Sami Koprëncka, i biri i firmëtarit të Pavarësisë, Xhelal Koprënckës: “Një jetë që nuk ia dëshiroja as hasmit”!…  

Sami Koprëncka, i biri i firmëtarit të Pavarësisë, Xhelal Koprënckës: “Një jetë që nuk ia dëshiroja as hasmit”!…  

 

 

Historia e panjohur dhe e trishtë  e familjes historike Koprëncka: Nga Xhelal Koprëncka, firmëtari i Pavarësisë, miku i Ismail Qemalit, që u vra pabesisht kur shkoi për mbrojtjen e Korçës nga grekët; te i biri i tij, Samiu që u dergj burgjeve kot së koti dhe më tej akoma, te Xhelali i Ri, djali i tij, që u vra nga regjimi komunist dhe që ende nuk i është gjetur varri.

 

 

 

 

 

 

Sami Bej Koprëncka lindi në Skrapar në vitin 1986. Ishte djali i madh i Xhelal Koprënckës, firmëtar i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe komandant i forcave vullnetare të Qeverisë së Vlorës për mbrojtjen territoriale nga sulmet greke në vitet 1912-1913.

 

 

Studimet do t’i vazhdonte në gjimnazin e Gallatasrait në Stamboll në një klasë me Ahmet Zogun.  Si pasojë e Luftës Ballkanik, largohen të dy dhe i vazhdojnë studimet në Austri.

 

Më pas, në vitet e para të shtetit të ri shqiptar dhe të zjarrit të Luftës së Dytë Botërore, Samiu rikthehet në vendlindje në krah të të atit dhe të dy xhaxhallarëve, Hasanit dhe Dalipit, të cilët ishin në radhët e para të luftëtarëve për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtuesit fqinj, por edhe në ngritjen e shkollave shqipe.

 

 

Në vitin 1919, ai ndodhet përkrah të atit, Xhelalit me 300 burra skraparllinj, që të alarmuar se grekët po avanconin të pushtonin Korçën, pas largimit të francezëve, kishin marrë rrugën për në Korçë. Në pyllin e Sherës së Qafës së Martës, ndërsa pushonin të maskuar, në pabesi, për motive hasmërie, një ndër bashkëluftëtarët, i vret sy për sy të atin, Xhelalin.

 

 

I dhembi shumë. Por e tillë ishte koha, ndërsa ruheshe nga tjetri, të vriste yti. Vrasja e të atit nuk e stepi, përkundrazi, eci në gjurmët  e të atit, u bë më aktiv në jetën politike të kohës.

 

 

Më 1920 merr pjesë në Luftën e Vlorës si përfaqësues e forcave vullnetare të Korçës.

 

 

Më 1924 zgjidhet deputet i Kuvendit Kushtetues të Shqipërisë, duke përfaqësuar Prefekturëne e Beratit.

 

 

Megjithëse shok shkolle dhe mik i dikurshëm i Ahmet Zogut, ai ishte një kundërshtar i papajtueshëm me të, sado ai i kishte propozuar kushedi sa herët të punonte për të. Mori pjesë në Lëvizjen e Nolit të Qershorit 1924.

 

 

Pas riardhjes së Zogut në pushtet, Samiu detyrohet të shkojë për një periudheë kohe në në çiflikun e tij në Bulgarec të Korçës. Me shpalljen e amnistisë, Zogu i kërkoi prsëri të bashkëpunojë me të në një post të rëndësishmë në qeveri në Tiranë. Por Samiu iu përgjigj prerë: “Ahmet, unë ty të kam thënë e zezë dhe nuk të them dot e bardhë”.

 

 

Ahmet Zogu, duke ngulur këmbë, i propozon postin e prefektit të Pogradecit. Për tre vjet, nga 1925 deri në vitin 1928 ai kreu detyrën e Prefektit në këtë rreth. Aty, në Pogradec, në vitin 1926, i lindi fëmija i parë, Lili, mbas martesës me Nurfeza Koprënckën. Në vitin 1929 kthehet përsëri në çiflikun e tij në Korçë, ku në vitin 1933 i lind fëmija i dytë, të cilit i vuri emrin e të atit, Xhelal.

 

 

Megjithëse në dukje larg politikës, ai mbeti një antizogist i pandreqshëm, aktiv në bashkëpunim me patriotë të tjerë të Korçës dhe të Pogradecit. Interesant është fakti sepse, si një qyetar i vërtet dhe i kulturuar, qëndrimin e tij kritik ndaj qeversisë nuk e ngatërroi, por, përkundrazi, e respektoi qëndrimin e kundërt të së shoqes, që qe një zogiste e zjarrtë dhe aktive.

 

 

Gjatë këtyre viteve ai merret direkt edhe me administrimin e punëve dhe pronave të tij. Ruan marrëdhënie shumë të mira me bujqit e çiflikut, por edhe me fshatarët dhe tregtarët e zonës.

 

 

Në periudhën e Luftës Antifashiste ndënji indiferent, duke u marrë me punët rutinë të çiflikut të tij, deri sa një ditë, dhe pikërisht më 24 qershor 1946, si rrufe në qiell të kaltër, me vendim Nr. 146, Gjykata Ushtarake e Korçës e deklaroi fajtor “për krime kundër shtetit”  dhe e dënoi me burgim të përjetshëm, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave për aq kohë sa ishte dënuar”. Por për ç’krim kundër shtetit flitej?…Vetëm e vetëm se kishte pasuri!

 

 

 

Brenda një nate iu konfiskua çdo gjë, familjarët dolën vetëm me rrobat e trupit dhe u strehuan pranë të njohurve. Por do të ishte një letër e dërguar nga fshatarët e zonës, të cilët do të ndikonin në kthimin e këtij dënimi, nga burg për jet, në 10 vjet, të cilët ai i vuajti në burgun e Burrelit.

 

 

Në vitin 1956, tashmë edhe në moshë të thyer, ai pa dritën e lirisë, por pa një vend, qoftë edhe një strehë të tijën. Detyrohet të shkojë në Shkodër te njerëz të afërm të tij, por që nuk e ndihmonin dot.

 

 

Gjatë periudhës komuniste, përveç tij, u dënua edhe e shoqja, Nurfeza, me tre vjet burg politik.

 

Por ajo që i “vuri vulën” dramës Shekspiriane të kësaj familjeje ishte dënimi i djalit të tij, Xhelalit, i cili do të dënohet pesë herë dhe do të pushkatohet në vitin 1979, duke mos iu gjetur varri edhe sot.

 

Sami Koprëncka u nda nga jeta në Shkodër në vitin 1965, nga një jetë që nuk ia dëshironte as hasmit, në mjerim, por krenar dhe i papërkulur si sojli që ishte.

 

 

 

 

Në këtë foto është vajza e Samiut, Lilija dhe nipi, djali i vajzës së saj (Mimoza Kraja), Sidriti,  në nderimin që iu bë figurës së Xhelal Koprënckës me rastin e 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

 

Fatkeqësisht, këta pasardhës të Xhelalit nuk e njohin Skraparin, por edhe Skrapari nuk ka bërë asgjë për ta, të paktën të marrë kopjen e certifikatës së nderimit të firmëtarit të Pavarësisë dhe ta vendosë në muze….

 

Se, duam apo nuk duam ne, atë kemi të vetmin firmëtar përfaqësuses të të gjithë krahinës në formimin e të parit shtet shqiptar.