Xhelal Koprencka, 5 herë i dënuar, mbi 18 vjet i burgosur dhe në fund i ekzekutuar
Me rastin e 50-vjetorit të revoltës së Spaçit
Historia e pabesueshme e Xhelal Koprenckës: U dënua 5 herë, vuajti 18 vjet, 1 muaj dhe 7 ditë burgim dhe u ekzekutua ndonëse ishte i paralizuar në një krah
Kastriot Dervishi
Xhelal Koprëncka i Ri ishte i biri i Samiut, djalit të Xhelal Koprënckës, firmëtarit të Pavarësisë. Për të përjetësuar emrin e të atit, Xhelalit të Vjetër, Samiu i kishte vënë emrin Xhelal djalit të tij.
Samiu ishte dënuar në vitin 1946, pasi ishte kishte e qenë me funksione të larta në Shkodër në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Pas disa muajsh burg nuk iu gjet asnjë shkelje ligjore dhe kompromentuese, ndaj u la i lirë. Vdiq në Shkodër.
Nëna e Xhelalit, bashkëshortja e Samiut, ishte e bija e Muhamet Delvinës. Kishte një motër, Lirinë. Edhe ajo banonte në Shkodër.
Shkollën fillore Xhelali e kishte kryer në Korçë. Gjatë qëndrimit në Shkodër ai punoi hidraulik në ndërmarrjen e fermentimit të duhanit dhe në ndërmarrjen metalike, në ndërmarrjen e ndërtimin dhe në ndërmarrjen e bonifikimit.
Periudha e vuajtjes së burgimit, sipas viteve:
1957-1963, 5 vjet, 11 muaj, 3 ditë
1967-1979, 12 vjet, 2 muaj, 4 ditë
-Mosha në fillim të dënimit: 25 vjeç
-Mosha në kohën e vrasjes: 47 vjeç
Dënimi i parë
U arrestua më 7.10.1957. U akuzua për tentativë arratisje, akuzë të cilën në gjyq e ka mohuar. Gjykata Ushtarake e Tiranës me veprim në Shkodër, me vendimin nr.182, datë 30.12.1957, në bazë të nenit 64 të Kodit Penal e deklaroi fajtor, duke e dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim dhe konfiskimin e pasurisë.
U lirua më 10.9.1963 nga Kampi nr.307 Rubik. Komandanti i këtij kampi, Bajram Konvarfaj shkruante se ka qenë me shëndet të dobët dhe normën nuk e kish realizuar.
Dënimi i dytë
Pas mbarimit të dënimit të parë, Xhelali vendoset në Shkodër. Arrestohet më 25.3.1967, së bashku me 3 persona të tjerë. Regjimi komunist i inskenon çështjen e dy elektromotorëve që ishin jashtë përdorimit. Gjykata e Qarkut Tiranë, me vendimin nr.42, datë 2.10.1967, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal dhe e dënoi me 20 vjet burgim.
Të tjerët u dënuan kështu: Mehmet Beqir Shehaj me 22 vjet, Ndrek Lushaj me 10 vjet dhe Kujtim Qazim Koculi me 3 vjet. Në rekursin e kërkuar, Koprencka thotë se gjykata “nuk ka analizuar drejt provat dhe ka bërë cilësim të gabuar të veprës”, sepse materialet i kishin kërkuar në emër të kooperativës bujqësore të Beltojës pa qëllime përvetësimi.
Në vitet 1968-1973 dënimin e ka vuajtur në Repartin nr.313 Tiranë. Në vitet 1973-1975 dënimin e ka vuajtur në Kampin nr.309 Ballsh.
Dënimi i tretë
Xhelali vuante dënimin në Kampin nr.305 Borsh, kur arrestohet më 4.8.1976. Akuzohej për zhvillim të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor në vitet 1973-1976, duke kritikuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë e lavdëruar atë të vendeve të huaja, kriminalitetin e lartë te ne, çështjen e konferencës së Helsinkit, etj.
Me vendimin nr.131, datë 21.11.1976, Gjykata e Rrethit Sarandë, në bazë të nenit 73 të Kodit Penal (për të cilin u kërkua 10 vjet burgim) e deklaroi fajtor dhe e dënoi duke bashkuar dënimet me 20 vjet, 1 muaj dhe 17 ditë burgim.
Dënimi i katërt
Në Kampin nr.303 Spaç, ku kish mbërritur në shkurt 1977, Xhelali u dënua dy herë në muajin shkurt 1979. Fillimisht, u arrestua së bashku me Veiz Çeçin nga Shënepremtja e Gramshit. Akuzoheshin për zhvillimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal. Gjyqi u zhvillua në Spaç.
Me vendimin nr.5, datë 5.2.1979, Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e deklaroi fajtor dhe e dënoi (duke bashkuar dënimet e mëparshme) me 25 vjet burgim. Veizi u dënua me 18 vjet e 8 muaj burgim. Dënimet fillonin nga dita e shpalljes së vendit.
Dënimi i fundit
Nuk kaluan shumë ditë dhe regjimi u bë pishman për dënimin e parë në Spaç dhe e arrestoi sërish më 23.2.1979 (së bashku me Fadil Kokomanin, Vangjel Leshon, Fatos Lubonjën, etj). Akuzohej si “armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit dhe ndërtimit socialist të vendit”, duke bashkuar rreth vetes të tjerë “armiq të betuar” (ata që u dënuan) duke krijuar një organizatë të quajtur “nacionaliste”. Evidentohej shoqëria e ngushtë me Irfan Vrionin dhe Eduard Marash Vatën.
Organizata sipas akuzës kishte dy variante: përmbysjen nga brenda me ndihmën e amerikanëve dhe me anën e një revolte brenda në kamp me parullën “pa gjak e sakrifica nuk ka liri”. Gjykimi i “organizatës” u bë në Tiranë. Xhelali refuzon të nënshkruajë aktakuzën, duke mos e pranuar fare atë. Pranonte formën e agjitacionit të zhvilluar, por jo akuzat e tjera me qëllim organizimi. Para hetuesit Dhimitër Beshiri, e mohonte dhe e quante “thjesht një fantazi”.
Asnjë i pandehur nuk pranon akuzat për krijim organizate. Me vendimin nr.3, datë 9.5.1979, Gjykata e Lartë i deklaroi fajtorë të pandehurit për “pjesëmarrje në organizatës antisocialiste” dhe agjitacion e propagandës sipas neneve 55 e 57 të Kodit Penal, duke dënuar Xhelal Koprencën me vdekje, pushkatim.
Me 25 vjet u dënuan: Irfan Vrioni, Bardhosh Gjonzeneli, Nuredin Sula; me 23 vjet Eduard Marasha Vata; me 20 vjet Sarandi Lulo, Ernest Kraja; me 18 vjet Gaspër Gaspri; me 17 vjet Florenc Rusi; me 16 vjet Napolon Koleci; me 14 vjet Pal Ndreca; me 12 vjet Thoma Bejo. Ekzekutimi i Xhelalit është bërë në Tiranë, në vendin që tashmë njihet. Nga shqyrtimi i rasteve të këtij viti dhe nga zhvarrimet që janë kryer aty, dyshimi im kryesor është që kufoma e tij dhe e dy të tjerëve janë përdorur për eksperiment mjekësor.
Ekzekutimi është kryer më 29.5.1979, bashkë me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Leshon.