Matura e vitit ‘73: “Ramiz Aranitasi”, një shkollë që na bën krenarë

Matura e vitit ‘73: “Ramiz Aranitasi”, një shkollë që na bën krenarë

Petrit Brokaj

 

Shkolla e mesme “Ramiz Aranitasi” ndodhet në qytetin e Çorovodës të Skraparit, vendosur në shpat mali, me shikim nga sheshi i qytetit. Ajo u ngrit 63 vjet më parë. Është qendra më e rëndësishme arsimore, nga bankat e së cilës kanë dalë dhjetëra brezash maturantë. Kur ne filluam punë aty, 50 vjet më parë, ajo u bë edhe qendra e veprimtarive kulturore, artistike, sportive dhe patriotike. Në këtë shkollë kanë dhënë mësim mësues nga Tirana, Durrësi, Korça, Vlora, Berati, Gjirokastra, etj.

 

 

Dituri Dervishi e histori-gjeografisë, Fiqiri Aliaj i gjuhë-letërsisë dhe unë, i gjuhës ruse, vinim nga Vlora dhe filluam punën në janar të vitit 1971. Ishim 22-23 vjeçar, plot pasion, plot forca, plot përkushtim. Drejor i shkollës ishte njeriu i mirë, mësuesi me përvojë i gjuhë-letërsisë dhe drejtues kompetent, Qani Zaimi. Në saje të tij, ne u “shkrimë” shumë shpejt me kolegët e tjerë, që gjetëm aty e, sidomos, me vendasit: Xhafer Ibro, Asqeri Turhani, Agron Hasko, Qemal Zaimi, Gani Zyko, Tare Xhaja.

 

 

Me Ksenofon Dilon nga Gjirokastra, me Pandeli Stefanin nga Korça dhe me Çlirim Mukli nga Berati, mbetëm miqë dhe nuk e harruam njëri-tjetrin edhe kur u transferuam nëpër qytetet tanë.

 

 

Çorovoda nuk kishte përmasat gjeografike të qyteteve, nga të cilët ne vinim, por zemra e atij populli, dëshira e tij për arsimim dhe emancipim, respekti për ne, që s’ishim vendalinjë, na bënin borxhlinjë e na ngrohnin jetën, duke mos ndjerë largësinë dhe mallin për familjet tona e duke mos ndjerë edhe dallimin e jetës mes qyteteve të mëdhenjë e qyteteteve të vegjël. U emëruam në shkollën “Ramiz Aranitasi” për të dhënë mësim, por jo pak mësime morëm edhe ne për jetën tonë.

 

 

U gjendëm aty edhe kur erdhi Enver Hoxha, udhëheqësi i kohës, i cili mori pjesë në inaugurimin e ndërtesës së re të kësaj shkolle, shumë të bukur dhe bashkëkohore. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për një qytet të vogël, por me një histori të lavdishme atdhedashëse.

 

Megjithatë, pjesa më e rëndësishme në jetën e mësuesit, gjurmët më të thella, janë nxënësit.

 

 

Pas 50 vjetësh

 

Tani marrëdhëniet mes mësuesve e nxënësve, shtrihen nëpër kujtime. Para disa ditësh, matura e vitit 1973 festoi 50 vjetorin e saj në një takim festiv dhe emocional, ku u mblodhën nga të gjitha vendet,  që profesioni dhe detyra ndaj atdheut i kish caktuar. Një takim nostalgjik. Natyrisht që, nuk ishin të gjithë. Në 50 vjet , ndryshimet politiko shoqërore dhe rrugët e jetës së tyre personale, kishin sjellë edhe tek ta fate e rrugë të ndryshme.

 

 

Nismëtarët e këtij takimi ishin Spartak Sako, tashmë stomatolog në Tiranë,  Astrit Ibro, gazetar dhe përkthyes i gjermanishtes në Radio-Tirana, Riza Bregasi, gjithashtu ish gazetar në RTSH dhe në Top Chanel.

 

 

Pas 50 vjetësh, koha, pothuajse, na kish bërë njësoj. Ashtu, si ne ish mësuesit , edhe shumë prej tyre, ishin në moshën e pensionit. Ashtu si ne, edhe ata ishin prindër e gjyshër. Ashtu si ne, edhe ata nuk kishin më atë freski e nur rinor, por dikush me flok të thinjur ose të rënë, ndonjë tjetër edhe me mustaqe, apo me mjekër. Por, në brendësi të shpirtit të tyre, kishte mbetur po ajo dashuri e vlerësim për njëri tjetrin, po ajo çiltërsi si para 50 vjetësh. Fytyra të qeshura e lot malli. Një atmosferë plot gëzim, por jo e papritur.

 

 

Përqafimet, që kalonin nga njëri te tjetri, shoqëroheshin me thirrjet në emër, ose ashtu siç quheshin dikur, shkurt e me shaka; “Çimi”, “Xake”, “Titi”, “Nexhi”, “Taku”, “Lake”….. Disa kishin shumë vite pa u takuar, qysh në takimin e fundit në 40 vjetorin e saj, të tjerë, më pak. Ylli Ademi, edhe ky ish gazetar në Durrës, që tashmë jeton në SHBA, ishte më i munguari ndër shumë vite. Mua, Fiqiriut, Çlirimit, Fluturës, Agronit, Çelnikut, Pandit, Avdylit, Partizanit…. si ish mësues të tyre, na gëzohej zemra kur i shikonim.

 

Flisnin e tregonin për jetën e tyre, për familjet, ku ishin e me se merreshin.

 

 

Astrit Gropa ishte kthyer në fshat dhe merrej me pasionin e tij, me bletari. Fejzi Mezini jeton në Tiranë dhe kishte ngrijtur një firmë ndërtimi. Gëzim Hasko, pedagog në fakultetin e inxh. Ndërtimit. Përparim Harizi mbante një biznesë modest në Çorovodë. Shkëlqim Meta e Iljaz Ismaili mbahen mënd për kontributin e guximshëm e të sinqertë politik.

 

 

Nga kjo maturë vetëm 7-8 veta nuk kishin vazhduar shkollën e lartë. Të tjerët, pas diplomimit si mjek, ekonomist, ushtarak, inxhiniera, mësues, agronom, u emëruan për të shërbyer në vendin e tyre, në Skrapar, kurse disa prej tyre u shpërndanë në githë Shqipërinë. Shyqyri Duro, prokuror në Kavajë, Fejzo Hysi, gjykatës në Durrës, Nexhmie Metani, ekonomiste në Tiranë etj.

 

 

Festë e gjithë qytetit

 

Me kontributin e kryetarit të Bashkisë, Adriatik Mema dhe me pjesëmarrjen e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Nasip Naço,  ajo ditë u kthye në një festë të të gjithë qytetit. Këngët dhe vallet e grupit artistik të pallatit të kulturës, të ndërprera nga përshëndetjet e falënderimet e rastit, mbushën gjithë sheshin me melodi, duartrokitje, urime.

 

Një atmosferë shumë mbresëlënëse dhe shumë domethënëse. Një respekt i merituar për një brez maturantësh, të cilët lavdia e vendit të tyre u kish mbushur jetën me frymëzim e krenari.

 

 

Orët kalonin, por s’ndiheshin. Moti i bukur, njerëz të gëzuar, bisedat plot mall, kujtimet e një moshe tërë ëndërra, gdhëndën tek të gjithë ata gjurmët e një takimi të paharruar.

 

 

Një ngjarje që s’harrohet

 

Kjo ka ndodhur me këtë maturë në vitin 1972. Ishim në aksionin e rinisë, në Jonufër të Vlorës për hapjen e taracave të reja për mbjelljen e agrumeve. Aty ishin edhe nxënësit e shkollës së mesme “Petro Nini” të Tiranës.

 

 

Në këtë shkollë mësonin, në përgjithësi, edhe fëmijët e qeveritarëve dhe partiakëve të lartë të vendit. Ndofta mosha, ndofta përkëdhelitë dhe privilegjet, ndofta servilizmi i rrethit shoqëror të tyre, pasqyronte tek disa prej tyre një llojë hazdisje në sjellje, deri edhe në veprime fyese, që e shfaqnin edhe ndaj nxënësve të shkollës sonë me etiketimet: “naro(katundar)”, “traktor” etj. Kjo, përsëritej, pothuajse çdo ditë. Unë nuk dija gjë, sepse, duke patur shumë besim te nxënësit e mi, pas punës, kthehesha me biçikletë në shtëpinë time, në Vlorë.

 

 

Por, një ditë, kur, si duket durimi kishte shkuar në kulm, më ankohen dhe më thonë se, kishin vendosur që “tua kthenin borxhin”!… E gjykova se kishin të drejtë, pasi unë me ta isha në rol të dyfishtë; edhe si mësues, edhe si prind, prandaj, të nesërmen, kur po ktheheshim nga puna dhe, kur ata të “Petro Ninit”, filluan përsëri ngacmimet fyese, morën “mësimin” e duhur, që shkaktoi jehonë, jo vetëm në qytetin e Vlorës, por deri në Tiranë, në Qeveri, në Kom. Qëndror të Rinisë dhe në Kom. Qëndror të Partisë.

 

 

“Mësimi” u shoqërua me një flet-rrufe të madhe, që u vendos në sheshin “Skënderbe”, në përmbajtjen e të cilës qëlloheshin edhe prindërit e tyre. Ishte Spartak Sako, një nxënës i guximshëm, që shkoi dhe e vendosi atë , por që më pas pati edhe shumë presione për të treguar se, kush ishte nxitësi i këtij sherri dhe i kësaj flet-rrufeje.

 

 

Nuk e harroj kurrë qëndrimin burrërëror të komandantes së aksionit, vlonjates Xhuliana Zoto, e cila përplasej dhe u “tregonte vendin” të deleguarve nga Kom. Qendror i Rinisë, të Kom. Partisë së Tiranës, të Ministrisë së Arsimit, të Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, të cilët e trajtonin këtë ngjarje si një akt rebel politik. Ndoshta, pasojat do të ishin të rënda mbi ne, n.q.se nuk do të ndërhynte në këtë problem Hysni Kapo, sekretar i Kom. Qendror dhe Teki Malindi, sekretari i parë i Kom. Partisë së Skraparit.

 

Pse e tregova këtë ngjarje? Ç’rëndësi ka pas kaq vitesh?

 

Sepse ishte një akt i mguximshëm për kohën, që theu mite, kulte, abuzimet me emrat e baballarëve dhe mamallareve, që grisi atë perde propagandistike, e cila mbulonte realitetin. Dhe, kjo u bë nga kjo maturë.

 

E tregoj për të thënë se, në fund të fundit, këta nxënës ishin bijë e bija të prindërve të tyre skraparlinjë, që e duan dhe e respektojnë shumë mikun, që durojnë sakrifica, durojnë vetmohim, por nuk durojnë asnjë pik pluhuri fyes mbi personalitetin e tyre.

 

E tregoj këtë ngjarje, në shënjë mirënjohje për atë mbrojtje  trimërore që më  bënë, sepse e shfrynë gjithë atë akuzë, sikur akti ynë ishte “politik” dhe “agjenturor”( meqë unë isha mësues i gj. ruse!).

 

E tregoj këtë ngjarje për të thënë se, këtë mbrujtje karakteriale kishin qysh atëherë këta nxënës të maturës të vitit 1973, të cilët më pas, në jetën e tyre u bënë të suksesshëm dhe të dëgjuar.

 

Ju faleminderit Maturë e vitit 1973! Ju meritoni mirënjohje dhe respekt të veçantë, sepse ju, si edhe shumë të tjerë, “lundruat” nëpër një jetë me dallgë, por dolët fitimtarë. Ju, për ne, ish mësuesit  tuaj, zini një hapësirë krenare të jetës sonë. Nuk u harrojmë kurrë.

 

 

Shënim:

Ky shkrim është marrë nga gazeta “DITA”, 31 maj 2023