tetor 1955. U përgatit si pilot në Shkollëne Lartë të Aviacionit, Vlorë, në vitet 1974-1977. Për vite me radhë ka qënë instruktor pilotësh me avionë reaktivë dhe më pas deri Komisar i asaj Shkolle. E mbylli karierën si pilot helikopterësh pranë Ministrisë së Brëndëshme duke vazhduar 42 vite fluturim. Një rekord në aviacionin ushtarak shqiptar.

 

 

BAHRI MESHAHU

Nga fshati Bubës i Parë.U lind në janar 1940. Ka kryer studimet për pilot në ish Bashkimin Sovjetik 1960-1961 dhe i plotësuar në Shkollën ë Lartë të Aviacionit,Vlorë. Mbas shumë viteve si instruktor për pilotë me avionë reaktivë pranë kësaj shkolle, më pas arriti deri zv/Komandant për fluturimin në atë Shkollë.

 

 

MUSA KAME

Nga fshati  Fratar. Mban emrin e Heroit të Popullit Musa Fratari (xhaxhai I tij), rënë në Spanjë më 1938. U lind në korrik 1948. U përgatit si pilot për avionë reaktivë në Shkollëne Lartë të Aviacionit, Vlorë në vitet 1968-1970 dhe më pas një vit në Kinë. Është i vetmi pilot dëshnicar që fluturoi me tipin e sofistikuar Mig-21. Arriti deri zv/Komandant në  Regjimentin Luftarak të Rinasit. Disa vite më pas edhe pilot cilvil. Ka arritur 41 vite fluturim.

 

LUAN JAUPI

Nga fshati Toshkës. U lind në Korrik 1949 dhe ka vdekur në Tiranë, shkurt 2014. U përgatit për pilot me avionë reaktivë në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë, në vitet 1968-1970. Mbas dy vite lirohet për arsye shëndetësore  dhe  më pas ka qënë pedagog në këtë Shkollë por edhe në atë të Marinës, po në Vlorë. Arriti deri Drejtor i Aeroportit Civil të Rinasit.

 

 

BASHKIM SADIKU

Nga fshati Rodenj. U lind në mars 1951. U përgatit për pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë, në vitet 1971-1973 dhe një vit specializim në Kinë. Ka qënë instruktor pilotësh me avionë reaktivë pranë asaj shkolle. Ka kryer detyra komanduese deri Komandant katërshe.

 

 

BASHKIM DUÇKOLLARI

Nga fshati Seniçan. U lind në shkurt 1948. U pergatit në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë, për avionë reaktivë në vitet 1967- 1970 dhe një vit specializim në Kinë. Kreu detyra komanduese deri Komandant katërshe. Në vitin 1980, nxiret në lirim.

 

 

IRFAN RABO

 

Nga fshati Toshkës. U lind në maj 1946. U përgatit për pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë, në vitet 1967-1969. Ka qënë pilot helikopteri në Regjimentin e Farkës, Tiranë, deri komandant ekipazhi.

 

MYRTEZA ARAPI

 

 

Nga fshati Ball. Ka kryer studime për pilot bombardues në ish Bashkimin Sovjetik në vitet 1959-1961 dhe fill pas kësaj një vit në Kinë. Mbas kthimit nga Kina është liruar si pilot dhe ka kryer detyra të tjera, mes të cilave edhe pedagog në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë.

 

 

LULO CANOLLARI

Nga fshati Kondas. U lind në janar 1948 dhe ka vdekur në Tiranë, dhjetor 2017. U pregatit për pilot helikopteri në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë, në vitet 1966-1969, dhe shërbeu në Regjimentin e Helikopterëve në Farkë të Tiranës. Por pas tre vitesh, nxiret në lirim.

 

 

ERVIS LAME

Nga fshati Kuqar. U lind në prill 1983. U përgatit për pilot helikopteri në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë,  në vitet 2002-2005, duke qënë në grupin e fundit që kreu studimet aty, e cila më pas nuk e kreu më këtë funksion. Ka disa vite që banon familjarisht në Kanada.

 

 

ISLAM XHANI

Nga fshati Kajcë.  U lind në korrik 1939. Në vitin 1957 dërgohet për t’u përgatitur pilot në ish Bashkimin Sovjetik, por në vitin qershor të vitit 1958 humbet jetën aksidentalish dhe  prehet në atë vend. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut” vitet e fundit, duke qënë një mes 43 të rënëve në aviacionin shqiptar, ndër të cilët 38 janë pilotë ku përfshihet edhe ai.

 

*         *         *

 

Siç shihet, nga të 15 pilotët dëshnicarë, 11 janë përgatitur plotësisht në Shqipëri. Ndërkohë 7 prej tyre janë specializuar në Kinë dhe 4 janë dërguar për studime në ish Bashkimin Sovjetik e njëri ndër ta edhe në ish Jugosllavi. Të gjithë, përfaqësojnë 10 fshara të krahinës së Dëshnicës.

 

Ky numër pilotësh për një krahinë të vetme, përbën një fakt mjaft domethënës për Dëshnicën, e cila siç mund të nënkuptohet, plotëson dy  ndër kushtet themelore të të qënit pilot: gjakftohtësinë dhe përqëndrimin mendor. Një numër, që mbase do të bënte ziliqare çdo krahinë të këtij vendi.

Krahas tyre janë edhe një numër teknikësh aviacioni dëshnicarë, si pjesa e domosdoshme e mbajtjes në gadishmëri të mjeteve fluturuese dhe sukseseve në fluturim ndër vite. Disa prej tyre kanë qënë: Hyqmet Memajdini nga Bubësi i Parë, Kalem Xhaferaj nga Mazhani, Kamber Harka, Ideal Dragoj e Faik Sula nga Zhepova, Fatmir Hoxha nga Çorrogunji, Isuf Mete, Ilmi Hasani e Tomor Cenka nga Rodenji, Nexhip Mehmeti nga Tolari, Seit Lame nga Kuqari, Sadik Muraj dhe Mustafa Kalemi nga Mërtinji etj.

 

Tiranë, 24 prill 2023