Emir Qafa, figurë e ndritur, emblematike dhe rrezatuese e historisë së arsimit në Skrapar

Emir Qafa, figurë e ndritur, emblematike dhe rrezatuese e historisë së arsimit në Skrapar

Zylyftar Hoxha

 

Të shkruash për historinë e arsimit në Skrapar dhe të mos shruash pë Emir Qafën, është njëlloj sikur nuk ke bërë asgjë dhe nuk ke thënë asgjë.

 

Nuk ka njeri në Skrapar apo nga Skrapari, grua apo burrë 50 vjeç e lart, të mos e ketë njohur apo të mos ketë dëgjuar për të. Ai ishte një personalitet, një figurë e njohur publike i një periudhe kohore prej gati  40 vjetësh, nga viti 1953 deri në vitin 1990 që kishte lëvizur në të gjithë krahinën, por që kishte ndënjur më shumë, ishte Radëshi  dhe Bogova, vendi i fundit nga u transferua pas 20 vjetësh në të.

 

Kishte mbaruar për histori, por ishte specialist i matematikës dhe fizikës. Një mësues i rrallë, i gjithanshëm, që gjeneronte energji pune mësimore me një takt dhe kujdes pedagogjik si askush tjetër.

 

Erdhi në Skrapar me arsim të mesëm, dhe për të lartin me korrespondecë, iu deshën me dhjetra letra drejtuar Komitetit Qëndror dhe Enver Hoxhës, deri sa e mori me nota të shkëlqyera.

 

 

Në aspektin pedagogjik, si metodist didaktik, Emiri nuk kishte një të dytë në Skrapar. Kolegët e quanin me shaka Makaranko, që ishte “babai” i pedagogjisë ruse, dhe që shkolla shqipe zhvillohej në atë kohë me ato parimet psiko-pedagogji të tij dhe të shkollës ruse.

Shumë nxënës të tij, u bënë mësuses, u bënë kolegë me Emirin, por gjithmonë e ruajtën distancën dhe diferencën me të. Sepse ai nuk ishte mësues nxënësish, por ishte mësues mësuesish.

 

 

Adem Hysenbelliu, një ish nxënës nga Radëshi, ku Emiri qe disa vjet mësues, thotë:

“Jo të gjithë nxënësit e presin më gëzim dhe entuziazëm orën e matematikës, por më besoni, se Emiri na e bënte këtë orë nga më të dashurat dhe më të bukurat e ditës, sa mezi e prisnim të gjithë orën e tij”.

 

Ai ishte instrumentist muzikor me fisarmonikë në çfaqet artistike të grupeve amatore, ishte futbollisit kalibri në skuadrën përfaqësuse të qytetit të Çorovodës, ishte qitës, gjuetar dhe peshkatar i pakonkurrueshëm.

Por, mbi të gjitha, ishte njeri i dashur, i respektuar, i gjendur në të mira dhe të këqia te kolegët dhe te të gjithë ata që e njihnin.  Të gjithë, të vegjël e të mëdhenj i thërrisnin “Xhaxhi”.

Nuk e lejoi në asnjë rast, sa qe ne Skrapar, ta kritikonte apo t’i bënte vërejtje njeri.

 

 

E ka quajtur veten të lumtur kush ka patur fatin të punojë krah tij, jo vetëm në pëikpamjen profesionale, por edhe në atë etike.

Model në veshje, në krehje, në sjellje, model në marrëdhëniet me nxënësit, në shpjegimin e mësimit. Ishte nga mësuesit më të përgatitur që në punë gjente kënaqësi. Më shumë se nxënësit, atë e donin prindërit, aq i dashur, aq popullor ishte. Të vetmin vlerësim që ka marrë, sido i vonuar, është ai i vitit 1996, ka ai ka marrë titullin Mësues i Merituar, me prpozim të Drejtorisë Arsimore Skrapar.

 

Edhe pse i tillë, ai u vlerësua vetëm nga kolegët, nga nxënësit dhe prindërit e tyre, nga populli i thjesht, por jo nga organet e pushtetit, të cilët e shikonin vëngër, si  i “deklasuar”, nuk i jepnin shtëpi, nuk i jepnin të drejta studimi për për fëmijët, nuk i thoshin një fjalë për atë punë aq të mirë dhe aq të pastër që bënte.

 

 

Emiri ishte pinjoll i familjes së madhe dinastike Qafa në Berat, një familje fisnike, me pasuri, me vlera të spikatura dhe njohje jo vetëm brenda qytetit të Beratit, por edhe në Skrapar dhe në të gjithë Shipërinë e Mesme, ku i çonte puna, marrëdhëniet tregtare, si dhe marrëdhëniet miqësore dhe familjare.

 

Vllezërit Qafa: Arifi, Myrtua dhe Rexhepi

 

Ai ishte i biri i Myrto Qafës, komandant i xhandarmërisë së Beratit, post në një kohë të vështirë lufte, që menjëherë pas çlirimit atij i kushtoi burgun. Por që nuk u dënua shumë, falë letrave dhe kërkesave të opinionit publik, por edhe të ish-komandantëve partizanë të zonës, që provonin të kundërtën, se, edhe pse i veshur dhe me post të lartë xhandari, Myrtoja kishte punuar për Lëvizjen Çlirimtare, duke nxjerrë komunistë nga burgu, duke ndihmuar në ilegalitet me armë partizanët.

 

 

Sidoqoftë njolla biografike ngeli dhe atë e vujatën jo vetëm Emiri, por edhe e motra, Pranvera, kunati, Qerimi, djali i xhaxhait, Tomorri, të cilët gjithë jetën e tyre aktive e bënë në Skrapar djysmë të internuar.

 

Por e vuajtën edhe të tjerë të rinj beratas me “cene në biografi”, që u suallën në atë kohë në Skrapar, si Abaz Lumani, Tokli Salepi, Ylli Ruli, Lejla Mehqemeja, Kontesha Xixo etj. etj.

Qerimi, Pranvera dhe vajza e tyre

 

Por le të kthehemi te Emiri.

Ashtu siç qe vetë, një fat qiellor i kishte qëlluar, kur kishte lidhur jetën me Dallandyshen, një vlonjate trime, një zonjë e vërtetë, që jo vetëm nuk i cënoi atë jetë të mbushur plot pasione, gjallëri dhe energji Emirit, por, përkundrazi, e kuptoi dhe ia forcoi edhe më tej ëndrrat, idetë qëllimet dhe pasionet e tij.

 

 

Ndërtuan bashkë disa fole, disa shtëpi, ku u ra të punonin, të thjeshta, praktike, jo të bukura kush e di, por funksionale dhe të ngrohta, si çerdhe zogjsh, ku u rritën tre fëmijët e tyre, Zina, Astriti dhe Aleksandri. Ndoshta fëmijët nuk e meritonin këtë jetë të vështirë, boll kishin vuajtur prindërit e tyre, megjithatë ajo iu bëri mirë dhe i bëri të mirë, që më pas të ndërtonin jetët dhe familjet e tyre me djersë, nder e dinjitet si prindërit e tyre.

 

 

Ishin vitet ’90, kur Emiri doli në pension në Berat, ishin vitet kur po frynte një erë e re, kishin filluar lëvizjet demokratike. Natyrisht, ai që kishte hequr aq shumë një jetë të tërë, nuk mund të rrinte duarkryq.

U vu në krye të këtyre lëvizjeve. Në zgjedhjet lokale të vitit u zgjodh zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak dhe pas një viti u zgjodh kryetar i Këshillit Bashkiak të Beratit.

 

 

Për aq pak kohë, që qe në këtë detyrë, atij iu dha rasti fatlum të shpaloste edhe një herë vlerat dhe virtytet e tij njerëzore, të cilat, pa pritur, nga një vdekje e parakohëshme, u ndalën, megjithatë gjurmët e tij të pashlyera për Beratin dhe Skraparin mbetën pas për të mos u harruar kurrë.

 

 

 

Po e mbyll shkrimin me një letër që Emiri i ka dërguar nga Berati një kolegu të tij, Luman Cakës, më 12 mars 1998, ku, ndër të tjera thuhet:

 

“Skrapari, ku kalova jetën me njerëz të mrekullueshëm e plot tradita aq të mira, mbetet për mua vendi më i dashur dhe më i shtrenjtë. Skraparllinjtë e ndershëm dhe me shpirt të madh, më detyruan të bëhem punëtor dhe të punoja megjithë shpirt.

 

Unë dhe fëmijët e mij do t’u mbetemi mirënjohës dhe borxhllinj për jetë burrave fisnikë, të ndershëm dhe aq të mirë që njoha në Skrapar”. 

Emiri