Doni të dini si ka qenë Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?…

Doni të dini si ka qenë Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?…

 …Ja si e përshkruan atë Lumo Skëndo në vëllimin e dytë të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1898 (Pjesa e parë)

 

 

Në këtë numër do të japim një përshkrim interesant gjeografik të Shqipërisë të asaj kohe, dmth, të fundit të shekullit të 19-të, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe kur ende nuk kishte filluar copëtimi i saj nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha.

 

 

Në atë kohë nuk bëhej fjalë për “Shqipëria të Madhe”, “Shqipërinë Etnike” apo “Shqipërinë Natyrale”, pasi këto janë terma që u vendosën vonë, pas copëzimit të Shqipërisë në vitin 1913 nga Fuqitë e Mëdha. Pavarësisht mungesës së një shteti, bëhet fjalë për një Shqipëri 88 mijë km katror, tre herë më të madhe seç është sot Republika e Shqipërisë!

 

 

Këtë shkrim po e sjellim në vëmendje të lexuesit edhe për një arsye tjetër: për gjuhën e bukur, të virgjër e të patrazuar shqipe, në dialektin e toskëve të jugut.  

 

 

Ç’pjell dheu ndë Shqipëri?

 

Shqipëria ka vendin fort të bukurë. Klima e saj në jugët dhe anës detit është e ngrohtë, dhe në veri pakëz e ftohtë, por e shëndoshë. An’ e detit nga Preveza e në Vlorë, po më tepër Çamëria është si një kopsht parajse: s’bie kurrë, pothua, dëborë dhe vapave të mëdha as emrin s’ua dinë. Atje bëhet ulliri sa një lis, portokaleja, limoni, qitroja, shëga sa një kokë njeriu. Afër Qimarës, në Palasë, bëhet edhe hurmaja sado që s’jep pemë. Prapë nga Vlora e në Ulqin, an’ e detit është plot pyje dhe ullinj; çdo drit bëhet në këto anë si dhe orizi në vende që ka ujë: në Myzeqe, afër Peqinit; e në Margariti del një oriz i mirë.

 

 

E tërë Shqipëria është pjellore: Vendet e unjët japin çdo drithë e pemë, vreshtë etj. Dhe pyjet janë plot kullota e të veshur me dushk, ah, bushk, bredha, gështenja, arra, lajthi etj. Malet me kullota ushqejnë bagëti dhe  lumenjtë dhe kënetit ziejnë nga pishqet. Pyjet e thellë ushqejnë dhe ujq, derra, arinj, drerë, sorkadhe gjepura, kunadhe etj.

 

 

Malet e Ohrisë e të Tetovës janë me emër në tërë faqen e dheut. Ver e Prizerenit, e Kosturit dhe e Ohrisë janë për t’u mbajtur në gojë. Duhani i Metojisë (fush’ në mes të Ipekut, Jakovës, Prizerendit dhe Mitrovicës) e i Beratit, fasulet (groshet) e Ysqypit janë fort të mira.

 

 

Fush’ e Myzeqesë të qërohesh, sikundër e thamë, do bëhesh një vend pjellor që do të ushqente tërë Shqipërinë. Fush’ e Manastirit mbush botën me grurë, elp, misër etj. Fush’ e Korçës ka disa vjet që ka zënë e po bëhet moçalinë, dhe pa shkuar shumë kohë do të bënet fare baltë, kështu është edhe gjysma e fushës së Lurës: këto vende që shkel uji dhe fush’ e Zadrimës që mahnitet njeriu duke parë sa është pjellore, po që çdo mot e mbyt uji dhe s’lë të punohet, me pak mundim mund të qërohen dhe të hapen vijëra që të mos mbetet uji.

 

 

Me gjithë këtë pjellori që ka dheu, Shqiptarët mezi gjejnë bukë të hanë! Ç’është shkaku i kësaj mënxyre”

“Shkaku i kësaj varfërie që e bën njeriun të qanjë, është se Shqiptarët janë (na vjen ligsht ta themi) janë përtesësh e më tepër se arëbërës janë barinj: duan më mirë të venë  me dhen se sa të punojnë dhenë. Veç kësaj dhenë e punojnë në një mënyrë fare të prapambeturë, domethënë s’kemi zënë ende (akoma) të përdorim dituri të dhédhënjes për të nxjerrë sa më tepër bimë. Të tëra këto vinë se jemi gjysmë t’egër e s’kemi zënë të qytetërohemi, kemi mendjen fare me të tjera gjëra e jo me punë e me mirësi”.

 

 

Po një nga ngajet e mëdha të varfërisë në të cilën rrojnë Shqiptarët sot, është mos pasja e rrugëve dhe urave. Megjithse ç’do njeri në Shqipëri paguan ç’do mot një pagesë të madhe guvernës, me nonjë anë të vendit tënë s’ka udhëza, dhe kjo ndalon fort vajtjen dhe ardhjen, të shpënët e plaçkave, dhédhënjen dhe tregërinë; pa le njerëzit dhe kafshët rrëzohen çdo ditë nga rripat, a mbyten në lumenjtë, me qenë se s’ka udhë gjëkund.

 

 

 

Shqipëria. Cop’ e dheut që ka në jugët mëngën e Artës dhe Greqinë, në verit Maln’ e Zi, Jenipazar  dhe Sërbinë, në perëndim detnë Adriatik dhe Jonianë e nga ana e lindjes zgjatet nga mëng’ e Selanikut e gjer në Vranjet quhet Shqipëri, vend i djemve të  Shqipes; atje rri kjo “racë e bukurë, e mençme, trime dhe me vetija të mira”, si kundër thonë shkronjësit e huaj.

 

 

Male

 

Shqiptarët si dhe shkaba janë hequr në malësit, se Shqipëria është pothua në vend fjesht mal, por fort i bukurë e plot pyje dhe kullota.

 

 

Mali Sharr ka majën më të lartë nga gjithë malet që janë në sinit të Ballkanevet: Lubatini në mest të Prizrenit dhe t’ Ysqypit, është një majë e lartë 3050 metra mbi faqet të detit. Sharri lëshon dega në verilindjet dhe futet në Sërbi; nga ana e jugës degët e Sharrit janë: Korabi i veshur në bredh në dushk e në bushk, Jublanica në mest të Elbasanit e të Strugës që ka majë 2280 metra të lartë; më posht Elbasanit zë mali i Polisit, 1800 metra; Gramosi në Kolonjë, 2300 metra i lartë; mali i Sanolikes, 2500 metra i lartë dhe malet e Pindos (të Mecovës) që na ndajnë nga Greqia dhe hyjnë brenda në Thesalitë.

 

 

Jashtë Sharrit: mal i Galishicës në mes të kënetit të Ohrisë e të Prespës; Peristeri, i lartë 2600 metra, në jugët të Manastirit dhe Nereçka dhe Viçica më poshtë.

 

 

Brenda Sharrit, malet Shkodrës: Taraboshi, Cukali, Bori dhe Muranja, me borë që s’çkrijnë as në verë, si dhe të Lubatinit, male të veshur ndër ah, gështenja, frashnje, bredh etj.

 

 

Tomorri. Plot me të mirë (sikundër e besojnë vendësit) dhe maj’ e tij afër Beratit, 2400 metra e lartë, që nxjerr zë të tmerruar (nga të fryrit e erës në mes të shpellave): Dhembeli, pa pyje, por plot kullota dhe maja e Nemërçkës afër Përmetit; malet e Çikës, të lartë 2100 metra dhe tërë bushk e dushk; maleve të Çikës (Himarës) që moti u thoshin malet e Rrufesë (qeravnos), se atje bëhet fort dendur tërmet dhe bubullima, dhe pandehet se Grekërit e vjetër në këto male besonin, se aty ishte Plutoni, perëndi e Skëterrës.

 

 

Veç këtyre maleve të mëdhenj t’ emërtojmë dhe: malet e Mirditës, Krraba, Koloborda pranë Elbasanit. Mal’ e Ostrovicës; Radomi dhe Qarri në Kolonjë; Malete Sulit dhe të Mishqelit mbi Janinë.

 

 

Lumenj

 

Natura, vendit dhënë i ka dhënë shi sa duhet për të ujitur dhe të apijë çdo bimë dhe lumenjtë rrjedhin më ç’do anë. Më të mëdhenjtë janë: lum i Nartës që del nga malet e Mecovës dhe rrjedh në mes tënë dhe të Thesalisë.

 

 

Lumi i Zi (Gliqi) që shkon nga Suli e derdhet në det nja tre orë nën Pargët; Grekët e vjetër këtë lumë të vogël e quanin Akeron dhe i thoshin lum i Skëterrës se është i zi me serë, shkon nga vende moçalinë dhe natën kërcejnë flaka mbi të.

 

Lumi i Kallamasë që kujtohet se del nga kënet i Janinës nën det, qëmoti quhej Thiamis.

 

Vjosa, plot pishq, që del afër Mecovës, shkon nga Konica, Përmeti dhe merr këmbën Drino afër Tepelenës, këtij lumi të vjetrit i thoshin Aos.

 

Semani që ka dy këmbë të mbëdha: Devollë dhe Ergjendin. Devolli është dy këmbë: njëra del nga Nemërçka, tjetra nga Gramosi, të cilat bashkonen ndë këneta e Vabëntrokut, marrën dhe një vijë që del nga ky kënet; më tej Devolli përhapet në fushët afër Korçës; bën kënetet e Svirinës e Maliqit, shkon në veri të Tomorricës, dhe nën Berat duke u bashkuar me lumnë e Beratit që i thonë edhe Ergjent, merr emrin Seman, shkon nga Myzeqeja dhe derdhet në det  t’ Adriatikut.

 

Shkumbija, që del nga malet e Gollobordës, shkon afër Elbasanit dhe Peqinit. Shkumbija ndan nga mezi Shqipërinë dhe në veri janë Gegët, e në jugët Toskët, që kanë në mes të tyre aqe ndryshim sa kanë dy sytë e një balli.

 

Arzeni dhe Ishmi që dalën nga mali i Kërrabës dhe ujitin fushën e Tiranës.

 

Drini i Zi, që del nga këneti i Ohrisë, nëpër mest të Strugës; ngjitet në veri shkon afër Dibrës, arrin në katund të Lumës ku merr ujërat e Drinit të Bardhë, i cili del nga malësie Ipekut; pastaj të dy bashkë nën emrin Drini i Zis e kthehen nga perëndimi, bëjnë një gjysmë rrote, shkojnë afër Lezhës dhe bien në det. Drini është një lumë i fortë, shum’ i bukurë dhe shkon nga vende t’egër me pyje e me shkëmbenj.

 

Bojana që derdh ujët e kënetit të Shkodrës në det.

 

Vardari që del nga malet e Lumës, ngjitet në Tetovë, bën nga Lindja, shkon nga Ysqypi nget drejt Jugës, lak Qyprylinë dhe posht derdhet në mëngë të Selanikut.

 

Ibri që shkon nga fush’ e Kosovës dhe  hyn në Sërbi.

 

 

Kënetët

Në verit, Liqeni i Shkodrës që kemi përgjysmë me Malin e Zi. Liqeni i Shkodrës, nëntë orë i gjatë dhe nja pesë orë i gjerë, është rrethuar nga male të zhveshur, e me fusha fort pjellore nga Juga.

 

Këneti i Plavës, i vogël, por fort i bukurë. I Ohrisë, në formë të një veje, 100 qillometra të katërçipta dhe i thellë 100 deri në 150 metrauhësh në kohë të Romanëvet Lihnidos, është fort i kthjelltë, shumë i bukurë dhe plot pishqe shumë lloj. Këneti është 570 metra më i lartë nga deti. I Prespës. Rrumbullak dhe 60 metra i thellë, pandehet se ky kënet bashkohet me të Ohrisë, me një lumë që shkon nën mal të Galishicës. Këneti i Vantrokut; kënët i Kosturit; kënet i Svirinës e i Maliqit që i bën Devolli e që janë pak të thellë. Këneti i Tërbufit e një tok të tjerë në Myzeqe; po këta janë fort pak të thellë dhe anët janë plot moçalinë, zhukë e kallame. Këneti i Janinës, i bukurë, me një nisi të vogël në mest, në të cilët u vra Ali Pasha në vitin1822.

 

 

Fusha

 

Në verit kemi fushën e Kosovës që është 500 metra më e lartë nga deti; fush’ e Shkodrës dhe e Zadrimës. Fushn’ e Shkodrës pothuajse çdo mot e mbyt Drini; fush’ e Ysqypit.

 

Fush’ e Manastirit që nga Perlepi e gjer në Follorinë. Kjo fushë që është më e madhja dhe më pjellorja e gjithë Shqipërisë, është 15 orë e gjatë dhe tre orë e gjerë.

 

Fush’e Korçës, 4 orë e gjatë.

 

Fush’ e Tiranës, plot pyje dhe ullinj.

 

Fush’ e Myzeqesë, fort e gjerë por tërë moçalinë e plot ethe. Kjo fushë mund të qërohet e mund të bëhet një vend pjellor që të mos ketë shoqe.

 

Fare në jugët e fush’ e Janinës, e Filatit dhe e Lurës.

 

Bërësi: Lumo Skëndo

 

(Vazhdon pjesa e dytë)