Një fotografi e rrallë e çetës patriotike të Sokoll Radëshit
Hetem Bakiasi*
Kjo fotografi, që botohet për herë të parë, i takon viteve 1908 – 1910. Mbi historinë e saj nuk dihet asgjë, as vendi ku është bërë dhe as autori. Ama njihen të gjithë njerëzit që janë fiksuar në këtë foto, të veshur me rroba karakteristike kombëtare e të armatosur.
Ata janë një grup luftëtarësh të njërës prej çetave të Skraparit, që vepronte dhe luftonte kundër pushtuve turq, për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë.
Udhëheqësi i saj ka qenë Sokoll Radëshi. Kjo çetë vepronte së bashku me çetat e tjera që udhëhiqeshin nga Lace Backa, Mahmud e Servet Zaloshnja, Ali Farmaqi, Tefik e Tajar Vëndresha, Sulejman Spathara, Jaçe Gjergjova etj.
Udhëheqësi i kësaj çete, Sokolli, në një përpjekje, u kap nga nga forcat e tradhtarit Esat Pashë Toptanit dhe u var në litar. Pjesëtarët e tjerë të çetës nuk e pushuan asnjëherë luftën edhe kundër regjimit të Zogut.
Disa prej tyre, edhe pse të moshuar, morën pjesë në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pjesëtarët e çetës të identifikuar janë, nga e majta në të djathtë: Sabri Radëshi, Dervish Iljazi (Qafoku), Veiz Dyrmishi (Koprëncka), Xhemal Shtrigu (Myftari), Hasan Gërmenji dhe Sokoll Radëshi, udhëheqësi i çetës.
Një pjesë re tyre janë dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike” si dhe me urdhra të tjerë.
*) Ky shkrim është botuar në vitin 1988 në gazetën “Bashkimi” ngaa i mirënjohuri Et’hem Bakiasi